Presioni ndaj presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, po rritet ndjeshëm. Organizata të tifozëve nga e gjithë bota kanë nisur një peticion global, përmes të cilit kërkojnë largimin e tij nga drejtimi i organizatës dhe ndryshime të thella në mënyrën se si qeveriset futbolli botëror.

Fushata është lançuar nën sloganin “InfantinoOut” dhe në të janë përfshirë grupe të mëdha të organizuara tifozësh nga Evropa, Afrika dhe Amerika e Veriut.

Peticioni mbështetet nga Football Supporters Europe, Football Supporters Africa dhe Këshilli i Pavarur i Tifozëve nga Amerika e Veriut, së bashku me rreth 40 organizata kombëtare të tifozëve në mbarë botën.

Nisma u lançua më 19 gusht dhe sipas të dhënave të publikuara, ka kaluar tashmë shifrën e 15 mijë nënshkrimeve të verifikuara, ndërsa rreth 13 mijë prej tyre janë mbledhur vetëm gjatë të enjtes.

Projekti “FIFA Forward Enterprise”, në qendër të kritikave

Arsyeja kryesore e revoltës së tifozëve është projekti “FIFA Forward Enterprise”, përmes të cilit Infantino synonte të krijonte një strukturë të re për operacionet komerciale të FIFA-s dhe t'u ofronte investitorëve privatë një pjesë të të ardhurave nga kompeticionet kryesore të organizatës.

Projekti, i vlerësuar në rreth 20 miliardë dollarë, parashikonte edhe shitjen e 20 për qind të kompanisë te investitorët privatë. Pas kundërshtimit të fortë nga aktorë të ndryshëm të futbollit, propozimi u tërhoq në fund të korrikut.

Megjithatë, organizatat e tifozëve konsiderojnë se tërheqja e projektit nuk është e mjaftueshme dhe kërkojnë më shumë transparencë në vendimmarrje, përfshirje më të madhe të konfederatave, federatave, ligave, klubeve, lojtarëve dhe tifozëve, si dhe një mbikëqyrje më të fortë dhe të pavarur të drejtuesve të FIFA-s.

Infantino përballet edhe me kundërshtime brenda FIFA-s

Fushata e tifozëve vjen në një moment kur edhe mbështetja për Infantinon në nivelet më të larta të futbollit ndërkombëtar është lëkundur.

Presidentë të rëndësishëm të konfederatave, përfshirë drejtuesit e UEFA-s, AFC-së dhe CONCACAF-it, kanë kritikuar mënyrën se si është menaxhuar projekti i shumëpërfolur.

Ndërkohë, pesë nga tetë nënkryetarët e FIFA-s kanë shprehur publikisht kundërshtimin ndaj Infantinos. I fundit ishte presidenti i Federatës Hungareze të Futbollit, Sandor Csanyi, i cili deklaroi se kishte humbur besimin në gjykimin profesional, standardet etike dhe lidershipin e presidentit të FIFA-s.

Më herët, kundër Infantinos janë pozicionuar edhe presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, presidenti i CONCACAF-it, Victor Montagliani, presidenti i Konfederatës Aziatike të Futbollit, Salman bin Ibrahim Al Khalifa, si dhe presidentja e Federatës Angleze të Futbollit, Debbie Hewitt.

Kritika edhe për çmimet e biletave dhe Kupën e Botës

Pakënaqësitë e tifozëve nuk lidhen vetëm me projektin komercial të FIFA-s. Në peticion kritikohet gjithashtu politika e çmimeve të biletave për Kupën e Botës 2026, ndërsa Infantino është kundërshtuar edhe për qëndrimet e mëparshme rreth kompeticioneve ndërkombëtare të mbyllura dhe idesë për zhvillimin e Kupës së Botës çdo dy vjet.

Infantino drejton FIFA-n që prej vitit 2016 dhe pritet të kandidojë sërish për një mandat në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, që do të zhvillohen në Marok.

Përpara krizës së fundit, presidenti i FIFA-s shihej si favorit për një mandat të ri, por kundërshtimet e fundit brenda strukturave të futbollit dhe protesta e organizuar e tifozëve pritet ta bëjnë garën për presidencën e FIFA-s më të debatueshme.

Afati i fundit për paraqitjen e kandidaturave për presidencën e FIFA-s është 18 nëntori.