Inceneratori i Elbasanit, SPAK kërkon 10 vite burg për Lefter Kokën e 4 vite për Alqi Bllakon! Nga 10 vite Zoto e Mërtiri, 7 vite për Gugalljan! Kërkohet konfiskimi i kompanive të tyre

Prokuroria e Posaçme paraqiti në gjykatë pretencën ndaj të akuzuarve për incineratorin e Elbasanit. Organi i akuzës ka kërkuar nga dhjetë vjet burg për Lefter Kokën, Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton si dhe 4 vjet heqje lirie për ish deputetin Alqi Bllako.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar të pandehurit përfitojnë uljen e një të tretës së dënimit në përfundim të procesit gjyqësor, duke u dënuar përkatësisht me 6.8 vjet heqje lirie për Kokën, Mërtirin e Zoton dhe 2.8 vjet burg për Alqi Bllakon.

Dënime me nga 4 vjet u kërkuan edhe për ish-zyrtarët e tjerë të akuzuar si ish anëtarë të komisioneve të tenderit të incineratorit. Në pretencën e prokurorisë u kërkua edhe konfiskimi i dy kompanive 'AlbTech' dhe 'Integrated Technology SHPK' si dhe i 8 apartamenteve. SPAK kërkoi që ish ministrit Lefter Koka ti konfiskohen 3 pasuri përfshirë kantinën në Durrës ndërsa avokatët do të flasin më 1 qershor.

Pas pretencës së sotme avokati i një prej të akuzuarve Saimir Vishaj theksoi se është i shokuar e se SPAK ka kaluar në ekstremitet për një vepër penale që nuk ekziston.

‘Është rasti i parë që kërkon 10 vite burg. Akuzohen për abuzim me detyrën. Është për tu habitur me qëndrimet e ndryshme. Ka kaluar në ekstremitet për një vepër penale që nuk ekziston. Nuk mund të presësh masat e dënimit duke u dhënë nga 4 vite burgim.Kjo është një çështje politike prej fillimit. Shpresoj që gjykata e Shkallës së Parë të mos bjerë në këtë nivel, nuk mund të presësh me thikë masat si për atë që është fajtor dhe atë që ka rol dytësor’- tha Vishaj.

Pretenca e SPAK për të akuzuarit
Lefter Koka 10 vite burg (6 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Alqi Bllako 4 vite burg (2 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Mirel Mërtiri 10 vite burg (6 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Stela Gugallaj 7 vite burg (4 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Klodjan Zoto 10 vite burg (6 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Pëllumb Abeshi 4 vite burg (2 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Jonida Zeqo 4 vite burg (2 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)

Nga këta persona, të arrestuar aktualisht janë Lefter Koka, Alqi Bllako, Pëllumb Abeshi dhe Byrdhyl Çabiri. Ndërsa në 'arrest shtëpie' qëndrojnë Etleva Kondi dhe Serafin Papa. Në kërkim janë tre administratorët e inceneratorit Klodian Zoto, Mirel Mërtiri e Stela Gugallja dhe së fundmi Jonida Zeqo, anëtare e Komisionit të vlerësimit të Ofertave e cila ishte lënë në 'arrest shtëpie', por pasi nuk u paraqit në seancë dhe më pas nuk u gjet në banesën e saj, u shpall në kërkim nga GJKKO.

Përfundimet nga hetimet e SPAK

Prokuroria e Posaçme bën me dije se ka provuar se procedurën e dhënies së koncensionit dhe në lidhjen e kontratës me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”, nuk janë kryer të plota veprimet përgatitore për dhënien e konçensionit, duke shkelur kështu ligjet për koncesionet dhe prokurimet publike.

Gjithashtu SPAK bën me dije se nga hetimet është provuar fakti se nuk është zbatuar procedura e rregullt ligjore lidhur me llojin e procedurës që është përdorur për dhënien e koncensionit, në kundërshtim me dokumentet standarde të tenderit të zbatueshme për koncensionet, në kundërshtim edhe me sugjerimet e Ministrisë së Financave dhe Agjencisë së Prokurimit Publik.

