Bordi i Paqes, i sanksionuar nga OKB-ja dhe i shpallur më herët këtë vit nga Donald Trump për të administruar Gazën, po planifikon t’i japë vetes një imunitet të gjerë ligjor, sipas një projektrezolute të siguruar nga The Guardian. Drafti parashikon gjithashtu që organizata të ketë të drejtën të marrë prona publike në Gaza "pa pagesë".

Dokumenti prej katër faqesh, i klasifikuar si "me përmbajtje konfidenciale, por jo i klasifikuar", u jep mbrojtje të gjerë ligjore të gjithë anëtarëve të Bordit të Paqes dhe strukturës së tij administrative, Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR), si dhe teknokratëve palestinezë, forcave ushtarake ndërkombëtare dhe kontraktorëve të huaj që pritet të punojnë në Gaza. Në draft përcaktohet se ata do të jenë të imunizuar nga "çdo arrestim, ndalim apo procedim ligjor në gjykatat ose institucionet e tjera në Gaza".

Nuk është e qartë nëse dokumenti synon të mbrojë Bordin e Paqes dhe bashkëpunëtorët e tij edhe nga ndjekjet penale në gjykatat ndërkombëtare, përveç atyre të mundshme në Gaza.

Sipas draftit të qershorit 2026, kryetari i Bordit të Paqes, Donald Trump, do të kishte të drejtën të hiqte imunitetin ligjor të një personi, me miratimin e shumicës së anëtarëve të bordit.

Bordi ekzekutiv prej shtatë anëtarësh përfshin dhëndrin e Trump, Jared Kushner, të dërguarin special Steve Witkoff, shefen e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, dhe këshilltarin për sigurinë kombëtare, Marco Rubio. Edhe pse disa vende kanë premtuar miliarda dollarë për projektin, shumica ende nuk i kanë transferuar fondet dhe nuk janë dhënë kontrata të rëndësishme për punimet në Gaza.

Shtëpia e Bardhë i referoi pyetjet drejtuar saj tek Bordi i Paqes ndërsa ky i fundit nuk iu përgjigj pyetjeve konkrete mbi draftin. Megjithatë por një zyrtar deklaroi:

"Nuk ekziston asnjë rezolutë në fuqi apo kuadër imuniteti si ai që përshkruhet në pyetjet tuaja. Çdo pretendim se ky proces synon të krijojë paligjshmëri ose pandëshkueshmëri është i gabuar, mashtrues dhe e paraqet çështjen krejtësisht përmbys."

Zyrtari shtoi se pretendimi se "Presidenti do të ketë rol në vendosjen ose heqjen e imunitetit në Gaza është kategorikisht i rremë" dhe se "Bordi do të sigurojë që i gjithë personeli, kontraktorët dhe subjektet pjesëmarrëse të respektojnë ligjin në fuqi dhe të veprojnë nën rregulla të qarta, mekanizma mbikëqyrjeje dhe llogaridhënieje". Megjithatë, ai nuk sqaroi se si do të funksiononin këta mekanizma.

Diplomati bullgar Nickolay Mladenov, i cili shërben si Përfaqësues i Lartë i Bordit të Paqes për Gazën, po zhvillon këtë javë takime në Kajro me administratorët palestinezë të përzgjedhur nga bordi për të qeverisur territorin. Sipas një burimi të njohur me diskutimet, bisedimet janë përqendruar në përmirësimin e kuadrit të punës së grupit në Gaza. Draft-rezoluta për imunitetin, me titull "REZOLUTA NR. 2026/3", ende nuk u është shpërndarë administratorëve palestinezë.

"Pa mbikëqyrje të jashtme"

Gjashtë juristë të specializuar në të drejtën amerikane të kontratave dhe konfliktet e armatosura ndërkombëtare shqyrtuan draftin për The Guardian.

Sipas tyre, nëse rezoluta hyn në fuqi, mbetet e paqartë se si zyrtarët e Bordit të Paqes, ushtarët apo kontraktorët do të mbahen përgjegjës në rast të të shtënave, aksidenteve apo incidenteve që prekin banorët e Gazës. Po ashtu, nuk është e qartë se si do të zgjidheshin mosmarrëveshjet e zakonshme për biznesin apo përdorimin e tokës.

Përpjekjet e udhëhequra nga SHBA për rindërtimin e Irakut dhe Afganistanit u shoqëruan shpesh me akuza për korrupsion dhe raste të vrasjeve ose abuzimeve ndaj civilëve nga kontraktorë amerikanë, përfshirë ata të kompanive Blackwater dhe KBR, të cilët më pas u përballën me procese gjyqësore në SHBA. Ekspertët paralajmërojnë se edhe rindërtimi i Gazës mund të përballet me sfida të ngjashme.

"Duket si një përpjekje për ta përjashtuar bordin dhe gjithë personelin e tij nga përgjegjësia për shkelje të mundshme ligjore", tha Emily Schaeffer Omer-Man, eksperte për çështjet e së drejtës humanitare ndërkombëtare.

