Kryetari i Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve Gramoz Ruçi ka deklaruar se Tahiri ka të drejtë që të mbrohet, ndërsa PD e kundërshtoi duke e cilësuar si skandal. Por Ruçi i kujtoi PD mbledhjet e komisionit për Lulzim Bashën në 2007 që zgjati 6 seanca dhe dy muaj.
Seanca e sotme maratonë filloi në orën 11:00 dhe përfundoi në orën 17:00 me dy ndërprerje. Fillimisht ishte prokuroria që parashtroi akuzat për Tahirin, më pas deputetët i drejtuan pyetjet për të sqaruar pikëpyetjet për kërkesën për heqjen e imunitetit për arrestimin.
Pas mbrojtjes së Tahirit, seanca u zhvillua me dyer të mbyllura ku prokuroria deklaroi se do të paraqiste prova sekrete për të bindur anëtarët për të hequr imunitetin e ish-ministrit, por sipas burimeve të Report Tv nuk kishte asnjë gjë të re.
Seanca rifilloi pas mbledhjes me dyer të mbyllura, ndërsa avokati i Tahirit kërkoi 3 ditë kohë për mbrojtjen, por Ruçi nuk pranoi më shumë se një ditë duke e shtyrë për nesër në orën 10:00, vendim që u kundërshtua fuqishëm nga opozita.
Lulzim Basha ka reaguar ashpër pas vendimit për shtyrjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve për nesër në orën 10:00. Basha tha se mbledhja u shty me urdhër të kryeministrit Edi Rama, i cili po mundohet të mbrojë deputetin e përfshirë në trafikun e drogës.
Debatet per shtyrjen e mbledhjes
Avokati i Tahirit, Artan Hajdari: Është me rëndësi që të kërkojmë që për shkak të pamundësisë reale që ne si mbrojtje kemi pasur për t’u përgatitur sa më cilësore, të kërkojmë kohën e arsyeshme. Pasi prokuroria ngritur edhe pretendime shtesë dhe duhet t’i integrojmë në një mbrojtje në funksion të procesit të rregullt. Duam një afat të arsyeshëm për mbrojtje për një afat prej 3 ditësh, deri ditën e hënë.
PD, Alibeaj: Kjo është alibi banale për të shtyrë. Materiale është i njëjtë. Relacioni është i palëvizshëm, nuk jemi në befasi procedurale. Duhet të vazhdojmë një orë e më parë me procedimin. Boll kemi dhënë kohë për prishjen e provave.
PS, Çuçi: Këtu jemi për të respektuar të gjitha procedurat. Nëse deputeti i cili akuzohet për një krim shumë të rëndë dhe prokuroria ka ardhur për të marrë autorizimin për ta arrestuar nuk i lejohet e drejta që të mbrohet ky është turp. Përsa i përket shpejtësisë, ky është rasti i parë që veprohet me këtë shpejti. Jemi brenda afateve. Këtu kemi të bëjmë me një farsë, nuk ka lidhje me Saimir Tahirin, duhet të dëgjojmë personin që ka akuzuar prokuroria. Jam dakord dhe është në nder të këtij këshilli që t’i lëmë afat mbrojtjes që të shprehet para këtij këshillit. Per imunitetin e Bashes u la dy muaj kohe, u lane gjashte seanca.
PD, Strazimiri: Deputeti ka të drejtë për mbrojtjen, këtu nuk jemi në gjykatë. Këtu nuk jepet vendim fajësie apo pafajësie. Mbrojtje jo, por keni parasysh nëse dilni me këtë përgjegjshmëri. Nuk parashikohet në rregullore, do i japim rrugë drejtësisë?
PD, Strazimiri: Deputeti ka të drejtë për mbrojtjen, këtu nuk jemi në gjykatë. Këtu nuk jepet vendim fajësie apo pafajësie. Mbrojtje jo, por keni parasysh nëse dilni me këtë përgjegjshmëri. Nuk parashikohet në rregullore, do i japim rrugë drejtësisë?
