Të paktën 30 milionë euro sipas Prokurorisë së Posaçme janë pastruar nga kompania e inceneratorit të Tiranës në vetëm 6 vite, nga 2017-a kur nisi zbatimi i kontratës koncesionare deri në 2023-shin kur u vendos në sekuestro nga SPAK.

Prokurori Dritan Prençi ka përfunduar hetimet dhe ka çuar për gjykim 12 të akuzuar se pastruan paratë si grup kriminal, në krye të të cilit sipas SPAK qëndrojnë Mirel Mërtiti dhe Klodian Zoto. Të dy akuzohen edhe për mashtrim me pasoja të rënda, akuzë e cila rëndon edhe mbi dy kompanitë, Integrated Energy Bv S.P.V që kishte kontratën koncesionare dhe "Integrated Technology Service", në zotërim të Klodian Zotos. 

Në njoftimin e shpërndarë për mediat, SPAK evidenton se “Integrated Energy B.V. SPV” që prej nisjes së zbatimit të kontratës për inceneratorin e Tiranës ka arkëtuar 11.3 miliard lekë ose rreth 120 milionë euro me kursin e sotëm, ndërsa ‘de facto’ nga këto para ka investuar vetëm 21 milionë euro.

Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, pronarët ‘de facto’ të inceneratorit thotë SPAK kanë mashtruar mbi shpenzimet e parave, duke mos bërë investime për ndërtimin e inceneratorit, që ishte objekti i kontratës që kishin lidhur me shtetin shqiptar.

Të dy kanë nxjerrë vlera të mëdha parash, brenda dhe jashtë vendit, përmes faturave fiktive apo edhe kompanive fiktive të krijuara vetëm për këtë qëllim, por edhe me para cash. SPAK ka dokumentuar transferta të jashtëligjshme që kapin vlerat 1.3 miliard lekë dhe 16.6 milionë euro, totali prej 30 milionë eurosh. Pjesa tjetër e shpenzimeve që nuk u futën në ndërtim, rreth 70 milionë euro, SPAK dyshon se janë të maskuara si operative, konsulenca dhe veprime të tjera.

Mes 10 të pandehurve të tjerë dallon Dashamir Ymeraj, pronar i disa kompanive dhe shumë të tjera të hapura në emër të shumë të moshuarve, të cilat merrnin para nga inceneratori sikur kryenin shërbime. Mes të pandehurve janë edhe Arjola Kodra, ish administratorja e inceneratorit që akuzohet edhe për falsifikim dokumentesh, gazetari Endrit Habilaj apo edhe 3 shtetas të huaj, të cilët janë përdorur për lëvizjet e mëdha të parave jashtë vendit. Të 12 të akuzuarit janë në arriti dhe pritet të gjykohen në mungesë nga GJKKO. 

Për mënyrën e lidhjes së kontratës koncesionare për inceneratorin e Tiranës janë dënuar me vendime gjyqësore të formës së prerë deri më tani Lefter Koka, Alqi Bllako dhe 10 të tjerë, ndërsa SPAK thotë se po vazhdon hetimet edhe për shkelje të tjera.

Të pandehur në gjykim
Mirel Mertiri
Klodian Zoto
Dashamir Ymeraj
Arjola Kodra
Giuseppe Ciaffaglione
Endrit Habilaj
Integrated Energy Bv S.P.V
Integrated Technology Service", Sh.P.K

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr.255 të vitit 2020, në ngarkim të të pandehurve:

Mirel Mërtiri, i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Mashtrim” me pasoja të rënda”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 143/3, 287 gërmat “a” dhe “b”, 28/4, 333/a/1 dhe 334 paragrafi 1 të Kodit Penal.

Klodian Zoto, i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëvë të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Mashtrim” me pasoja të rënda”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 245, 143/3, 287 gërmat “a” dhe “b”, 28/4, 333/a/1 dhe 334 paragrafi 1 të Kodit Penal.

Dashamir Ymeraj, i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Mashtrim” me pasoja të rënda, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 143/3, 287 gërmat “a” dhe “b”, 28/4, 333/a/2 dhe 334 paragrafi 1 të Kodit Penal.

Arjola Kodra, e akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Falsifikim i dokumenteve” që ka sjellë pasoja të rënda, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet186/2, 287 gërmat “a” dhe “b”, 28/4, 333/a/2 dhe 334 paragrafi 1 të Kodit Penal.

Giuseppe Ciaffaglione, i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 287 gërmat “a” dhe “b”, 28/4, 333/a/2 dhe 334 paragrafi 1 të Kodit Penal.

Denisa Tollkuçi, e akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 287 gërmat “a” dhe “b”, 28/4, 333/a/2 dhe 334 paragrafi 1 të Kodit Penal.

Elton Bualli, i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 287 gërmat “a” dhe “b”, 28/4, 333/a/2 dhe 334 paragrafi 1 të Kodit Penal.

Endrit Habilaj, i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 287 gërmat “a” dhe “b”, 28/4, 333/a/2 dhe 334 paragrafi 1 të Kodit Penal.

