BRUKSEL - Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti është takuar në Bruksel me Komisionerin për zgjerimin e BE, Stefan Fyle. Mësohet se temë kryesore e takimit ka qenë puna e bërë nga qeveria shqiptare për realizimin e 12 prioriteteve që Komisioni Evropian i ka përcaktuar vendit tonë.

Ky takim vjen në ditën kur qeveria shqiptare dorëzoi në Bruksel qëndrimin e saj të fundit mbi përmbushjen e 12 prioriteteve.

Dorëzimi i këtij qëndrimi nga ana e qeverisë shqiptare u bë nga ministri i jashtëm, Edmond Panariti, dhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, në takimin e zhvilluar me drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefano Sannino.

"Që prej nëntorit, kur le të themi një frymë e re nisi të funksionojë në vend, e në të vërtetë kur shohim 12 prioritetet e se çfarë është zbatuar ndër ato 12 prioritete kyçe, balanca është ekstremisht e mirë dhe pozitive. Dhe jo vetëm qeveria, por të gjitha partitë, të gjithë aktorët politikë në vend dhe shoqëria në tërësi mund të gëzohen për çfarë është arritur deri këtu", -tha Sannino.

Pas votimit të disa ligjeve me 3/5, emërimit të Avokatit të Popullit e miratimit të reformës zgjedhore, vendi nuk ka mbyllur ende çështjen e rregullores së parlamentit dhe atë të imuniteteve. Kjo e fundit zuri vendin kryesor edhe në debatin e organizuar nga Qendra e Politikave Evropiane në Bruksel.

Duke u ndalur në dy çështjet që ende nuk kanë gjetur zgjidhje siç është ajo e imuniteteve dhe e rregullores së Kuvendit, ministri ynë i jashtëm, Edmond Panariti është shprehur në takim: "Ka disa alternativa në vend për të shtyrë përpara ligjin për heqjen e imunitetit. Siç e dini, mazhoranca ka propozuar edhe një referendum kombëtar, i cili po ashtu është një mjet demokratik në mënyrë që të vijohet përpara. Pra, unë nuk shoh ndonjë mosmarrëveshje. Ata e shohin në mënyra të ndryshme, por kjo nuk do të thotë se palët nuk janë të angazhuara për të luftuar korrupsionin e për të vendosur masa më të rrepta për të kontrolluar më mirë".

BREGU: NUK KEMI KOHE PER NDRYSHIMET KUSHTETUESE
Ndërsa ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu theksoi se "tani ne nuk kemi më kohë të mjaftueshme t’i hyjmë debatit të ndryshimeve kushtetuese gjatë shtatorit. Heqja e imunitetit është diçka që po e mbajmë si propozim që prej vitit 2003. Ndërsa ndryshimet e tjera kushtetuese që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë mund të diskutohen më vonë".

Komisioni Evropian, prej kohësh ka nisur hartimin e raport-progresit, i cili do të përfshijë edhe shqyrtimin e të dhënave të fundit të dorëzuara sot nga qeveria shqiptare. Raport-Progresi do të publikohet më 12 tetor.

(jd/Gre.M/Shqiptarja.com)