Inceneratorët,Tabaku:Abuzime
Gjiknuri: Projektet të Berishës

Inceneratorët,Tabaku:Abuzime<br />Gjiknuri: Projektet të Berishës<br /><br>
Ka nisur seanca plenare në Kuvend, ku edhe këtë të enjte priten debate e përplasje mes palëve politike. Seanca ka nisur me interpelancë me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri, kërkuar nga PD për inceneratorët në ELbasan, Fier dhe Tiranë.

Fjalën e para e mori Jorida Tabaku e cila denoncoi mungesën e plotë të transparencës për dhënien e këtyre koncesioneve. Ajo dha njëkohësisht shifra për një nga firmat që ka marrë të drejtën e ngritjes së 3 inceneratorëve, e cila pa asnjë kapital dhe asnjë investim dhe ende pa kryer asnjë ditë punë ka marrë nga buxheti i shtetit, plot 15 milion euro. 

Në reagimin e tij, ministri Gjiknuri theksoi se theksoi se idetë që nisi PD kur ishte në pushtet, po i vazhdon qeveria e majtë sot. “Djegia e mbetjeve, alternativa me e mire. Incenerimi është një formë më moderne për mbetjet dhe përdoret si praktikë në vendet e zhvilluara. Është një nga varrezat më të pastra, dhe është teknologji e pranueshme. Strategjia e mbetjeve 2011 parashikon që baza e kësaj strategjia do të jetë mbledhja e mbetjeve. Landfillet janë formë primitive e trajtimit të mbetjeve”, tha Gjiknuri.

Gjiknuri: Ngrini një panel parlamentar me ekspertët më të mirë dhe shkoni e shikoni si funksionon ky impiant. 

Tabaku: Prej tre muaj i kërkoj qeverisë dhe ministrave dosjen ndërkohë që vetëm dy ditë më parë më kanë vënë në dispozicion procedurën për koncesionin vetëm për incineratorin e Fierit, asgjë për Elbasanin dhe asgjë për Tiranën. Pse e gjithë kjo skemë mafiozë u zbatua në funksion të dhurimit të një koncesioni një personi të vetëm në të tre qytetet. Aq i rëndësishëm ishte ky koncesion për qeverisë saqë vendosi vendosi të përshpejtojë 9 procedura në një ditë të vetme. Në 16 dhjetor të 2014 kompania u shpall fituese, afatet ligjore të ankimimit janë 7 ditë, pavarësisht kësaj brenda ditës u mbyllën ankesat po në 16 dhjetor, kjo pasi autoriteti kontraktor e dinte që nuk do të kishte ankesë sepse nuk kishte asnjë operator tjetër sepse gara u bë e fshehtë dhe e mbyllur.

U dërgua drafti për mendim në të gjithë ministritë brenda datës 16 dhjetorm erdhi përgjigjja po në datën 16 dhjetor, hartohet po në datën 16 dhjetor kontrata me 40 faqe mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë, negociohet kontrata po në datën 16 dhjetor, firmoset kontrata po në 16 dhjetor dhe në 17 dhjetor në mbledhjen e qeverisë i jepet fituesit Klodian Zotot, eficencë të tillë qeveritare nuk kemi parë.

Gjiknuri: Transparenca ka qenë e plotë. Nuk ka munguar transparenca për të vënë në dispozicion çdo kontratë publike. Çështja e mbetjeve është një nga sfidat që ka jo vetëm Shqipëria, por edhe Bota. Pra mbetjet është një nga sfidat bazë dhe menaxhimin i mbetjeve urbane është edhe përgjegjësi e autoriteteve lokale, por vendorët nuk i kanë kapacitetet kështu që roli i qeverisë është i pandashëm. Nisur nga roli i qeverisë iniciativa e PPP mbetet e vetmja formë që është e provuar jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën e zhvilluar, mbetet e vetmja zgjidhja.

Pse u zgjidh alterantiva e djegies dhe e mbetjeve me prodhimin e energjisë? Pretendimi se qeveria nuk respektoi hierarkinë e trajtimit të mbetjeve, u bë si një nga mënyrat me efiçente, e cila në një periudhë afatshkurtër i jep zgjidhje problematikës së mbetjeve duke dhënë një alternativë efikase për trajtimin e tyre.

Kompania më e madhe gjermane kërkoi edhe ajo të kishte interes për incinerimin e pjesës tjetër të mbetjeve duke më thënë: Incenerimi është forma më moderne dhe që sjell edhe një produkt dytësor që sjell energjinë elektrike. Ne po punojmë me këtë kompani që të krijojmë edhe një mundësi tjetër aty ku ka fizibilitet që Shqipëria të shkojë drejt këtij trendi ndërkombëtar. 