PD, Halimi: Në 2007 Basha ka kërkuar vetë që t’i hiqet imuniteti. Ka ardhur vetë këtu dhe ka kërkuar t’i hiqet imuniteti dhe prokuroria nuk ka kërkuar arrestimin e Bashës. Ai në 2007 nuk akuzohej për trafik droge, kërkohej arrest. Kjo është situata nga e më e para. Për opozitën, nuk e kaloni këtë prang, pasi jemi 5 me 5. Provat janë të mjaftueshme për të krijuar dyshimin për pranimin e kërkesës. Provat e sjella janë të mjaftueshme dhe të vazhdojmë që sot të marrim vendim për t’ia dërguar seancës. Në seancë keni kohë për të bërë mbrojtje dhe për t’i mbushur mendjen deputetëve.
LSI, Naço: Këshilli ka bërë dy kërkesa për arrestimin dhe kontrollin e banesës. Ti pyesim këta zotërinjtë nëse shtyrja dëmton hetimin?
Gramoz Ruci: Jo nuk e lejoj një gjë të tillë...
Debat Alibeaj-Ruci
Ruci: Nuk mund të vijë një organ tjetër dhe të thotë bëjeni sot, nëse ka argumente për ta ndaluar dhe ka kusht për të ndaluar Tahirin e ka këtë atribut dhe e kishte ndaluar dhe ne rregullorja na detyron që brenda 4 ditëve duhet të shprehen. Në rastin konkret prokuroria kërkon ndalimin e deputetit dhe sipas kësaj rregullorje ky këshilli ka në dispozicion 4 javë, sipas neneve. Pasi mbarojmë ne si Këshilli ne jemi të detyruar e vendos në seancën e parë pikë të parë.
Alibeaj: Për procedurë kam të drejtë të flas. Ne kërkuam proces të rregulluat ligjor. Nuk duhet të lëmë më shumë kohë që të dëmtohen hetimet
Naco: Kërkoj opinion nga prokuroria për këtë cështje
Prokuroria Hajdarmataj: Ne kemi paraqitur kërkesën dhe parashtruar argumentet me prova dhe fakte pse e kërkojmë autorizimin. Kështu që nuk e dimë cili mund të jetë vendimi dhe mendimi juaj
Ruci: E domosdoshme që të merret parasysh kërkesa. E hëna është vonë keni kohë deri nesër
Alibeaj: Jemi kundër. Jemi 5 me 5 dhe nuk pranojmë që të shtyhet. Duam të rrimë këtu deri në mesnatë deri sa të mbarojmë.
Ruci: Se kur fillon dhe mbaron e përcakton kryetari i komisionit. Në të gjitha rastet nuk është mbyllur me një mbledhje këshilli, ka qenë një rast, rasti kur deputeti ishte i ndaluar. Në të tjerat jo, me Bashën ka zgjatur 60 ditë këshilli i rregullores. Ne nuk kemi pse ta zvarrisim. Këshillit i duhet kohë për seancën javën e ardhshme. Ditën e hënë jo, por nesër në orën 10:00
Alibeaj: Të hidhet në votim se është e turpshme. Është skandaloze, sapo pranove fajin sot.
Debatet mes Tahirit dhe prokurorëve
Tahiri-prokurorëve: Më jepni provat ku jam i implikuar
Prokuroria e Krimeve të Rënda parashtroi kërkesën përpara Këshillit të Mandateve, përmes prokurorëve Besim Hajdarmataj, Elisabeta Imeraj dhe Gentjan Osmani, për heqjen e imunitetit të Saimir Tahirit. Prokurorët thanë se kanë prova për përfshirjen e ish-ministrit të Brendshëm në trafik droge me grupin Habilaj.
Pas prokurorëve, fjalën e ka marrë Saimir Tahiri. I akuzuar për trafik droge me grupin "Habilaj", i ka drejtuar disa pyetje prokurorit të çështjes Besim Hajdarmataj, për akuzat e e Prokurorisë në adresë të tij. Tahiri tha se në 2015-ën ka bërë padi në Prokurori kundër Habilajt pas denoncimeve në media se automjeti tip "Audi" i shitur nga ai po përdorej për trafik droge, por prokuroria ka mbyllur çështjen.
Tahiri: Kam disa pyetjet për prokurorët për t’u qartësuar. E para, ju thatë që nuk është referuar materiali për Habilajn kur unë isha ministër. Jam i saktë?
A keni dijeni që më 11 shtator 2015 kam shkuar unë te Prokurori i Përgjithshëm pas akuzave për përfshirjen e makinës sime në trafik droge dhe kam kërkuar hetim?
Prokurori: Nuk mund të flasim për të gjitha lëvizjet e tua politike, pyetjet janë teknike.
