Incidenti ka ndodhur kur anija shqiptare e peshkimit "Mario 1" në pronësi të kompanisë "Fama" në Sarandë ishte duke peshkuar në ujrat territoriale shqiptare.
Roja bregdetare greke u afrua duke kërkuar largimin e anijes shqiptare nga peshkimi.
Sipas burimeve anija shqiptare “Marion 1”, ndodhej 1.3 milje larg ujrave greke dhe 1.6 milje larg Gjirit te Manastirit e 2.1 milje nga Marina e Sarandës. Kështu kanë pretenduar peshkatarët e anijes shqiptare “Mario 1”.
Ministria e Mbrojtjes i tha shqiptarja.com se nuk ka pasur incident, por se një komunikim në të cilin anija shqiptare është njoftuar se është pranë vijës fundore të kufirit shqiptar, pranë bregdetit grek.
Ndërkaq burime nga Policia e Vlorës thanë se anija shqiptare ka qenë pranë ujrave territoriale greke ku kishte hedhur rrjetat dhe është paralajmëruar nga roja bregdetare greke. Pas këtij paralajmërimi anija shqiptare është larguar nga kjo zone, ndërkohë që policia ka shpqëruar dhe këshilluar drejtuesin e peshkarexhës që të mos kalojë kufirin tonë, kjo për të repektuar legjislacionin për kufinjtë detar.
Ndërkaq të kundërtën kanë pretenduar peshkatarët shqiptarë të anijes “Mario 1”. Sipas tyre, anija e rojes bregdetare greke është futur brenda ujrave tona duke ndaluar anijen e peshkimit "Mario 1", që ndodhej 1.3 milje larg ujrave greke dhe 1.6 milje larg Gjirit te Manastirit. Sipas peshkatarëve, grekët kanë fyer e kërcënuar peshkatarët shqiptare duke pretenduar se kishin shkelur ujrat greke. Duke hasur kundërshtimin e peshkatarëve e sapo morrën vesh nisjen drejt vendngjarjes të rojes bregdetare shqiptare, anija greke u largua.
Ja deklarata e Ministrisë së Mbrojtjes
Sot rreth orës 10.45, anija P-117, e cila po kryente patrullimin në rajonin e Gjiut të Limonit, Sarandë, njoftoi sallën operacionale se kishte marrë thirrje nga peshkarexha “Mario-1”. Peshkarexha në fjalë pasi jepte kordinatat theksonte se një mjet i Rojes Bregdetare Greke e ka lajmëruar që ishte duke peshkuar në ujrat greke.
Nisur nga kjo situatë, anija P-117 është urdhëruar të nisej menjëherë për në vendngjarje dhe ka mbërritur aty në orën 10.55. Në këtë orë anija e Rojes Bregdetare Greke ishte rreth 4 kabël nga peshkatorja dhe që lëvizte me kurs për në jug-perëndim drejt Korfuzit.
Përsa më sipër, shtabi i Forcës Detare mori masa për menaxhimin e situatës dhe evidentimin e të dhënave të mara si nga personeli i shërbimit, ashtu dhe nga peshkatorja ‘’MARIO-1’’. Nga shqyrtimi i situatës dhe të dhënave të marra rezultoi se anija peshkatore ‘’MARIO-1’’ ndodhej në vijën fundore të kufirit, në ujërat territoriale shqiptare duke kryer aktivitet peshkimi. Po mbi bazën e këtyre të dhënave u konkludua gjithashtu se anija e Rojes Bregdetare Greke nuk ka qënë në kufijtë e ujërave trritoriale shqiptare.
Gjatë kryerjes së këtij operacioni Roja Bregdetare ka bashkëpunuar dhe me Policinë Kufitrare, si dhe me oficerin civil të turnit të Inspektoriatit të Peshkimit në QNOD.
Ja dhe njoftimi zyrtar i policisë.
Sot rreth orës 10:50, në ujërat bregdetare në zonën Qefal - Himarë, u konstua një anije peshkimi me flamur shqiptar, e cila ishte në vijën fundore të kufirit detar me Greqinë.
Roja bregdetare e palës greke, njoftoi palën shqiptare se anija e peshkimit me emrin "Mario 1" e kompanisë "Fama" Sarandë, i ishte afruar kufirit detar të shtetit fqinj.
Menjëherë strukturat e Policisë Kufitare në Sarandë kanë shoqëruar kapitenin e anijes së peshkimit në Komisariatin e Policisë Kufitare dhe Migracionit.
Me qëllim respektimin e legjislacionit ndërkombëtar që rregullon kufijtë ujorë mes dy vendeve, Policia Kufitare ka marrë masat e nevojshme duke i tërhequr vëmendjen kapitenit të anijes së peshkimit.
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)