Deputetja Demokrate Ina Zhupa, ishte në Durrës për të denoncuar prishjen e disa banesave me vlerë historike. Ajo tha se interesa klienteliste në këtë qytet po shkatërrojnë trashëgiminë kulturore.
Zhupa bën thirrje për ruajtje të identitetit të banesave historike dhe identiteti i qytetit bregdetar të Durrësit.
Deklarata e deputetes së PD, Ina Zhupa:
Ndodhem në qytetin e Durrësit, kam ardhur këtu për të denoncuar projektin e famshëm “TID” për rijetëzimin dhe rikualifikimin urban të disa zonave të Durrësit. Në fakt është thjeshtë një projekt korruptiv dhe klientelist që nuk ka rëndësi për të mbrojtur trashëgiminë apo historinë e Durrësit por për të krijuar hapësira të reja për interesa klienteliste. Këtu jemi në një rast tipik në cilin mund të gjykojnë vetë qytetarët që do ta ndjekin. Kjo është një shtëpi e cila është e kualifikuar nga projekti TID për tu shëmbur. Para këtu ka qenë një tabelë e cila tregonte se ky mur është një mur otoman i vitit 1500 dhe duhet të mbrohej nga shteti dhe jo të shkatërrohej nga shteti.
Ndërkohë është parashikuar se do të shëmbet dhe vetëm 5 hapa larg ngjitur po ndërtohet një pallat i ri në një zonë e cila ishte lulishte. Ky pallat po ndërtohet me beton, me pilota në një zonë arkeologjike dhe shumë pranë shkollës së muzikës “Jani Kukuzeli”. Pse ndodh kjo gjë në Durrës?! Sepse ky projekt i cili është mbushur me pika të kuqe për shtëpi që duhet ti prishen durrsakëve të vjeter, atyre që janë banorët lokal të Durrësit, që kanë historinë dhe trashëgiminë e Durrësit edhe në përjetimet dhe kujtesen e tyre, ka vetëm një qëllim, ka si qëllim të krijoj hapësira të reja publike për qëllime klienteliste.
Pse duhet të prishet një shtëpi e vjetër që nga 1500-ta ku zotëria këtu është pronar për t’u ndërtuar një pallat i ri në një vend të një lulishtje ngjitur?! Nuk ka asnjë arsyetim! Ky projekt i gjithi nuk ka asnjë arsyetim! Dhe ndaj do të kundërshtohet nga ne në gjitha format, në gjitha instancat, në gjyqe, në Parlament dhe kudo. Sepse Durrësi do të duhet të ruhet për trashëgiminë e vet për historinë edhe për rrëfimet e banorëve lokal dhe të mbrohet ajo që është identitet i këtij qyteti dhe jo ndërtimet e reja për qëllime klienteliste.
Ndërtimet të cilave deputetja Zhupa i referohet janë pjesë e projektit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, AADF, në kuadër të Transformimit të Integruar të Durrësit, TID, projekt ky që ka ngjallur pakënaqësi tek banorët e zonës.
Ka pasur gjithashtu dhe protesta nga banorët e zonës, përkatësisht nga 74 familje që preken drejtpërdrejt nga ky projekt. Banorët thonë se projekti është miratuar pa asnjë konsultim publik dhe pa marrë mendimin e tyre, ndonëse preken në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ata kërkojnë dëmshpërblim të drejtë dhe në përputhje me çmimet e tregut.
Ndërkohë, lidhur me këtë çështje Ina Zhupa ka kërkuar edhe interpelancë në Kuvend me Ministrin e Kulturës, Turizmit dhe Sportit Blendi Gonxhja.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)
Komente