Tahiri: Jam këtu vetëm për të vërtetën. Më thoni nëse keni dijeni për këtë?
Imeraj: Ne nuk merremi me deklarata politike.
Tahiri: Keni dijeni se në 2015 unë kam shkruar te prokurori i përgjithshme për përfshirjen e makinës sime për trafik droge dhe kam kërkuar hetim dhe pas paraqitjes sime keni regjistruar ju procedimin penal me nr 1582 për këtë ceshtje që u mbyll në 29 12 2015, keni dijeni? jeni në dijeni është hetuare për këtë ceshtje? Unë po them se kam ardhur vetë të hetoni, e dini këtë?
Hajdarmataj: Flas nga autoriteti i Prokurorisë për Krimet e Rënda...
Tahiri: Deklaratat publike për makinën time, kam kërkuar unë hetim, sapo thatë se ska referim nga policia. S'më duhet çfarë bën Policia. Kam ardhur e kam kërkuar hetim te ju e keni regjistruar procedim me nr. 1582.
Hajdarmataj: Po flasim për hetime të disa personave, ju jeni përfshirë në një skandal politik, në gjithë regjistrat nuk ka material nga Policia e Shtetit, nga drejtoritë përkatëse të policisë për personit konkretë.
Tahiri: Po iu pyes për punën tuaj, dua përgjigje po ose jo. Keni dijeni që Prokuroria ka hetuar me procedim për makinë time nga Habilajt, me kërkesën time ju kam kërkuar të hetoni, po ose jo?
Hajdarmataj: Kemi dy orë e gjysë që rrimë këtu e mund të na shpëtroje ndonjë...
Tahiri: A kam dalë me Artan Habilajn dhe të tjerë? Më sillni provat. Jeni të bindur e kjo konfirmohet nga TIMS apo po hamendësoni mbi datat?
Prokurorët nuk përgjigjen...
Hajdarmataj: Bindje se Tahiri është pjesë e grupit kriminal
"Kemi bindje se Saimir Tahiri është pjesë e grupit kriminal "Habilaj"". Kështu është shprehur kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe njëherazi prokurori i çështjes "Tahiri", Besim Hajdarmataj në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve ku po shqyrtohet kërkersa për heqjen e imunitetit të Tahirit.
Ai ka thënë gjithashtu se procedimi penal është regjistruar vetëm tre ditë më parë, 17.10.2017, pas shkrimeve në mediat italiane. Kjo ka sjellë reagimin e përfaqësuesve të maxhorancës të cilët pretendojnë se Prokuroria nuk ka prova konkrete, por i referohet asaj që kanë shkruar mediat.
Nga ana e tij, Hajdarmataj ka sqaruar se Prokuroria nuk kërkon mandat arresti, por heqjen e imunitetit për Tahirin dhe bërjen e hetimeve. "S’kemi ardhur këtu të kërkojmë mandat arresti për Tahirin, por vetëm heqjen e imunitetit dhe të bëjmë hetime. Arrestimin e vendos Gjykata", tha Hajdarmataj.
[gallery]24337[/gallery]
Mbledhja e Këshillit të Mandateve
Prokurori Besim Hajdarmataj
"S’jemi këtu për një mandat arresti ndaj Tahirit, pasi mendoj se arrestin ndaj një deputeti, atë e jep gjykata. Kërkojmë vetëm heqjen e imunitetit që në cdo moment deputeti mund të jetë i ekszpouar ndaj një masë duke ju drejtuar krimeve të rënda. Kjo është ajo që kisha". Kështu u shpreh prokurori Besim Hajdarmataj në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve ku po diskutohet çështja "Tahiri".
Hajdarmataj: Kemi bindje se Tahiri është pjesë e grupit kriminal "Habilaj"
Prokurori Besim Hajdarmataj ka deklaruar përpara anëtarëve të Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve se ka dyshime mbi përfshirjen e Saimir Tahirit në grupin kriminal "Habilaj". Ai tha se rezultojnë punonjës policie të përfshirë në trafikun e drogës, kryesisht drejtues të Policisë së Vlorës.