Juristët shprehën shqetësim veçanërisht për nenin 7 të draftit, të titulluar "Përgjegjësia ndaj palëve të treta/Kërkesat", i cili parashikon që vetë Bordi i Paqes të shqyrtojë dhe të vendosë për kërkesat për "humbje ose dëmtim të pronës, si dhe për plagosje, sëmundje ose vdekje" që mund të lindin nga aktiviteti i tij në Gaza.

"Praktikisht po thonë se nuk do të ketë asnjë mbikëqyrje të jashtme, përfshirë edhe zbatimin e së drejtës ndërkombëtare mbi pushtimin", tha profesoresha e së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Rutgers, Noura Erakat. "Po krijojnë një sistem juridik të veçantë për veten."

Kontraktorët kërkojnë qartësi

Edhe kontraktorët kanë kërkuar sqarime mbi mbrojtjen ligjore për punët e mundshme në Gaza, ku Bordi i Paqes, i mbështetur nga Trump, ka hapur procedura për pastrimin e rrënojave, shërbime sigurie dhe një projekt të gjerë rindërtimi. Jared Kushner ka folur më parë për transformimin e Gazës në një zonë me resorte luksoze, qytete të teknologjisë së lartë dhe qendra biznesi rajonale.

Normalisht, statusi ligjor i kontraktorëve dhe forcave ushtarake ndërkombëtare përcaktohet nga marrëveshjet mes shteteve, të njohura si "Status of Forces Agreements", por për Gazën nuk ekziston një dokument i tillë.

"Çdo kompani serioze do të kërkonte një kuadër shumë të qartë ligjor", tha Doug Brooks, ish-president i Shoqatës Ndërkombëtare për Operacionet e Stabilitetit.

Sipas një kontraktori amerikan të sigurisë, Izraeli nuk dëshiron të negociojë një marrëveshje të tillë sepse nuk dëshiron ta njohë Gazën si shtet.

Prona publike "falas"

Pjesa e fundit e draft-rezolutës, e titulluar "Ambientet e Bordit të Paqes, OHR-së dhe ISF-së", parashikon se grupit "do t'i vihen në dispozicion, pa pagesë, ambientet dhe objektet publike të nevojshme për përmbushjen e misioneve në Gaza".

Ekspertët ligjorë paralajmërojnë se kjo dispozitë mund të hapë rrugën për konfiskimin e paligjshëm të pronave palestineze. Nuk është e qartë se kush – Izraeli, Hamasi apo Autoriteti Palestinez – do të ishte përgjegjës për t'ia vënë këto prona në dispozicion Bordit të Paqes dhe mbi çfarë baze ligjore.

Sipas kontraktorëve të përfshirë në projekt, Bordi i Paqes planifikon të ndërtojë një bazë për një forcë ushtarake ndërkombëtare, si dhe qendra logjistike për operacionet e tij. Forca ndërkombëtare synon të ndihmojë në çarmatimin e Hamasit, një hap kyç në planin e paqes të Trump. Izraeli ka refuzuar të zbatojë fazat e marrëveshjes së armëpushimit të nëntorit 2025 për sa kohë Hamasi vazhdon të jetë i armatosur.

"Me shpalljen e njëanshme të së drejtës për të marrë tokë, prona dhe ndërtesa palestineze për përdorimin e vet, pa pëlqim, kompensim apo mundësi ankimi, Bordi i Paqes po ndjek të njëjtën praktikë represive si Izraeli", tha Omar Shakir, drejtor ekzekutiv i organizatës DAWN.

Juristë të tjerë ngritën pikëpyetje mbi bazën ligjore që i lejon Bordit të Paqes të marrë kontrollin mbi objektet publike.

"Nëse nuk ekziston një marrëveshje për statusin e forcave me Izraelin, atëherë nuk është e qartë se cili është autoriteti ligjor i bordit", tha Brad Parker, drejtor i asociuar për politikat në Qendrën për të Drejtat Kushtetuese.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së e ka autorizuar Bordin e Paqes të mbikëqyrë administrimin e Gazës deri më 31 dhjetor 2027. Karta e OKB-së u jep diplomatëve dhe organizatave të saj mbrojtje të caktuara ligjore gjatë kryerjes së misioneve zyrtare jashtë vendit. Draft-rezoluta e Bordit të Paqes duket se mbështetet pjesërisht në këto dispozita, por mbetet e paqartë nëse bordi mund t'i përdorë ato për mbrojtjen e vet ligjore.

Drafti parashikon që rezoluta të hyjë në fuqi pas nënshkrimit nga Nickolay Mladenov. Bordi i Paqes nuk iu përgjigj pyetjeve nëse dokumenti do të nënshkruhet edhe nga palë të tjera.

"Sa vlerë ka ky dokument nëse janë vetëm ata që e nënshkruajnë?" u shpreh Omar Shakir./TheGuardian