Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ka komentuar videon nga Kuvendi ku deputeti i partisë së tij, Redi Muçi, shfaqej duke luajtur shah.
I ftuar në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report TV, Qori tha edhe nëse do të ishte vetë në Parlament, të njëjtin veprim do të bënte, madje shtoi se do të merrte edhe një libër me vete.
Kjo pasi sipas Qorit, Parlamenti e ka humbur funksionalitetin e tij dhe është kthyer në një vend sherri dhe përplasje mes deputetëve.
“E para njëherë të luash shah nuk është turp, kur ç’nuk diskutohet në atë lloj seance. Edhe të ruash qetësinë intelektuale për të mbajtur një fjalim pastaj. Unë po të isha aty do kisha luajtur edhe Shah, do kisha marrë edhe një libër me vete. Do bëja shumë gjëra që ta përdorja kohën në mënyrën më funksionale dhe të mos merresha me sherrin mes A dhe B”, tha mes të tjerash Qori.
Qori komentoi edhe draftin e paraqitur sot nga PS për rregulloren e re të Kuvendit, të cilin e konsideroi regres.
Kjo pasi sipas Qorit koha e fjalimeve të deputetëve duhet të rritej dhe jo të zvogëlohej nga 10 minuta në 5 minuta.
Të gjitha ndryshimet e parashikuara në draftin e PS, sipas Qorit kanë të bëjnë me shpejtësinë e marrjes së vendimeve dhe jo me urtësinë e shqyrtimit të nismave.
“Si nuk bëhet një ndryshim për mirë. Në vend që të rritet koha e diskutimeve, zvogëlohet. Të gjitha ndryshimet kanë të bëjnë me shpejtësinë e marrjes së vendimeve dhe jo me urtësinë e shqyrtimit, hulumtimit dhe diskutimit. Parlamenti sot konsiderohet ose si arenë boksi, ose si sekretari që vulos vendimet e qeverisë", përfundoi Qori.
Lajmi kryesor:
‘Ulaj kërkon të fitojë miliarda mbi tokat e banorëve të Rrjollit’- Qori thirrje Qeverisë: Pezulloni punimet për ndërtimin e resortit deri në sqarimin e çështjes