Ahmetaj: Nuk kam qenë në një automjet me Klodian Zoton
Gjatë interpelancës për inceneratorët në Elbasan, Fier dhe Tiranë, ka folur edhe ministri i Financave e Ekonomisë, Arben Ahmetaj.  Ndërsa PD pretendon se mënyra se si janë zhvilluar proceset e tenderimit dhe dhënies së koncesioneve si dhe lidhjet e kompanive fituese, ngrenë hije të mëdha dyshimi për ligjshmërinë dhe menaxhimin e tyre dhe lidhjen me politikën e qeverinë, ministri Ahmetaj u ndal të sqaronte si inceneratorët s’ishin asgjë tjetër veçse ato që opozita kishte kërkuar në të kalurën.

“Incenerimin e mbetjeve e deshët? Shuëm bukur. Ja, pra u bë ëndrra realitet. Deshët të prodhohej energji po ua bëjmë realitet. Ministrin që e ka iniciuar projektin për të zhdukur landfillet e keni në koalicion. Lefter Kokën e keni në koalicion”- tha Ahmetaj. Më tej, ai u ndal të sqarojë edhe njëherë akuzat e ngritura nga lideri i Partisë Demokratike Lulzim Basha se ka qënë në makinë me biznesmenin Klodian Zoto ditën kur u aksidentua në Maqedoni.

“Nuk e kam mik, s’kam qënë në të njëjtën makinë. Nuk ju vjen turp? Vazhdoni merreni ende me këto, se gjoja pas Klodjan Zotës qëndron Ahmetaj. Unë të gjithë biznesmenët i njoh, miq i kam se kanë halle, këtë punë kemi. Ju thoni t’i shpalllim armiq e t’i gjuajmë nga kulla? Pse janë dy botë këtu kush kalon nga biznesi t’i biem. Nuk e kam mik, po edhe po ta kisha do isha i nderuar…

Kërkesa e PD për interpelancën:
Politika e ndjekur nga qeveria e Shqipërisë në lidhje me koncesionet ka qenë e mbuluar vitet e fundit me hije dyshimi të lidhjeve personale mes anëtarëve të qeverisë dhe bizneseve përfituese. Aq të forta kanë qenë këto lidhje, sa që jo rrallë herë edhe e mira publike dhe shëndeti i shqiptarëve është vendosur, e vazhdon të vendoset, në rrezik prej këtyre koncesioneve. Muajt e fundit, Partia Demokratike, mediat dhe pjesëtarë të shoqërisë civile kanë bërë publike një sërë dokumentesh që ngrenë hije dyshimi mbi koncesionet e dhëna nga qeveria për inceneratorin e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës. Mënyra se si janë zhvilluar proceset e tenderimit dhe dhënies së koncesioneve si dhe lidhjet e kompanive fituese, ngrenë hije të mëdha dyshimi për ligjshmërinë dhe menaxhimin e tyre dhe lidhjen me politikën e qeverinë.

Përpara disa javësh kryetari i opozitës si dhe deputetë të tjerë kanë denoncuar këto veprime arbitrare që janë tërësisht të paligjshme dhe që ndikojnë në shëndetin e qytetarëve, por edhe në buxhetin e shtetit. Konkretisht, rezulton se një individ i vetëm i ndërlidhur me disa kompani në mënyrë të tërthortë apo të dukshme ka qenë përfituesi i vetëm i tre inceneratorëve. Gjithashtu, vërehet se praktika e ndjekur nga qeveria për dhënien e koncesionit në fjalë është abuzive, pasi është kompania e krijuar pak ditë përpara fitimit të këtij koncesioni që ka paraqitur një propozim të pakërkuar, dhe kompania nuk ka asnjë kontratë të ngjashme në këtë sektor. Duke ngritur kësisoj hije dyshimi mbi mënyrën e dhënies së tij.

Sakaq, njëra prej kompanive që ka fituar koncesionin e inceneratorëve është e regjistruar në Parajsat Fiskale të Vendeve të Ulëta (Holandës) duke shtuar edhe më dyshimin për një aferë korruptive që do të ketë pasoja të rënda jo veç në financat e buxhetit të shtetit, por edhe në shëndetin e shqiptarëve. Sot, kompania që ka fituar në mënyrë të dyshimtë koncesionin e inceneratorëve ka përfituar nga buxheti i shtetit 5.2 milionë euro për impiantin e mbetjeve në Fier, ndonëse ky i fundit nuk ka nisur akoma punën e banorët janë në protestë. Gjithashtu nga të dhënat e kontratës të bëra publike rezulton se qeveria do të detyrojë OSHEE që të blejë me një çmim të përcaktuar energjinë nga ky ent. Rrjedhimisht, shoqëria koncesionare do të përfitojë edhe nga shitja e energjisë elektrike, përpos përfitimeve të tjera, duke rënduar eventualisht edhe me rritjen e çmimit të energjisë për publikun.