Hajdarmataj: "Provuam se në fshatin Babicë ishin të magazinuar një sasi lënde narkotike, e magazinuar dhe e bërë gati për t’u trafikuar në Greqi apo Itali. Kemi filluar kryerjen e veprimeve hetimore. Jemi kufizuar sepse kishim informacione dhe të dhëna se edhe në këtë fazë kishte punonjës policie të përfshirë në këtë aktivitet kryesisht të policisë së Vlorës për të cilët vijon edhe hetimi aktualisht. Aktiviteti i grupit kriminal të vëllezërve Habilaj ka filluar që në vitin 2013. Çështja është regjistruar nga drejtësia italiane. Ne kemi regjistruar procedim për deputetin Tahirin, pasi rezultonte që nga të dhënat e bëra publike, kishte biseda komprometuese në lidhje me të, qoftë për pjesëmarrjen e tij në këtë grup kriminal, por bëhej fjalë për marrje dhe dhënie mit, dhe jemi përpara veprës së korrupsionit. Nga bisedat Habilaj dhe Çelaj krijohet bindja se në këtë aktivitet edhe deputeti Tahiri".
Pyetje-përgjigjet në Mbledhjen e Këshillit të Mandateve:
Ulsi Manja: Cila është baza e procedimit penal? Dhe në cilën datë e keni regjistruar Tahirin në regjistrin e veprave penale?
Hajdarmataj: Është regjistruar me nr.313. Pas publikimit të lajmeve në mediat italiane në datën 17.10.2017. Kemi nisur procedim penal kryesisht. Do të shkëmbejmë të dhëna me drejtësinë italiane.
Manja: I drejtoheni Kuvendit për autorim për arrestimin e Tahirit. Kush ju ka penguar që të zhvilloni hetime proaktive që i filluat nëpërmjet gazetës për të konkluiduar në mbledhjen e provaveve e fakteve?
Hajdarmataj: S'i kemi ndaluar hetimet.
Alibeaj: A mund të largohet Saimir Tahiri nga vendi dhe a ka dyshime që Tahiri të prishë provat?
Hajdarmataj: Kemi dyshime se mund të jemi përpara këtyre rasteve. Mund edhe t'i shmanget hetimit.
Manja: I kërkohet këtij Këshili për arrestin e deputeti Tahiri apo heqja e imunitetit, se duhet të sqarojmë këtë pjesë...
Nëse kërkon heqjen e imunitetit për hetim është vendimmarrje tjetër, nëse kërkoni arrestimin janë dy kërkesa. Për cilën do vendosim, na e qartësoni.
Hajdarmataj: Je korrekt, ne kërkojmë arrestin e Saimir Tahirit dhe kryerjen e kontrolleve të masës që ai ka në dispozicion. Kemi ardhur me një këkresë për autorizim për heqjen e lirisë së deputetit dhe kryerjen e kontrolleve të banesës. E thashë që të mos ngatërrojmë Këshillin me Gjykatën, se s’kemi ardhur për mandatin e arrestit, por na hani rrugë të veprojmë duke respektuar proceduart ligjore që i takojnë prokurorisë dhe gjykatës.
Manja: Keni administruar materiale hetimore nga Italia?
Hajdarmataj: I Jemi drejtuar autoriteteve të drejtësisë italianë në 18.10.2017. Kemi tashmë një pjesë të materialeve ku përfshihet edhe vendimi i arrestit të grupit të personave që është marrë nga drejtësia italiane. I gjithë materiali është i ardhur në rrugë zyrtare.
Alibeaj: Tendenca për të kërkuar ngërçe procedurale, është ndërhyrje e qartë në punët e Prokurorisë. Japim sinjale të gabuara edhe për Reformën në Drejtësi. Këtu po bëhet avokatia e Tahirit. Tahiri ka avokatin e tij që e mbron.
Ruçi-Alibeajt: Jemi në një procedurë, është pala që ka drejtuar kërkesën. I takon Prokurorit të thotë që kjo është në kundërshtim dhe mbyllet.
Alibeaj: Ju doni të bëni avokatin...
Ulsi Manja: A jeni në dijeni të ndryshimeve, ku Prokuroria është organ i pavarur dhe letër-porosia a ka kaluar nëpërmjet ministrisë së Drejtësisë?
Gentian Osmani: Do ju vë në dijeni se mes Shqipërisë dhe Italisë ekziston një marrëveshje për ekstradimin. E kemi njoftuar ministrinë, autoritetet italiane në mënyrë direkte na kanë vënë në dijeni informacione.
