Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po shohin mundësinë të dalin bashkë në tregjet europiane për të promovuar turizmin. Diskutimi për këtë çështje u bë në Berlin gjatë takimit të Ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja me Ministrin e Kulturës dhe Turizmit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Ljutkov në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit ITB 2026.
Në tryezë ishte ideja për një promovim të koordinuar të dy vendeve në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht në Gjermani dhe në Europë.
Një tjetër pikë e diskutimit ishte zhvillimi i transportit turistik ujor në Liqenin e Ohrit. Dy palët folën edhe për mënyrën si mund të menaxhohen më mirë flukset turistike në pikat kufitare gjatë sezonit të verës, kur lëvizjet rriten ndjeshëm.
Biseda preku edhe bashkëpunimin kulturor në rajonin e Ohrit, me projekte dhe aktivitete ndërkufitare që lidhen me menaxhimin dhe promovimin e pasurisë së UNESCO-s.
Gonxhja tha se takimi shërben për të çuar përpara idenë e destinacioneve të përbashkëta rajonale dhe për të rritur konkurrueshmërinë e ofertës turistike të rajonit në tregun ndërkombëtar.
Shqipëria po prezantohet në ITB Berlin 2026 si një destinacion autentik mesdhetar, ndërsa gjatë panairit ministri ka zhvilluar edhe takime me përfaqësues të industrisë ndërkombëtare të turizmit dhe transportit ajror.
Komente











