Incidenti në Vjenë, Ceka: Rama më
preku te shpatullat, Velaj: E ofendoi

Incidenti në Vjenë, Ceka: Rama më<br />preku te shpatullat, Velaj: E ofendoi
TIRANE - Incidenti i ndodhur në një takim të Ramës në Vjenë me diplomatë të huajë dhe shqiptarë, ku ishte dhe djali i Neritan Cekës, u transformua krejtësisht. Mediat, MPJ, PS si dhe vetë diplomati dhanë versione të ndryshme për këtë incident. Ambasadori shqiptar nuk ishte i pranishëm në aktivitet, ndonëse as Ceka nuk kishte ftesë.

Titulli “Kreu i PS rreh diplomatin Egin Ceka në Vjenë” bëri dje bujën e madhe mediatike gjatë ditës së djeshme, të cilin mazhoranca nuk ngurroi ta përdorë kundër liderit të së majtës vetëm pak ditë para fillimit të fushatës elektorale.

Ky incident që ndonëse mori përmasa të mëdha shumë shpejt u shpërnda në versione të ndryshme, por në të vërtetë sipas dëshmive të dhëna nga të pranishmit në aktivite nuk ka patuar asnjë kontakt fizik mes Ramës dhe djalit të ambasadorit, Neritan Ceka.

Mësohet se Rama ka mbajtur një fjalim në Akademinë Diplomatike të Vjenës, duke shprehur kritika për gjendjen në të cilën ndodhet Shqipëria. Pas përfundimit të fjalimit, bëhet e ditur se Egin Ceka ka dalë përballë Ramës dhe i ka thënë përse ka mbajtur atë fjalim, duke qenë se sipas tij, ka fyer Shqipërinë.

Pas kësaj, Rama dhe Ceka kanë shkëmbyer replika me njëri-tjetrin, por nga asnjë nuk konfirmohet përdorimi i dhunës fizike nga Rama. Kreu i PS ishte në Akademinë diplomatike në Vjenë u zhvillua nje dialogforum, tema e së cilës ishte "Shqiepria-konstruktojm t ardhmen", kjo nën pjesëmarrjen nga Ministria e Jashtme e Austrisë, trupit diplomatik në mes të cilëve ambasadori i Kosovës, përfaqësues të ambasadave të tjera përveç Shqipërisë.

EGIN CEKA: MË PREKU TE SHPATULLAT, TEJKALOI KONTAKTIN VERBAL

Në një rrëfim të tij, diplomati shqiptar në Vjenë, tashmë i transferuar në misionin e OSBE në Vjenë, Egin Ceka, tregon gjithë incidentin e tij që ndodhi me kreun e PS, por në asnjë rresht të rrëfimit të tij nuk përmendet fjala “grusht” apo “rrahje”, ashtu si e ka interpretuar gjithë mazhoranca në vend.

Ai thotë se Rama e ka prekur mbi shpatulla, por kurrësesi nuk përmend fjalën për dhunë fizike ndaj tij. “Më preku mbi shpatull e vajti puna deri në një reagim kritik të zotit Rama. Bëri një akt provaktiv, vuri dorën sipër shpatullës duke më thënë “djali i mirë” dhe e shfrytëzoi këtë taktikë për të tërhequr atë që do kapte dora e tij nga veshi im.

Kaloi kufirin e kontaktit verbal me njeriun dhe bëri një gjest provokativ. Siç duket me llogaritjen që unë do reagoja në të njëjtën mënyrë, gjë që unë nuk e bëra”, shprehtet diplomati Egin Ceka. Ndërkohë në një tjetër intervistë të tij, Ceka shprehet për një tjetër version duke e konsideruar komunikimin me Ramën si dhunë verbale e fizike.

FATE VELAJ: EGINI OFENDOI RAMËN DUKE I THËNË “JU JENI PLEHRA”

I pranishëm në këtë aktivitet, Fate Velaj tregon të vërtetën për incidentin mes kreut të PS, Rama dhe diplomatit Ceka. “Djali i Neritanit erdhi privat, Nuk erdhi si përfaqësues i trupit diplomatik si një diplomat, nëse është diplomat i takonte të bënte pyetje për shqetësimin e tij dhe jo të priste mbarimin e debatit, të shkonte të kapte Ramën për mënge e t`i thoshte se çfarë kanë me ambasadat, dhe me atë. Rama i tha “Nëse kishe pyetje e bëje kur ishte koha.

Tani më duhet të takojë njerëzit që kanë ardhur për mua duke më respektuar. Djai i Neritanit e ofendoi duke i thëne se “ju jeni plera, ndyrësira”. Rama i tha “ik se nuk jemi në vend të duhur për debate të tilla”. Rama nuk e qëlloi as i shkuli veshin, por i tha të supi nuk kam ardhur për të tilla debate.

Nëse ka video le ta paraqesin. Djali i Neritanit duhet të tregojë etikë diplomatike nëse vjen nga diplomacia. Nuk mund të shfrytëzoje ai aktivitetin tim për të "larë hesape"”, është shprehur Velaj.

MINISTRIA E JASHTME
I menjëhershëm ishte reagimimi i Ministrisë së Jashtme, ku nëpërmjet zv.ministres Edit Harxhi, dënoi dhunën fizike të ushtruar nga Rama. “Është fyer imazhi i Shqipërisë disa herë. Në të njëjtën kohë një nga diplomatët shqiptarë z, Egin Ceka, diplomat i ri energjik, prej disa vitesh diplomat në ambasadën tonë në Vjenë, aktualisht në Misionin tonë në OSBE, i shkolluar jashtë, në përfundim të takimit është afruar tek z.Rama për të biseduar rreth një pike që z.Edi Rama e ka ngritur disa herë pengimin nga ana e tij për votën e shqiptarëve kudo nëpër botë nëpërmjet ambasadave tona.

Z.Rama ka potencuar gjatë bisedës së tij, që nuk është e mundur vota e shqiptarëve për arsye të tejpolitizimit të përfaqësive diplomatike shqiptare. Z.Rama ka reaguar në mënyrë mjaft agresive, ka përdorur dhunë fillimisht verbale, më pas në dhunë fizike, e cila ka rezultuar me një konflikt të hapur mes dy palëve Ramës dhe diplomatit Ceka”, thuhet në reagimin e MPj.

PARTIA SOCIALISTE

PS reagoi dje pas lajmit për incidentin në Vjenë. “Në Akademinë Politike të Vjenës ka pasur vetëm një ngjarje.Pas takimit djali i Neritan Cekës,që për hatër të babait paguhet me taksat e shqiptarëve si diplomat, i është afruar Edi Ramës duke derdhur një lumë fjalësh të padenja kundër opozitës.

Ministria e Jashtme vazhdoi avazin e saj të propagandës antiopozitare duke i dalë në mbrojtje një "diplomati" që s'është asgjë tjetër veçse një prej shumë shëmbëlltyrave të degradimit të trupit tonë diplomatik në një lukuni kalamajsh, kunetërish, mbesash, kushërinjsh, dhëndurësh e krushqish të sojit e të sorollopit të oborrit të një pushteti të dalë duarsh, që po jeton ditët e veta të fundit”, thuhet në njoftimin e PS-së.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (26.04.2013)

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës