Inceneratori i Tiranës/ Detaje të reja nga dosja e SPAK! Bashkia ishte kundër për mungesë fondesh! Ministri Koka: Do ta financojmë me buxhetin e shtetit!

Dosja e SPAK për incineratorin e Tiranës zbardh detaje se si ministria e mjedisit kërkoi financim nga buxheti i shtetit pasi Bashkia e Tiranës këmbënguli se nuk kishte të ardhura të mjaftueshme për të përballuar koston e aktivitetit që propozohej.

Në faqen 11 të vendimit të gjykatës që caktoi 11 masa arresti me burg për ish-ministrin Lefter Koka, ish-sekretarin e përgjithshëm Aldi Bllako dhe zyrtarë të tjerë e biznesmenë por edhe 4 masa arrest shtëpie, thuhet se bashkia Tiranë e paraqiti këtë qëndrim në mbledhjen e Komisionit të Dhënies së Koncesionit në datën 20 shtator 2016.

"Me datë 20.09.2016, përfaqësues të shoqërisë propozuese, kanë bërë një prezantim të studimit të fizibilitetit, të dorëzuar nga kjo shoqëri pranë Ministrisë së Mjedisit. Nga përfaqësuesit e Bashkisë Tiranë është ngritur problematika e mungesës së të ardhurave të Bashkisë për të përballuar kostot e implementimit të projektit. Sipas tyre, tarifa e pastrimit që mblidhet nga ky institucion nuk mjaftonte për të përballuar as shpenzimet që kishte në atë moment Bashkia Tiranë"-thuhet në dosje. 

Pas këtij qëndrimi, vihet në lëvizje Ministria e Mjedisit e cila nis përpjekjet për të gjetur financimin e projektit. Në faqen 12 të vendimit të gjykatës, tregohet se tetë ditë më vonë, Ministria e Mjedisit kërkoi mbështetje nga Ministria e Financave.

“Me datë 28.09.2016, Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i dërgon Ministrisë së Financave kërkesa për miratim paraprak të studimit ekonomiko financiar, për procedurën koncesionare "Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë”. Ndër të tjera, përshkruhet se për 8 vitet e para, Bashkitë e Qarkut Tiranë, konkretisht Bashkia Tiranë, Vorë, Kamëz dhe Kavajë nuk disponojnë të ardhura të mjaftueshme për depozitimin e mbetjeve në impiant dhe propozohet që për këto 8 vite, këto institucione të mbështeten financiarisht nga qeveria qëndrore”- citohet në dosje.

Në datën 17 tetor 2016, Ministria e Financave ka njoftuar Ministrinë e Mjedisit se nuk mund të shprehet për këtë projekt koncesionar/ppp, për sa kohë që nuk janë plotësuar kushtet, kriteret dhe dokumentacioni përcaktuar nga legjislacioni në fuqi.  Ministria e Financave i sjell në vëmendje Ministrisë së Mjedisit që përpara dërgimit për miratim, të kishte parasysh se kostot përkatëse të projektit të jenë të planifikuara të përballohen brenda buxhetit vjetor të miratuara nga Kuvendi dhe nga Këshilli i Ministrave.

Ne faqen 11 te vendimit, pika 13 e materialit te SPAK thuhet se pas prezantimit të studimit të fizibilitetit nga kompania para komisionit në koncesionit, bashkia e tiranës ka ngritur shqetësimin se nuk kishte të ardhura për të mbuluar shpenzimet e projektit.

Pas kësaj javë vënë në lëvizje zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit, bashkëpunëtorët e Aldi Bllakos të cilët kanë kërkuar miratim me insistim nga Ministria e Financabe për mbështetje buxhetore të projektit nga qeveria qendrore.

Edhe ministria e Financave ka kërkuar shpjegime për këtë buxhetim.

15 urdhër arreste për inceneratorin e Tiranës

Më 7 dhjetor 2023 Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK ka firmosur 15 udhër-arreste në vazhdim të hetimit të nisur tre vite më parë për kontratën e koncesionit "Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë”. 

12 u ekzekutuan një ditë më pas mbrëmjen e 8 dhjetorit 2023. Ndërsa 3 persona, mes të cilëve Mirel Mërtiri e Klodian Zoto, të konsideruar dhe kokat e aferës, janë ende në kërkim ndërkombëtar.

Report Tv mëson se është arrestuar Namik Simixhiu, me detyrë drejtor i Pastrimit te mbetjeve urbane Bashkia e Tiranes, Bledar Karoli, punonjës i ministrisë së Mjedisit dhe Jetmir Llapaj, punonjësit e Qendrës Kombëtare të Biznesit ndërsa është vetëdorëzuar Taulant Tushe, drejtor i Punëve Publike - Bashkia e Tiranes.

Në burg i është komunikuar masa ‘arrest me burg’ ish ministrit Lefter Koka dhe Alqi Bllakos ish deputeti i PS-së dhe sekretar i përgjithshëm i ministrisë së Mjedisit në kohën kur u firmos kontrata. Të dy vuajnë dënimin pasi u shpallën fajtor në dhënien me koncesion të inceneratorit të Fierit dhe të Elbasanit.

Iu është komunikuar masa 'arrest shtëpie' për Alba Thomain,Valbona Ballgjinin, Sidita Koplikun, Etleva Kondin dhe Sidita Tolën që kanë qenë anëtarë të komisionit të dhënies së koncensionit

B.V/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Planet e administratës Trump për t’i dhënë fund luftës në Gazë

Planet e administratës Trump për t’i dhënë fund luftës në Gazë