Sipas tij, dëmtimet e shkaktuara nga tifozeritë një ditë më parë gjatë ndeshjes mes Elbasanit dhe Tiranës, kanë ndikuar edhe në standardin që ky stadium ofronte për ndeshjet e kombëtares. Sipas tij, janë dëmtuar 126 stola, ndërsa policia ka ndërhyrë me vonesë për të neutralizuar konfliktin. Nuk janë vetëm stolat plastikë të dëmtuar, por flakadanët e shumtë kanë shkaktuar dëmtime të rrjetit elektronik të tabelave që rrethojnë stadiumin. Drejtori i stadiumit Dritan Kadia ka përsëritur që ky dëm nuk llogaritet thjesht ekonomik, pasi si pasojë e incidentit vihet në diskutim edhe zhvillimi i ndeshjes kualifikuese të Europianit 2016 në Francë, ku funksionimi i tabelave elektronike të fushës është standard i UEFA-s.
Ndeshja mes Elbasanit dhe Tiranës, e luajtur mbrëmjen e së dielë 23 nëntor në "Elbasan Arena" u ndërpre për 7 minuta për shkak të dhunës së tifozerive të dy skuadrave.
Një ditë pas incidentit në stadiumin "Elbasan Arena" në ndeshjen Elbasani -Tirana, dëmet e stadiumit llogariten edhe më të mëdha. Drejtori Kadia thekson se shkaktarët e këtij dëmtimi duhet të mbajnë përgjegjësi që ngjarje të tilla të mos përsëriten. Policia e Elbasanit ka nisur procedimin penal ndaj 6 tifozëve të përfshirë ditën e djeshme në dhunën në shkallët e stadiumit "Elbasan Arena". Kështu janë proceduar penalisht tifozët Naim Xhepa, Agron Xhepa, Mustafa Skilja, Përparim Shermadhi, Adnand Miraku dhe Klevis Buzo.
Duka për "Ora Debat" : Të procedohen penalisht autorët e dhunës
Reagimi i Kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, lidhur me incidentin e ndodhur mbrëmë në Elbasan, ka qenë mjaft i ashpër. "Të ndiqen penalisht të gjithë autorët që shkaktuan dëmtime të rënda në stadiumin e ri të kombëtares shqiptare, "Elbasan Arena"", theksoi Duka gjatë një interviste për "Ora Debat". Sipas tij, "Federata nuk mund të bëjë më shumë. Duhet që Policia t'i identifikojë dhe më pas ata elementë të ndiqen penalisht. Është për të ardhur keq që preken stolat e një stadiumi i cili është i të gjithëve "
Komisioni i Disiplinës në bazë e dhe të pamjeve filmike do të marrë shumë shpejt një vendim për të përcaktuar edhe ndëshkimet përkatëse, është për të ardhur keq që me shumë gjasa do të dënohen dy klube për shkak të disa elementëve që nuk njohin asnjë vlerë qytetarie, por vetëm gjuhën e dhunës dhe shkatërrimit.
Presidenti i Tiranës, Halili: Ndiej keqardhje, të dënohen autorët
Presidenti i Tiranës, Refik Halili, gjatë një inverviste për emisionin "Fair Play" ka kërkuar që të merren masa nga policia për incidentin e ndodhur në Elbasan. "Ndiej keqardhje për dhunën e ushtruar gjatë ndeshjes, por policia duhet të ishte me një kordon nga të dyja palët. Të merren masa ndaj atyre që sjellin incidente", tha ai./ATSH/