Protesta që prej më shumë se një muaji po zhvillohet në Tiranë vijon të marrë mbështetje edhe nga shqiptarët jashtë vendit. Mes zërave që i janë bashkuar kësaj lëvizjeje është edhe Sindi Manushi, kryebashkiake e Pieve di Cadore në Itali, e cila disa ditë më parë ishte e pranishme në protestë dhe tashmë ka ndarë publikisht vlerësimin e saj për zhvillimet.

Manushi në një lidhje direkte për Studio Live në Report Tv thotë se nuk udhëtoi drejt Shqipërisë si vëzhguese, por si pjesë e protestës, duke theksuar se prej ditës së parë e ka ndjekur nga afër lëvizjen, ndërsa nga Italia ka organizuar tubime, ka komunikuar me eurodeputetë dhe ka mbështetur protestuesit edhe në rrjetet sociale.

Sipas saj, protesta nuk lidhet më vetëm me Zvërnecin apo çështjet mjedisore, por është shndërruar në një reagim të gjerë qytetar ndaj problemeve të grumbulluara ndër vite.

"Kjo protestë lindi në Zvërnec, por nuk i përket vetëm Zvërnecit. Ka të bëjë me një shoqëri shqiptare që ka arritur në një pikë ku nuk mban më. Na mohohen të drejtat më bazike dhe njerëzit e dinë shumë mirë pse po protestojnë", u shpreh Manushi.

Ajo vlerëson se, pas fokusit fillestar të mediave ndërkombëtare te emri i Jared Kushner, tashmë edhe partnerët europianë kanë kuptuar thelbin e protestës.

"Eurodeputetët e kuptuan se kjo protestë shkon shumë më tej sesa çështja e Kushnerit apo problemet mjedisore. Është një protestë për mënyrën se si qeveriset Shqipëria", deklaroi ajo.

Sipas Manushit, protestat kanë vënë në siklet edhe partnerët politikë të Edi Ramës në Europë. Ajo tha se Partia Socialiste Europiane dhe liderët e saj e kanë të vështirë të mbrojnë qeverinë shqiptare, pasi, sipas saj, Partia Socialiste shqiptare është larguar prej kohësh nga parimet e së majtës europiane. Manushi shtoi se zhvillimet e fundit mund të ndikojnë edhe në marrëdhëniet mes socialistëve europianë dhe qeverisë shqiptare.

"Partitë dhe liderët që janë më tepër në siklet në këtë moment janë sigurisht liderët e majtë europianë dhe Partia Socialiste Europiane, sepse Partia Socialiste Shqiptare ka socialist vetëm emrin. Politikat e saj nuk janë të majta, nuk ka shtet social në Shqipëri. Edi Rama merret më tepër me fasadat, propagandën dhe interesat e një grushti oligarkësh. Mendoj se Partia Socialiste Europiane e di fort mirë që Partia Socialiste Shqiptare ka devijuar prej kohësh dhe besoj se këto protesta do t'i japin goditjen përfundimtare raporteve të Edi Ramës me partitë e majta europiane”, tha ajo.

Duke komentuar ngjarjet e fundit para Parlamentit, Manushi tha se hedhja e vezëve përbën një akt simbolik dhe provokues politik, ndërsa reagimin e Policisë e konsideroi të tepruar.

"Nuk dua të justifikoj asnjë akt dhune, por për mua hedhja e vezëve është një akt simbolik. Reagimi i policisë, nga sa pashë, ishte i shpërpjestuar dhe një qasje më e matur do të kishte shmangur përshkallëzimin e situatës", u shpreh ajo.

Kryebashkiakja shqiptare në Itali tha se protesta ka bashkuar qytetarë me bindje të ndryshme politike, por me një kërkesë të përbashkët, duke shtuar se objektivi kryesor mbetet dorëheqja e kryeministrit dhe anulimi i ligjit 21/2024.

E pyetur nëse synon të angazhohet në politikën shqiptare, Manushi e përjashtoi një mundësi të tillë, duke theksuar se do të vazhdojë ta mbështesë protestën nga Italia me mjetet që ka në dispozicion dhe se Shqipërisë nuk i mungojnë njerëzit e aftë për të udhëhequr vendin, por një frymë e re që, sipas saj, po ndërtohet nga vetë protestuesit.