Rreth këtij skandali të përmasave të paimagjinueshme nuk ka pasur asnjë reagim në përputhje me detyrimet që i burojnë nga ligji nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Gjithashtu na duhet të vëmë në dukje se ministria nuk i është përgjigjur shkresave të drejtuara nga deputetët e opozitës duke e thelluar edhe më skandalin.

Deputetët e opozitës parlamentare janë thellësisht të shqetësuar për këtë fakt dhe për heshtjen e pashpjegueshme dhe të paargumentuar të autoriteteve përgjegjëse. Në vlerësimin tonë, është detyrë e Kryeministrit dhe Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit së një vendi kandidat për në Bashkimin Europian, që të analizojë me përgjegjshmëri këto fakte tronditëse, si dhe të mbajë qëndrim publik dhe mbi të gjitha të bëjë transparente për kuvendin dhe publikun kushtet në të cilat janë zhvilluar procedurat dhe si janë lidhur e termat e kontrateve.

Në këto kushte, në përputhje me nenin 97 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, ku parashikohet se: “Një Kryetar grupi parlamentar ose 7 deputetë mund të kërkojë zhvillimin e një interpelance për çështje urgjente”, me qëllim marrjen e një informacioni të plotë mbi skandalin e procedurave të koncesionit të inceneratorëve, që kapin vlerën e miliona eurove dhe rrezikojnë shëndetin e shqiptarëve.

KËRKOJMË:

Zhvillimin e një interpelance urgjente me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë z. Damian Gjiknuri, për të raportuar në lidhje me informacionet zyrtare të koncesioneve të inceneratorëve Elbasan, Fier dhe Tiranë.

Kjo kërkesë e opozitës parlamentare, bazohet edhe në nenin 7 të Kushtetutës, ku sanksionohet parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Nën dritën e këtij parimi, merr përparësi funksioni i kontrollit parlamentar, i cili nënkupton të drejtën e pushtetit legjislativ për t’u informuar dhe për të realizuar mbikëqyrjen për zbatimin e ligjeve nga organet e pushtetit publik, brenda kufijve të përcaktuar nga Kushtetuta, me qëllim marrjen e masave të domosdoshme për parandalimin e paligjshmërisë si dhe nxjerrjen e përgjegjësive, sipas rasteve konkrete.

Të gjitha çështjet që përmbajnë në vetvete një interes publik përfshihen brenda funksionit të kontrollit parlamentar. Në këtë rast, ligjshmëria në veprimtarinë e dhënies me koncesion nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke përdorur paratë e buxhetit jo për qëllime kriminale, por në dobi të qytetarëve shqiptarë, është një nga detyrat themelore të organeve publike të shtetit shqiptar. Për këtë arsye, deputetët kërkues e vlerësojnë të nevojshme zhvillimin e një interpelance urgjente me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Duke qenë se kjo çështje përbën shqetësim madhor dhe një çështje me natyrë urgjente për opozitën parlamentare, si dhe në kushtet e një mungese tërësore të reagimit, veprimit apo sqarimit të rrethanave nga Ministri Infrastrukturës dhe Energjisë, në mbështetje të paragrafit 2 të nenit 97 të Rregullores së Kuvendit, ku parashikohet se: “Interpelanca për çështje urgjente, si rregull, depozitohet në Kuvend jo më vonë se dita e hënë në orën 14.00 dhe ajo zhvillohet si pikë e parë e rendit të ditës në një nga seancat plenare të javës në vijim”,

Rendi i ditës i seancës plenare:

2. Njoftimi i projektligjeve të depozituara në Kuvend (neni 44, pika 3 e Rregullores)

3. Interpelancë me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë z. Damian Gjiknuri, kërkuar nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike z. Edmond Spaho.

4. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike” (pdf) (nenet 73-77, Rregullore, votim me shumicë të thjeshtë)

5. Projektvendim “Për miratimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme” (pdf) (neni 28, Rregullore, votim me shumicë të thjeshtë)

6. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës (neni 45, Rregullore)

Redaksia Online
Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

U dënua për korrupsion, senatori amerikan Menendez jep dorëheqjen

U dënua për korrupsion, senatori amerikan Menendez jep dorëheqjen