Imzot Nikollë Kaçorri, 98 vjet nga ikja e
atdhetarit dhe arkitektit të Pavarësisë

Imzot Nikollë Kaçorri, 98 vjet nga ikja e<br />atdhetarit dhe arkitektit të Pavarësisë
Në rastin e  98 vjetorit  të vdekjes së kolosit atdhetar Imzot Nikollë Kaçorrit, arkitektit të pavarësisë së Shqipërisë dhe të krijimit të shtetit shqiptar, dëshiroj me këtë shkrim ti  bëj atij një homazh, për kontributet e tij të pamohueshme që ka dhënë për të mirën e kombit shqiptar.

Ndër shkrimet e tjera që kam bërë për Imzot Kaçorrin, kam sjellë dokumente dhe informacione të panjohura mbi ngjarjet e komplotet e autoriteteve turke për arrestimin e tij, pasi i shqetësonte aktiviteti i tij atdhetar në favor të organizimit të popullit në kryengritje për liri e pavarsi.

Në këtë shkrim, në kujtim të Imzot Kaçorrit, dëshiroj të sjell disa dokumente të panjohur, të  cilët janë pjesë e dosjes PAVARSIA që gjindet në arkivën shtetërore të Vjenës. Informacione dhe telegrame të konsullatave austriake të Durrësit, Vlorës e Shkodrës që lidhen me situatën politike para dhe pas shpalljes së pavarësisë. Dokumente mbi krijimin e senatit të parë shqiptar, listat emrore të senatorve si dhe një përshkrim të shkurtër biografik për cdo njërin prej tyre. 

Është për tu shënuar fakti që kjo dosje është parë me dhjetra herë nga studiues apo historian të ndryshëm shqiptar nga të gjitha trevat tona, por dokumentet ku shkruhej për Imzot Kaçorrin kanë qenë „jashtë interesit“ të tyre (e për rrjedhojë të pabotuara), sikurse kanë qenë “jashtë interesit” per 94 vjet edhe varri dhe eshtrat e tij. Sic duket, kjo nga një ndikim i fortë komunist dhe antikristian i diktaturës, pasi Imzot Kaçorri shihej si prift katolik dhe ishte i padëshirueshëm për regjimin e Tiranës.

Sipas përjetimeve që pata personalisht më pas, në ditët e pluralizmit (gabimisht besova se erdh demokracia), sjellja ndaj këtij kolosi të lirisë dhe shqiptarisë ishte e njëjtë. Interesimi nga shteti postkomunist për këtë figurë vazhdonte të ishte i pakët. Qëndrimi i qeverisë dhe diplomacisë shqiptare në rastin e sjelljes së eshtrave, ishte i turpshëm dhe mospërfillës.

Më parë nuk kisha dashur ta besoj, por shpesh më sillej në kokë pyetja...: ...përse në monumentin e pavarësisë në Vlorë nuk ishte Imzot Kaçorri, por edhe Luigj Gurakuqi, që të dy përfaqësues të bashkësisë katolike??? Dhe një përgjigje e mora ditën e riatdhesimit të eshtrave të Imzot Kaçorrit në Shqipëri, ku përveç popullit të thjeshtë pa dallim feje apo ideje, në Rinas nuk priste asnjë autoritet nga politika apo administrata e shtetit, megjithëse i kisha informuar.

Shumë personalitete të huaja dhe shqiptare janë shprehur për ndihmesën, kulturën, karakterin dhe atdhetarizmën e Imzot Kaçorrit. Ndër personat që pat kontakte të shumta e që e njohu nga afër atë, ishte dhe Mustafa Merlika Kruja. Në numrin 9 të revistës Hylli i Dritës të vjetit 1938, në shkrimin: ... “Shqiptari” i 1912-tës. Shqiptarizma në qarkun e Durrësit”.. -, autori Shpend Bardhi (pseudonim i Mustafa Merlika Krujës) mbasi përshkruen realitetin e situatës të ndezur në Durrës, i dedikon Imzot Nikollë Kaçorrit këto fjalë:....Mu në ballë të shqiptarve të Durrësit, zjarrm e flakë për idealin kombëtar, shohim Dom Nikollë Kaçorrin.

Përfaqësonte atje (në Durrës) kryepeshkopin e kryedioqezit të Durrësit, qi e kishte qendrën e vet në Delblinishtin e Kurbinit. D. Nikolli ishte prej origjine malsorë; prej Lurës pitoreske atje nalt ndërmjet Matës, Dibrës e Mirditës. Kishte lemë në nji familje muslimane, mandej rritun e mësuem në seminarin e Shkodrës. Shkonte e i shihte shpesh të vetët, e i donte shumë. Edhe ata e dojshin. Vllazni e dame ndër muslimane e katolike s´asht e vetmja në Lure ajo e Kaçorrëve.

