Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, është shprehur se Partia Socialiste duhet të dalë me një qëndrim të qartë për imunitetin e Belinda Ballukut.
Komentet Qori i bëri në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report TV, ku tha se kryeministri Rama duhet ta kishte shkarkuar më herët Ballukun nga pozicionet që ajo mbante në qeveri.
Kujtojmë se SPAK ka kërkuar arrestimin e Ballukut, e cila akuzohet për korrupsion, ndërkohë që Këshilli i Mandateve pritet të marrë një vendim për imunitetin e saj.
“Në zbardhjen e vendimit të Kushtetueses sot ndër të tjera thuhet se nuk përjashtohet nga llogaridhënia dhe përgjegjësia penale anëtari i Këshillit të Ministrave dhe ai mund të pezullohet. Ndërkohë qeveria vijon ta ruajë këtë me fanatizëm. A po shpëton Rama Ballukun dhe veten? Apo po fundos Ballukun dhe Qeverinë e tij?”, e pyeti gazetari Qorin.
“Mesa kuptoj unë Rama do të ndryshojë ligjin. E kupton që kodi i procedurës penale dhe Gjykata Kushtetuese e kanë konfirmuar këtë fakt, pavarësisht kontradiktave që mund të kenë pasur për si shkohet deri te vendimi për pezullimin, bie dakord që institucionet e drejtësisë mund të pezullojnë nga detyra një funksionar të lartë të shtetit. Rama duke e ditur që ligjin e ka kundër, thotë që ‘unë për momentin kam edhe gurin edhe arrën. Kam mbi 84 vota në Parlament, kështu që do të ndryshojë kodin e procedurës penale’.
Ballukun nuk e shpëton dot sepse u shkarkua si ministre, por për të shpëtuar një Balluk tjetër nesër, që mund të jetë vetë Rama. Rama është vonuar shumë për të shkarkuar Ballukun dhe unë mendoj që ka qenë një proces i gjatë i presionit të brendshëm, jo vetëm nga Balluku që sot nuk i është hequr imuniteti, sepse nuk ka akoma një qëndrim PS dhe unë mendoj se do të votojë kundër heqjes së imunitetit të Ballukut, por edhe nga të tjerë brenda asaj partie që i thonë Ramës ‘ore ti je kreu i një organizate politike dhe ke për detyrë të na mbrosh ne kundër drejtësisë’.
Problemi i Ramës është jo vetëm të shpëtojë veten personalisht, por edhe të shpëtojë partinë që po shkoi thika e drejtësisë deri në fund, këta mund të ngelen vetëm me rojën e godinës. Kushtet janë që SPAK të shkojë deri në fund, por Rama do të përpiqet t’i ndalojë për të shpëtuar lëkurën e vet”, tha mes të tjerash Qori.
Lajmi kryesor:
‘Ulaj kërkon të fitojë miliarda mbi tokat e banorëve të Rrjollit’- Qori thirrje Qeverisë: Pezulloni punimet për ndërtimin e resortit deri në sqarimin e çështjes










