Inatçorë... deri në vdekje

Inatçorë... deri në vdekje
Kronika e zezë është bezdisëse për të gjithë. Dihet, lajmet e këqija nuk na e bëjnë të bukur ditën, dhe çmenduritë që sjellin vrasje të moshuarish apo të rinjsh bëjnë të kthesh kokën nga ana tjetër. Në shumicën e rasteve arsyet janë gjithnjë të njëjtat: "për motive të dobëta".

Po sa të dobëta janë vërtetë motivet që sjellin tragjedi? Vetëm po të shohim dy konfliktet më të fundit: Në Elbasan familja Çapja e familja Mema dhe në Fier, familja Suli e Sulo, gjithçka ka nisur nga një gjë e vogël në dukje: fjalë të thëna keq në një debat, ose një rrugicë e bllokuar për arsye biznesi. Pas përplasjes së parë, në të dyja rastet, si të ishte një kërpudhë që rritet e rritet pas shiut e bëhet gjigande, merr jetë dhe zhvillohet INATI. Vrasjet në të dy konfliktet njihen nga të gjithë... Dhe për të rritur e ushqyer inatin, ta pranojmë, ne shqiptarët kemi veti të veçanta që nuk e di nga vijnë.

Kam parë të mbajnë inat të gjatë familjarë që kanë krijuar situata të padurueshme brenda në familje. Po si jetohet në një shtëpi, ku inati mes familjarëve rritet si ajo kërpudha gjigande?
Kam parë të mbajnë inat miq e mikesha, të cilat, janë mjaftuar nga "shpikjet" fantazioze të dikujt që sajon mirë thashetheme dhe, pa pasur dëshirën për t'u sqaruar, kanë rritur gjithashtu "kërpudhën gjigande të inatit" pa asnjë kuptim e vërtetësi.

Kam parë të mbajnë inat prindër me fëmijët, edhe të vegjël, pa marrë mundimin t'u tregojnë me shembuj personalë që në shtëpi nuk bërtitet, nuk urdhërohen të tjerët, nuk përplasen grushtat mbi tavolina e respektohet bashkëjetesa për të krijuar harmoninë magjike.

Të gjithë e dimë, aty ku lind e ushqehet "kërpudha gjigande e inatit" nuk ka vend për ndjenja të tjera, ndaj në botën e civilizuar, përmes artit, bukurisë, ligjit, mirëqënies, meditimit, adhurimit të natyrës, punës e harmonisë, mbushen haspsirat e shpirtit, pikërisht për të mos i lënë vend kësaj, "kërpudhës gjigande të inatit".

Ndonjë i huaj, që ka pasur rastin të na vëzhgojë në këto vite tranzicioni, është shprehur se koha e diktaturës ka lënë gjurmë të forta mes shqiptarëve: "Nëse dikur ne nuk mendonim asfare për gjëra të rëndësishme (pasi shteti diktatorial mendonte e vendoste për ne), duket sikur sot, kur seicili ka "frenat" e tij në dorë, nuk i kontrollon mirë.
A ka ndonjë mënyrë të qëndrojë sa më e vogël, e vogël fare, kjo kërpudha gjigande e inatit? Mendoj se puna dhe bukuria e artit, muzika, mund të ndihmojnë... e të na zbukurojnë, duke mos lënë vend për kërpudhën gjigande të inatit.   

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë