“Më 21 janar ditë e zezë, sulm i egër ndaj kryeministrisë. Akti antikushtetues të hetohet në mënyrë të pavarur”, tha Topalli.
Socialisti Ruçi ka deklaruar se më parë se të thirren deputetët duhet të njoftohet seanca duke akuzuar direkt Topallin për vrasjet e 21 janarit.
“Ti ke vrarë 4 vetë më dy pushtete. Komandanti jot i gardës ka vrarë. Ti ke vrarë dhe ke fshirë gjurmët e krimit”, tha Ruçi, i cili ka kërkuar kohë për të lexuar dosjet me të dhënat për deputetët.
REAGON TOPALLI
“Kemi një vit që presim një hetim të paanshëm. Unë jam në dijeni se deputetët janë lajmëruar për kërkesën për procedim penal. Deputetëve do tu jepen dosjet sot menjëherë. Deputetët të mos përdorin justifikime që të shtyjnë hetimet. Dosja hetohet për një orë, por ia vlen edhe të rrimë pa gjumë për ti lexuar sepse kemi një vit që presim. Ju keni traumatizuar Tiranën e tani kërkoni të vononi të vërtetën. Për 5 orë rresht keni sulmuar kryeministri. Në fakt sipas meje, krahas 3 deputetëve këtu duhet të vinte edhe ndonjë emër tjetër”, tha kryeparlamentarja.
Pas replikave të ashpra Këshilli ka vendosur që në seancën e ditës së enjte, deputetët të njihen me kërkesën e prokurorisë dhe ditën e premte më 27 janar, në orën 10.00 të thirret për një seancë dëgjimore deputeti Tom Doshi e pas tij edhe dy të tjerët.
REPLIKAT
Ruci: E di unë rendin e ditës. E di ku jam mos ma trego ti. Jemi gati të dorëzojmë mandatin për 21 Janarin, por mazhoranca ta bëjë aty ku duhet. Njoftoni seancën, u lini kohë deputetëve të njohen me dosjen.
Topalli: 1 orë duhet për ta lexuar, dhe po ndejtët tërë natën ja vlen sepse kemi 1 vit që presim hetim të gjithanshëm.
Ruci: Unë po numëroj që janë 262 faqe, sot po dëgjoj që ato lexohen për 1 orë. Deputetëve nuk u keni dhënë asnjë fletë.
Topalli: nesër një deputët vjen e flet këtu.
Ruci: Ke vrarë për të ndejt në pushtet unë e di ku e ke hallin ti, ke mizën nën kësulë. Ti e ke problem se fsheh komandantin tënd, kryetarin tënd kurse ne nuk kemi asnjë problem.
Topalli: Të rrini pa gjumë se keni lënë Tiranën pa gjumë një vit më parë, trembët një qytet.
Ruci: Në cdo vend të botës bëhen demonstrata ku ka dhe dhunë, ju keni vrarë njerëz dhe keni zhdukur provat e vrasjeve dhe ju duhet të përgjigjeni. Edhe unë e kam provua, 25 vjet në Shkodër, por nuk jam struc të fshihem.
Topalli: Mbaje veten Gramoz secili do përgjigjet, drejtësi do bëhet, shumë e rëndësishme drejtësia do bëhet. Nqs ju e keni me merak të shtyni këtë proces, unë nuk jam për të shtyrë procesin, jam për të respektuar rregulloren. Meqë ju gjumin e doni gjumë dhe s’keni kohë të lexoni këtë, ju jap kohë.
RAMA NË TWITTER: JOZEFINA NUK DI Ç’FLET
Kryetari i PS, Edi Rama reagoi në Twitter pas përplasjeve në Këshillin e Imuniteteve dhe deklaratave të kryeparlamentares.
“Jozefina si Jozefina,s'di ç'flet po flet e flet pa kuptuar që këtë herë s'kalohet lumi me llomoti se çdo shqiptar e di, Saliu duhet hetuar!”, shkruan Rama.
RREGULLORJA E KUVENDIT
Sipas rregullores parlamentare (neni 118) kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit i paraqiten kryetarit të Kuvendit nga Prokurori i Përgjithshëm.
Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni deputetin. Ky i fundit lajmërohet për kërkesën e bërë dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha në të cilën Këshilli për Rregulloren do të fillojë shqyrtimin e kërkesës.
Deputeti ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes. Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 4 javëve, harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve.
(aq/shqiptarja.com)