“Në rastin konkret, në proçedurën e ndjekur për dhënien e konçensionit dhe lidhjen e kontratës me shoqërinë “Albtek Energy” sh.p.k, është ndjekur procedura “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit”, e rregulluar nga neni 33 e vijues të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, të ndryshuar. Procedura e ndjekur për dhënien e koncesionit “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit”, nuk është një nga procedurat e parashikuara në nenin 22 të ligjit nr.125/2013, ku parashikohet se për dhënien e koncesionit munden të përdoren vetëm një nga tre procedurat: i) proçedura e hapur; ii) procedura e kufizuar; ose iii) procedura me negocim, me shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”, njofton Prokuroria e Posaçme (SPAK).

Sipas prokurorëve veprimet dhe mosveprimet e mësipërme në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore, përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, si dhe i kanë sjellë kompanisë “Albtek Energy” sh.p.k përfitime materiale të padrejta, pasi ka përfituar në kundërshtim me ligjin kontratën e koncensionit për ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane dhe prodhimin e energjisë.

“Lidhur me këto dy momente, i pandehuri Lefter Koka në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, i pandehuri Alqi Bllako në cilësinë e ish Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit, si dhe të pandehurit Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri, Serafin Papa, Etleva Kondi dhe Jonida Zeqo, janë akuzuar se kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal”, vijon njoftimi.

SPAK ka dalë në përfundim se ka mbledhur provat e nevojshme dhe është provuar fakti se nga shoqëritë tregtare“Albtek Energy” sh.p.k (shoqëria që ka përfituar konçensionin)dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k (shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të konçensionit) janë pranuar fatura tatimore shitje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri tregtare të tjera, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto shoqëri tregtare. Shuma totale e faturave tatimore për punime të papaguara është në vlerën 331,920,918 lekë, ndërsa shumat monetare që janë paguar për shlyerjen e këtyre faturave tatimore është në vlerën 329,475,608 lekë.

Sipas SPAK Lefter Koka, në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, ka përfituar rreth mbi 308 mln lekë nga shuma monetare që janë paguar nga shoqëritë “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. Kjo përbën një përfitim material të parregullt, që është marrë në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k në zhvillimin e proçedurës së dhënies së konçensionit dhe në lidhjen e kontratës së konçensionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”.

Prokuroria e Posaçme thotë se Stela Gugalla, në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k, Klodian Zoto në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k, si dhe i pandehuri Mirel Mërtiri në cilësinë e pronarit faktit të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k, në bashkëpunim me njëri tjetrin dhe në bashkëpunim me Lefter Kokën, kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, të realizuar nëpërmjet dy shoqërive tregtare respektive, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt” si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.

Sipas SPAK Lefter Koka ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k, që janë përfitueset e kontratës së konçensionit, përfitimet e parregullta monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë konçensionare, duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij, të kontrolluara prej personave familjarë të tij, si dhe të kontrolluara prej subjekteve tregtare në zotërim të tij. Marrja e përfitimeve është realizuar nëpërmjet skemës fiktive të kryerjes së punimeve dhe të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt” si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Altini: 18/05/2023 19:09

    Leket mjafton tja marrin ktyre plerave ti arrestojne te gjithe e ti sekuestrojne te gjitha pronat qe kane kto dhe familjaret e tyre vellezerit motrat prindet dhe kshu u moren leket

    Përgjigju
  • Taku: 18/05/2023 12:31

    Po leket qe iken kush do i kthej?

    Përgjigju
  • Kirurgu estetik: 18/05/2023 12:11

    Po zoti Ahmetaj kur do vihet perpara pergjegjesise per milionat marre nga Mertiri dhe Zoto per makinat foristraden e marre dhurate per ditlindje nga Mertiri qe sherbetori i tij ne Lugano ja vuri me targa zvicerjane.Po sherbetori i tigrit kur do paguaj per leket qe ka perfituar nga inceneratoret per te çuar ilace ne Zimbabwe per te pastruar leket ne bankat e luganos te bullgarise te vjenes dhe me ndertimet se fundmi ne golem te kavajes po flasim per like byth…..

    Përgjigju
  • Shkodrani-Belgjike: 18/05/2023 11:31

    Ky gjykimi i shkurtuar është trendi ne Shqipëri, duhet të hiqet urgjent, përfitojnë te gjithë ata qe kan me probleme me Shtetin Shqiptar. Ne Gjermani kur të dënohesh sta ulin 1 dit nga sa je dënuar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Elon Musk: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për Wikipedia-n, kontrollohet nga ekstremi i majtë

Elon Musk: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për Wikipedia-n, kontrollohet nga ekstremi i majtë