Ulsi Manja: Keni kërkuar arrestimin e deputetit, a mendoni ju se një procedim penal i filluar më 17.10.2017 në një opinion gazete dhe lajm portalesh përbën bazën e mjaftueshme për të kërkuar ta coni prapa dyerve të burgut deputetin? A mendoni se në harkun kohor të 48 orëve me një shkrim gazete është baza e mjaftueshme të kërkoni arrestimin e Tahirit.
Elisabeta Imeraj: Pa hyrë në detaje, Prokuroria ka regjistruar procedimin penal për trafikim droge të kryer në bashkëpunim, ku përfshihen disa persona, mes tyre dhe Habilaj. Dalja në media dhe bërja publike e disa informacioneve, ku përfshihet ish-ministri Tahiri na shërbyen si material për të filluar procedimin ndaj Tahirit. Emri i tij u regjistrua si person nën hetim. Ne kemi pasur në hetim disa procedime dhe ju referuam dy hetimeve, atij të 2013 dhe atij të 2017. Në këtë trafik rezultojnë të përfshira strktura të posaçme të Policisë së Shtetit.
Manja: Keni regjistruar emrin e Tahirit në procedim në datën 17.10.2017 pas materialeve në gazeta. Faleminderit. S'kam pyetje të tjera.
Alibeaj: Thatë se kemi filluar një procedim penal dhe që në vitin 2016 ka procedime penale me po të njëjtët aktorë me të njëjtën akuzë kultivim dhe trafikim droge...
Hajdarmataj: Na rezulton se, që nga viti 2013 këta persona kanë një aktivitet të vazhdueshëm kriminal në trafikimin dhe kultivimin e lëndëve narkotike.
Bledi Çuçi: Ju nuk citoni asnjë provë. Pyetja ime është: është e qartë se nuk jemi në kushtet e flagrancës, sepse kemi përacaktim tjetër ligjor. Ju kërkoni nga Parlamenti dhe sigurisht ne jemi si një filtër paraprak, të drejtën për të shkuar në Gjykatë dhe për të kërkuar masën shtrënguese arrest me burg për Tahirin, apo doni menjëherë që pasi parlamenti, pasi ju na bindni me prova, të bëni arrestimin e tij menjëherë?
Hajdarmataj: Kemi kërkuar dhënien e autorizimit për arrestimin, heqjen e lirisë, kontrollin e personit dhe vendeve.
Bledi Çuçi: Ne nuk jemi në kushtet e flagrancës, por në kushtet për një kërkesë shtrënguese të cilën e merr vetëm Gjykata...
Eduard Halimi: Ky gjyqi që po i bëni Prokurorisë nuk po iu nxjerr mirë, nuk e ndihmoni Tahirin dhe po cenoni imazhin e Parlamentit. Zotërinj prokurorë, ka ndonjë ngutje që kërkoni heqjen e imunitetit dhe arrestimin? Ka ndonjë shqetësim tuajin se duhet të vendosim shpejt ne, apo vendosim edhe nesër, pasnesër, pas një jave.
Elisabeta Imeraj: I referohemi 228, 229 të Kodit të Penal. Ushtrojmë ndjekjen epnale dhe nëse kemi dyshime të arsyeshme për kryerjen e veprave, jemi të detyruar të veprojmë.
Eduard Halimi: E doni nesër, apo pas një jave, pas dy jave?
Gramoz Ruçi: S'është detyrë e Prokurorisë, por e Kuvendit.
Gentian Osmani: Kemi bërë kërkesën dhe presim autorizimin për të kaluar në hapat e mëtejshme.
Eduard Halimi: Ka rrezik për provat?
Elisabeta Imeraj: Janë në hetim dhe persona të tjerë, persona të policisë të cilët janë në detyrë. Ekziston edhe rreziku i dëmtimit të provave.
Halimi: Bazuar në marrëveshjen me Italinë për bashkëpunim kundër krimit, a keni ju zyrtarisht kërkesën e procedimit penal për grupin kriminal të Habilajve? Ju ka ardhur juve zyrtarisht kërkesa e gjykatës italiane?
Imeraj: Kemi operuar për ndihmë nga italianët. Me shkresën përkatëse është depozituar në prokurori materiali, që përfshin dhe kërkesën në fjalë.
Halimi: Bazoheni nga dokumenti i italianëve apo në lajmet e shtypit shqiptar?
