Ndryshimi i çmimeve sërish ka “rrëshqitur” nën nivelin e preferuar nga Banka qendrore, që është rritja 2-4 për qind. Sipas Institutit të Statistikave, rritja mesatare e çmimeve në muajin shtator ishte vetëm 1.6 për qind. Krahasuar me muajin shtator 2016, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3.5%, pasuar nga grupet “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1.1%, “Shërbimi arsimor” me 1%, “Argëtim dhe kulturë” me 0.8%,“Pije alkoolike dhe duhan” me 0.6%, etj. Çmimet e nëngrupit “fruta” u rriten me 10.8%, pasuar nga nëngrupet “zarzavate përfshirë patatet” me 10.3%, “peshk” me 5%, etj.

Shpenzimet për ushqim zenë gjysmën e konsumit total mujor për familjet shqiptare. Në të gjithë vendin, për këtë grup shkojnë 48.7% e blerjeve. Qarku që shpenzon pjesën më të madhe për ushqime është Vlora me 53.3%, ndjekur nga Korça me 53.1% të konsumit mujor. Më pak në këtë grup shpenzojnë familjet e ndodhura në Tiranë, ku ushqimi zë vetëm 44.5% të shpenzimeve mujore.

Në Dibër shpenzohet dyfishi i mesatares së vendit në “Pije alkoolike dhe duhan”, me 10.6% të konsumit mujor; Tirana shpenzon më tepër për “Veshje dhe Këpucë” (6.2%); Gjirokastra dhe Kukësi paguajnë më tepër për “Mobilim, pajisje shtëpiake” (5.9%); Kukësi paguan më tepër për komunikim (4.1%); në kryeqytet shpenzohet më tepër për “Argëtim dhe Kulturë” (3,6%); në Berat shpenzohet më tepër në “Restorante dhe Hotele” (5%); ndërsa mallrat e tjera dhe shërbimet e mirëmbajtjes kushtojnë më tepër në Lezhë, ku zënë 7.6% të shpenzimeve mujore, sipas studimit të thelluar të INSTAT-it.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com