Banka e Shqipërisë rrit normën bazë të interesit në 2.75%, nga 2.25% që ishte deri në fillim të nëntorit. Guvernatori Gent Sejko, në deklaratën e përmuajshme për shtyp, u shpreh se vendimi synon respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve

"Banka e Shqipërisë vendosi të rrisë me 0.5 pikë përqindje normën bazë të interesit, nga niveli 2.25% në nivelin 2.75%;të rrisë me 0.5 pikë përqindje normën e interesit të kredisë njëditore, nga niveli 3.25% në nivelin 3.75%; të rrisë me 0.5 pikë përqindje normën e interesit të depozitës njëditore, nga niveli 1.25% në nivelin 1.75%. Në gjykimin e Këshillit, normalizimi gradual i qëndrimit të politikës monetare, nga pozicioni ende stimulues i saj në trajtat aktuale në një pozicion më neutral, është një masë e domosdoshme për respektimin e objektivit tonë të inflacionit të çmimeve", tha Gent Sejko.

Sejko tha se inflacioni i shënuar në tremujorin e fundit, i cili arriti vlerën 7.9%, preku edhe produktet e shportës që prodhohen në vend. 

"Këta grup-artikuj gjeneruan rreth 80% të inflacionit total në tremujorin e tretë.  Rritja e çmimeve ka filluar të jetë e pranishme në pjesën më të madhe të shportës, përfshi edhe ata artikuj pjesa më e madhe e vlerës së shtuar të të cilëve krijohet në vend. Kjo ecuri sugjeron rritjen e njëkohshme të bazës dhe të intensitetit të presioneve inflacioniste. Çmimet e larta të lëndëve të para, të naftës dhe të energjisë, sjellin një rritje të mëtejshme të kostove të brendshme të prodhimit", tha Gent Sejko.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë vlerësoi se një lajm i mirë është ulja e normës së papunësisë, si dhe rritja e pagave në sektorin privat dhe publik në vlerën 11.9%. Sejko po ashtu vuri në dukje se pas rritjes së lartë ekonomike në tremujorin e parë, ekonomia shqiptare u rrit me 2.2% në tremujorin e dytë, ndërsa ky trend pozitiv do të vijojë dhe në fillim të vitit tjetër, edhe pse nënvizon se në kushtet e një ekonomie nën presionin e inflacionit parashikimet janë gjithnjë me marzh të lartë gabimi.