Osmani: Është regjistruar procedimi në bazë të materialeve italiane.
Halimi: Keni kërkuar vetëm kërkesën për gjykim apo gjithë dosjen voluminoze?
Imeraj: Nuk është kërkuar vetëm ajo që referuat por të gjitha detajet, përgjimet, vëzhgimet, personat e përfshirë dhe cdo detaj tjetër, numra telefoni, të përfshira në veprimtari kriminale dhe që i vlejnë hetimit.
Halimi: Grupi i Habilajve kishte mbështetje nga policë. Ka pasur referim nga policia lidhur me këtë grup? Sipas italianëve ata trafikojnë drogë e armë prej katër vitesh...
Hajdarmataj: Deri në vitin 2016 në regjistrat e prokurorisë nuk ka ardhur ndonjë material, që nga viti 2013. Ne nuk kemi asnjë material të ngarkuar ndaj këtyre personave në këto vite. Në vitin 2017 nga fundi i muajit prill ka ardhur vetëm në material, që fliste për një aktivitet të shtetasve Habilaj.
Halimi: Ju keni pasur zero referime?
Hajdarmataj: Nuk kemi pasur referime, e sqarova.
Vasilika Hysi: Thoni se Tahiri ka përdorur makinën e tij në katër raste dhe se shoqërohej nga të dyshuarit. A keni prova për këtë? Që ka qenë i shoqëruar nga subjektet e tjera? A është hetuar kjo çështje në 2014-ën apo në 2016-ën?
Imeraj: Informacioni që Tahiri ka përdorur mjetin e shitur në 2013-ën te Artan Habilaj, ka qenë në dispozicion të prokurorisë edhe më përpara se ne t’iu drejtoheshin ju me këtë kërkesë. Pra, kjo nuk përbënte vepër penale sipas legjislacionit tonë. Por bisedat që prezantojnë subjektet e dyshuar dhe detajet e marra në këto biseda dhe sekuestrimi i vazhdueshëm i lëndëve narkotike në Itali apo te bashkëpunëtori i Habilajve Armand Koçerri, krijojnë faktin penal dhe dyshimin e arsyeshëm. Hyrje-daljet e Tahirit me mjetin rezulton i pasqyruar në TIMS. Pas shitjes së mjetit të në datën 5.11.2013, të ketë udhëtuar 4 herë të tjera me të njëjtin mjetin. Në momentin e kthimit Artan Habilaj është kthyer me subjektin Saimir Tahiri.
Hysi: Në këto udhëtime thoni se Tahiri ka qenë i shoqëruar me Artan Habilajn, rezulton se nuk është i saktë. Thoni se ka qenë i shoqëruar me Artan Habilaj e të tjerë. Kush janë të tjerët?
Hajdarmataj: Në njërin nga udhëtimet, ndërkohë që Tahiri ndodhej në Greqi, Habilaj udhëton drejt këtij shteti dhe në kthim Tahiri kthehet me automjetin e Habilajt, të cilin ia kishte shitur pikërisht këtij.
Hysi: Thoni se Tahiri ka bërë trafik me Habilajn? Ku janë provat?
Hajdarmataj: Disa janë këtu, ndërsa disa të tjera...
Hysi: Ku i keni provat?
Hajdarmataj: Kemi punonjës policie në përgjim dhe nuk i themi dot këtu. Provat e tjera s'kemi mundësi t'i themi këtu.
Dhurata Çupi: A ka një marrëdhënie të konsoliduar mes Tahirit dhe Habilajt?
Imeri: Ekziston një marrëdhënie e konsoliduar.
Ulsi Manja: Na jepni një provë konkrete që implikon Tahirin...A është Saimir Tahiri në hetim në Itali?
Imeraj: Kemi filluar ndjekjen penale me iniciativë. Veprat penale janë kryer në bashkëpunim dhe provat e njërës ndikojnë te tjerat, është bërë bashkimi i procedimeve. Ne nuk thamë se Prokuroria italiane e ka apo jo në hetim Tahirin. Ne na ka ardhur materiali dhe sipas asaj që kemi parë nuk na rezulton një e dhënë e tillë.
