TIRANE - Partia Socialiste përsëriti sot se nuk do të votojë imunitetin jashtë paketës së propozimeve të tjera për ndryshime kushtetuese.

“Edhe për çështjen e imunitetit opozita nuk ka pasur asnjë dilemë. Vota jonë është padiskutim PRO! Për opozitën ky është problem i mbyllur politikisht. E përsëris që mbetet thjesht të votohet sapo të mbyllet procesi për debatin kushtetues lidhur me nismën tonë kushtetuese për të votuar një dhe vetëm një projektligj për ndryshimet kushtetuese”, tha sot në një deklaratë për mediat, deputeti Fatmir Xhafaj.

Ndaj, vijon Xhafaj, - kush dëshiron që t’i japë fund kësaj praktike të shëmtuar kësaj praktike të shitblerjes së gjyqtarëve, kësaj praktike që zgjedh për gjyqtarë individ të paaftë, të korruptuar dhe thjesht e vetëm besnik të klaneve politike të pushtetit le të votoj amendamentin tonë kushtetues”.

Sipas deputetit Xhafaj paketa e PS është me amendamente që “nuk kanë të bëjnë me makijazhin e sistemit, por me thelbin e tij”.

Ndërkaq, Xhafaj u shpreh se nëse problemi qëndron vërtet tek statusi dhe jo te fajësimi i opozitës, atëherë, vijoi ai - “le t’i përgjigjen kërkesave të BE që në 12 prioritetet e përcaktuara dhe në disa deklarata publike të saj i ka kërkuar qeverisë qartazi rezultate konkrete në disa fusha jetike”.

“Vota ndaj amendamenteve tona është votë për shtetin e së drejtës, është për votë për barazinë reale para ligjit, është votë për t’i dhënë vendit gjyqtarë me integritet që ju mundësojnë qytetarëve të këtij vendit drejtësinë e kërkuar dhe jo gjyqtarë e prokurorë që drejtësinë për qytetarin e këmbejnë me shërbimin ndaj pushtetarit, ndaj më të fortit dhe atyre që paguajnë më shumë”, përfundon deklaratën Fatmir Xhafaj.

(Gre.M/Shqiptarja.com)