E ky ndryshim feje s´e cenon aspak dashunin ndërmjet fiseve të nji vllaznije. Këtë dashuni ndërmjet muslimanve e të krishtenve, D. Nikolli, prej familjes e kishte shtrime për  vehte në të  gjithë popullin shqiptar. E adhuronte kombin e vet, e i donte të gjithë shqiptarët, të njohun e të panjohun. Gjithashtu s´kishte njeri që t´a kishte njohun e mos t´a donte D. Nikollë Kaçorrin, natyrisht vec anmiqve të shqiptarizmës. Qela e tij në Durrës ishte nji klub, qendra e atyne pak shqiptarve që numëroheshin n´atë qytet dhe vend vizitash, për të gjithë tjerët qi u takonte m´u pershkue andej, ishte nji votër kombëtare rreth së cilës cdo zemër shqiptari mbushej me afsh atdhetarie e mund të shfrente lirisht.

Kurse në numrin 11 të po kësaj reviste të njohur, të nëntorit 1938-të, në faqen 610, autori i këtij shkrimi Shpend Bardha i cuditur dhe i indinjuar njëkohësisht vijon: .....
N´u zgjata pak veçantë përmbi kët´idealist të madh, e bana vec pse deri sod s´më ka ramë me këndue kund nonji rresht qi t´a përmendë sado për zgrip emnin e tij, me gjithë qi ka qenë, përkrah Ismail Kemal Vlorës, edhe ndënkryetar i denjë i së parës qeveri shqiptare, i zgjedhun prej nj´atij Kuvendi Kombëtar qi shpalli pavarsinë e Atdheut e qi mund të krahasohet, për randsin e tij historike, vetëm me Kuvendin e Lezhës të kryesuem prej Fatosit të Kombit këtu e gati nja pesë shekuj përpara......

Duke parë rolin që luajti Imzot Kaçorri në organizimin e lëvizjeve të armatosura në malsitë e Krujës e Kurbinit, që detyruan Stambollin të pranojë realitetin e ri shqiptar, mund të thuhet me siguri, që kontributi i Ismail Qemalit në diplomaci dhe i Imzot Kaçorrit në organizimin e kryengritjeve antiosmane, sollën pavarsinë e Shqipërisë, të shumëpritur në shekuj. Mbasi njihte mirë  punën e Imzot Kaçorrit për pavarësimin e vendit, përfaqësuesi i Gjirokastrës në asamblenë kombëtare, Veli Efendia, e propozoj atë të jetë zëvendësi dhe krahu i djathtë i Kryeministrit të parë shqiptar Ismail Qemalit.

Ditët e sotme nga shteti po bëhen përpjekje, shumë të debatuara nga masat e gjëra të popullit, familjarët, shtypi dhe historianët, për rivarrosjen e eshtrave të Isa Boletinit pranë Ismail Qemalit në Vlorë, por nuk kam dëgjuar (ndoshta është përsëri jashtë interesit të shtetit) të njëjtën gjë për heronjtë e kombit Imzot Nikollë Kaçorrin e Luigj Gurakuqin.

Uroj dhe shpresoj që vendi ku gjendet varri i Imzot Kaçorrit në Durrës, të jetë po ashtu (si në Vlorë) një vend pelegrinazhesh për të gjithë rininë dhe çdo shqiptar patriot, në shenjë respekti dhe falenderimi për sakrificën e vetëmohimin e tij, për një Shqipëri të pavarur, të lirë nga errësira qindra vjeçare e pushtimit, Shqipërinë që gëzojmë ne sot. Shpresoj që shteti e politika, do të kujtohen që të bëjnë një ndalesë në Durrës, për të vendosur një kurorë nderimi mbi varrin e atdhetarit Nikollë Kaçorri!

Po ashtu uroj dhe shpresoj që do të rindërtohet nga shteti, shtëpia e shembur e liberatorit Luigj Gurakuqi në Shkodër, që shteti të marrë në mbrojtje edhe reliket e tija (teshat e gjakosura e të shpuara nga plumbat) që po shkatërrohen të mbyllura në terrin, pluhurin dhe mykun e muzeut të Shkodrës.

Bashkangjitur me këtë shkrim, për herë të parë po botoj nje fotografi të arkitektit të pavarësisë Imzot Nikollë Kaçorrit, i cili është fotografuar nga miqtë e tij, pjesëtarët e familjes Marubi, fotografi që sot është pjesë e fototekës Marubi në Shkodër.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 31 Maj 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në Himarë, dorëzohen 21 kuti votimi në KZAZ e numërimit!! Kanë mbetur edhe 15 të tjera

Zgjedhjet në Himarë, dorëzohen 21 kuti votimi në KZAZ e numërimit!! Kanë mbetur edhe 15 të tjera