Prokuroria kërkon seancë me dyer të mbyllura, PS dhe PD kundër
Zhvillimet minutë pas minute për imunitetin e Tahirit
Ora 16:20 Shtyhet për nesër në orën 10:00 seanca për imunitetin e Tahirit, PD kundër
Ora 16:20 Përfundon mbledhja me dyer të mbyllura dhe nis e hapur për publikun, pritet vendimi
Ora 15:55 Tahiri dhe avokati nxirren nga mbledhja, shkak ruajtja e sekretit hetimor
Vijon mbledhja me dyer të mbyllura e Këshillit të Mandateve. Saimir Tahiri dhe avokati i tij janë larguar nga mbledhja me argumentin për ruajtjen e sekretit hetimor. Në këto momente Prokurori po paraqet materialet sekrete kundër ish-ministri Tahiri.
Ora 14:45 Rinis mbledhja me dyer të mbyllura
Ora 14:25 Ruçi ndërpret mbledhjen për 10 minuta, do vijojë pa media
Ora 11:30 Hajdarmataj: Kemi emra që nuk duhen bërë publikë. Deputetët të nënshkruajnë deklaratë për mosnxjerrjen e sekretit hetimor
Ora 11:28 Alibeaj: Është e drejtë e publikut të informohet
Ora 11:25 Ruçi: Do veprojmë sipas precedentëve në të kaluarën.
Ora 11:20 Prokuroria: Seanca me dyer të mbyllura, kemi materiale sekrete
Kërkojmë që mbledhja të zhvillohet me dyer të mbyllura. Disponojmë prova dhe materiale sekrete. S’jemi këtu për shou mediatik. Kërkojmë që çdo gjë të zhvillohet në përputhje me rregullat dhe rregulloren e këtij institucioni.
Ora 11:15 Alibeaj: T'i jepet fjala përfaqësuesve të organit të akuzës dhe të akuzuarit
Ora 11: 12 Prokuroria përfaqësohet nga Besim Hajdarmataj, Elisabeta Imeraj dhe Genti Osmani
Ora 11:10 Avokati mbrojtës i Tahirit, Artan Hajdari
Ora 11:05 Nis mbledhja e Këshillit të Mandateve
Ka nisur në Kryesinë e Kuvendit, mbledhja e Këshillit të Mandatit dhe Imuniteteve.
Ora 10:55 Tahiri mbërrin në Kryesinë e Kuvendit: Prisni 5 minuta...
Tahiri është pritur me ovacione nga mbështetësit pranë Kryesisë së Kuvendit. Tahiri ka thënë shkurtimisht për mediat: S'keni durim të prisni 5 minuta.
Ora 10:40 Mbështetës të Tahirit mblidhen te Kryesia e Kuvendit
Ora 10:35 Mbërrin në Kryesinë e Kuvendit Prokurori Besim Hajdarmajtaj
Prokurori i çështjes "Tahiri", Besim Hajdarmataj ka mbërritur në Kryesinë e Kuvendit për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve.
Ora 10:30 Rama mbledh anëtarët e PS të Këshillit të Mandateve
Kryeministri Edi Rama ka thirrur në një mbledhje në Kryeministri deputetët e PS, anëtarë të Këshillit të Mandatave dhe Imuniteteve, përpara mbledhjes ku do të shqyrtohet kërkesa e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të Saimir Tahirit.
Në takim merr pjesë edhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Ora 10:20 Tahiri niset drejt Kryesisë së Kuvendit
Deputeti socialist, Saimir Tahiri, ka dalë nga shtëpia e tij dhe është nisur drejt Kryesisë së Kuvendit. Tahiri do të jetë i pranishëm në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve, i cili do të mblidhet në orën 11:00 për të diskutuar mbi imunitetin e deputetit socialist.
Ora 10:00 Këshilli i Mandateve vendos sot për imunitetin e Tahirit
Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve do vendosë sot për kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit Saimir Tahirit. Ish-ministri i Brendshëm akuzohet nga Prokuroria për trafik droge dhe korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërorë. Prokuroria për Krimet e Rënda i ka kërkuar ditën e djeshme Kuvendit heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri, me qëllim arrestimin e tij për dy akuza, trafik droge dhe korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërorë.
Këshilli i imuniteteve që ka në dorë fatin e Tahirit përbëhet nga 10 anëtarë: Gramoz Ruçi, Vasilika Hysi, Bledar Çuçi, Klotilda Bushka, Ulsi Manja, Eduard Halimi, Nasip Naço, Gent Strazimiri, Enkelejd Alibeaj dhe Dhurata Çupi.