Renardo Nallbani, i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 287 gërmat “a” dhe “b”, 28/4, 333/a/2 dhe 334 paragrafi 1 të Kodit Penal,

Marc Richard Lappat, i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 287 gërmat “a” dhe “b”, 28/4, 333/a/2 dhe 334 paragrafi 1 të Kodit Penal.

Michael Peter Drujits, i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 287 gërmat “a” dhe “b”, 28/4, 333/a/2 dhe 334 paragrafi 1 të Kodit Penal.

Ilir Dedja, i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 287 gërmat “a” dhe “b”, 28/4, 333/a/2 dhe 334 paragrafi 1 të Kodit Penal.

Personi juridik “Integrated Energy BV S.P.V” sh.p.k, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Mashtrim” me pasoja të rënda”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 143/3, 25 i Kodit Penal, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287, gërmat “a” dhe “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287 paragrafi 2 i Kodit Penal.

Personi juridik “Integrated Technology Service” sh.p.k, i akuzuar për kryerjen e veprave penale:“Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal “Mashtrim” me pasoja të rënda”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 143/3, 25 i Kodit Penal, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287, gërmat “a” dhe “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287 paragrafi 2 i Kodit Penal.

Nga provat e administruara në lidhje me procedurën koncesionare të zhvilluar nga Ministria e Mjedisit me objekt “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë”, e lidhur mes Autoritetit Kontraktor Ministria e Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Energy B.V. SPV” sh.p.k, me kosto të investimit të parashikuar nga shoqëria koncesionare, në vlerën 128,248,330 (njëqind e njëzet e tetë milion e dyqind e dyzetë e tetë mijë e treqind e tridhjetë) Euro, pa TVSH, është shpallur fitues shoqëria “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k.

Gjatë procedurës koncesionare janë konstatuar veprime të kundraligjshme të personave përgjegjës të autoritetit kontraktor, ish Ministrit të Mjedisit Lefter Koka, ish Sekretarit të Ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako dhe të personave përgjegjës të tjerë, shtetasve Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, ku në sajë të veprimeve të tyre në kundërshtim me detyrën është shpallur fitues në këtë procedurë koncesionare, shoqëria “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k

Nga provat e grumbulluara ka rezultuar se në zbatim të kontratës koncesionare  të lidhur në datën 31.8.2017, nga momenti i lidhjes së kontratës deri në vitin 2023,që përkon me kohën e vendosjes së sekuestros preventive, nga ana e shoqërisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k., janë siguruar të ardhura në vlerën 11,319,754,405 lekë, ndërsa është investuar për ndërtimin e objektit, vetëm vlera 21,017,157 Euro.

Nga hetimi ka rezultuar se pronarët “de facto” të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k, të pandehurit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, kanë përfituar në mënyrë të parregullt vlera të mëdha monetare të siguruar nga zbatimi i kontratës koncesionare, duke mos bërë investime për realizimin e veprës, objekt të kësaj kontrate.

Të pandehurit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto kanë përdorur mekanizmin e nxjerrjes së shumave monetare nga llogaritë e shoqërisë koncesionare, në sajë të mashtrimit nëpërmjet krijimit të faturave fiktive, në sajë të shfrytëzimit të shoqërive fiktive të krijuara brenda dhe jashtë vendit, si dhe përmes transferimeve në vlera cash, në shumën 1,283,390,609 lekë dhe 16,669,506 Euro.

Nga hetimi është evidentuar fakti se për të arritur qëllimin kriminal të pastrimit të parave, si produkte të veprës penale të mashtrimit, të pandehurit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto kanë vepruar në bashkëpunim të veçantë në formën e grupit të strukturuar kriminal, duke bashkëpunuar me shtetasit shqiptar, të pandehurit Denisa Tollkuçi, Arjola Kodra, Dashamir Ymeraj, Renardo Nallbani, Endrit Habilaj, Elton Bualli, Ilir Dedja, si dhe shtetasit e huaj, të pandehurit; Marc Lappat, Michael Peter Druijts, Giuseppe Ciafaglione.

Siç është bërë me dije në njoftimet e mëparshme, janë dërguar për gjykim në kuadër të procedimit penal të ndarë, nr.255/1 dhe nr.255/2, shtetasit Lefter Koka, Alqi Bllako, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Bledar Karoli, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Etleva Kondi, Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku,Jetmir Llapaj, të cilët janë gjykuar me vendim gjyqësorë të formës së prerë.

Me vendimin nr..95, datë 28.7.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është vendosur masa e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”,  mbi pasuritë e të pandehurve Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, personat juridik “Integrated Energy BV S.P.V” sh.p.k., “Integrated Technology Services” sh.p.k., “F.M.O” sh.p.k.

Hetimet vijojnë në procedimin penal të ndarë, me nr.255/3, për të evidentuar çdo fakt tjetër penal dhe personat përgjegës të cilët kanë kryer veprime gjatë procedurës së dhënies së koncesionit dhe në fazën e zbatimit të kontratës koncesionare.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë