-Përkujtohet 35 vjetori i vdekjes së imzot Ernest Çobës-
TIRANE, 8 Janar/ATSH/- Si sot, më 8 janar 1980, vdiq në burg dëshmitari i fesë së krishterë, kryeipeshkvi Shkodrës, imzot Ernest Çoba, pasi, megjithëse me natyrën e butë që kishte, e dëshmoi me heroizëm të pashoq Jezu Krishtin, duke pësuar për këtë arsye tortura mizore, që ia shkurtuan edhe jetën tokësore. U bë kështu model për të krishterët e grigjës shpirtërore që i qe besuar nga Kisha.
Kryeipeshkvi imzot Ernest Çoba, lindi më 16 shkurt 1912 në një familje të vjetër qytetare shkodrane. Mësimet e para e ato të mesme i kreu në Seminarin Papnor në Shkodër. U shugurua meshtar më 9 shkurt 1936. Si prift kreu detyra të ndryshme pranë seminarit papnor, ku ishte përgatitur. Shërbeu edhe si mësues i besimit ndër shkollat e qytetit.
Pas vdekjes së kryeipeshkvit imzot Thaçit dhe arrestimit të dom Mikel Koliqit, dom Ernes Çoba kreu njëherësh detyrën e zëvendës-famullitarit e të famullitarit Katedrales së Shkodrës. Ishte një nga ipeshkvijtë që u shugurua në kohën më kritike për Kishën katolike në Shqipëri, kur nga regjimi komunist bëheshin përpjekjet për ta shkëputur nga Selia e Shenjtë e Vatikanit. I vetmi ipeshkëv katolikë shqiptar që ishte ende gjallë e jo në pranga, imzot Bernardin Shllaku, e shuguroi imzot Ernestin, së bashku me ipeshkvin e Durrësit, imzot Pjetër Demën më 20 prill të vitit 1952. Vishte paramentet liturgjike ( veshjet liturgjike për kremtime të ndryshme të sakramenteve) me ngjyrë të kuqe, në kohën kur kjo ngjyrë, së bashku me gjakun e Shpëtimtarit të njerëzimit, Jezu Krishtit, simbolizonte edhe gjakun e sivëllezërve të tij, që derdhej pa kursim ndër zaje të shkreta. Imzot Ernes Çoba merrte në duar një mision, që i ngjiste shumë misionit të ipeshkvijve të parë të krishterimit, të cilët shumë shpesh e bënë më të theksuar të kuqen e petkut të tyre, duke e ngjyrosur me gjakun e derdhur amfiteatrove për t'i qëndruar besnikë Krishtit, Ungjillit dhe Zëvendësit të tij mbi tokë, Papës së Romës.
Pak kohë pas shugurimit të tij, imzot Shllaku vdiq. Dioqeza e Shkodrës, që mbas shkëputjes nga dioqeza e Tivarit, kishte pasur shumë ipeshkvij të mëdhenj si imzotët Karl Pooten, Pashko Guerinin, Jak Serreqin, Lazër Mjedën e Gaspër Thaçin, mbeti ndër duart e ipeshkvit të butë, të ëmbël, simbol i gjallë i dashurisë së krishterë, në udhëheqje të imzot Ernest Çobës.
Ja si e përshkruan figurën e tij ipeshkvi ndihmës i Shkodrës, imzot Zef Simoni në librin e tij "Portrete klerikësh katolikë": Imzot Ernes Çoba " Kishte trup të shkurtë, sy të shkathët, gjysmë të mshehun mbas syzeve të errta kur shërbente në kishë apo në zyrë. Kishte cilësi të mira: ishte i përvujtë, kryeulun, i qetë, i matun, i palodhun në shërbime, deri ndër ato që nuk i përkitshin si ipeshkëv. Monsinjori do të gjindej çdo ditë, mbasi kremtonte Meshën e orës 6, mbi krye të sëmurëve të qytetit, ndër koliba, tue çue sakramendet shenjte, ndërmjet fëmijëve në orë katekizmi masiv, kur Kisha e madhe gumëzhinte nga zanet fëminore. Kjo bani të fitonte popullaritet të madh e simpati, sidomos ndërmjet të vorfënve.
Qe drejtues i shoqnisë së Kryqtarëve të vegjël pranë etërve jezuitë, njohës i tri gjuhëve të huaja, specialist i teologjisë morale dhe i lëndëve të besimit, e jo ma pak, meshtar praktik në punët e fesë e të liturgjisë.
Nuk mujti të merrte pjesë në vitin 1962 në Koncilin II të Vatikanit por, me largpamësinë e tij, bani të depërtojë fryma e Koncilit kishtar në gjithë jetën e Kishës. Pati guximin të mblidhte një grup dëshirtarësh për rrugën e meshtarisë dhe të shuguronte shatë prej tyne, ashtu si dhe guximin të mbante lidhje të ngushta me Selinë e Shenjtë, duke shfrytëzue të gjitha mjetet dhe rrugët e mundëshme".
Në prag të mbylljes së Kishave në Shqipëri nga regjimi komunist, në një të diele të hidhur, në sa ishte thirrur që të akuzohej, u kthye në akuzues, duke mbajtur një fjalim të zjarrtë, që i ngjiste predkut, për të mbrojtur Zotin e sulmuar, Kishat e tempujt fetar në prag të rrënimit të madh.
Megjithatë, jo shumë kohë më vonë dyert e Kishave do të mbylleshin. Atëherë imzot Ernest Çoba u detyrua të kthehej pranë familjes. Prej derës atërore doli me pranga ndër duar. Ishte viti 1976. Gjyqi komunist e dënoi me 25 vjet burgim, si të ishte më i madhi kriminel. Akuzohej se kishte mbajtur lidhje me Selinë e Shenjtë me anën e legatës italiane.
Vuajti me durim të pashoq, me shqetësimin e vetëm që t'i ngjante sa më shumë Krishtit në Kalvar, derisa vdiq në spitalin e burgut në Tiranës më 8 janar 1980. Ishte një vdekje misterioze, - siç dëshmon në librin e lartpërmendur imzot Simoni.
Mbyllte sytë pas një injeksioni që iu bë në ditët e para të janarit 1980, pak ditë para përkujtimit të Shën Ernestit. Për figurën e tij është shkruar disa herë, por meriton të bëhen përpjekje serioze për të mbledhur dëshmitë mbi qëndrimin heroik dhe fundin e jetës së këtij kryeipeshkvi të jashtëzakonshëm, që jetoi e vdiq për Fe e Atdhe! /a.g/