LEZHË-Për të shmangur migrimin e mëtejshëm dhe rrënimin e ekonomise familjare, banorët e fshatit Torovicë në Njesinë Administrative të Balldrenit në Lezhë kanë kërkuar ndihmën e bashkisë.

Ata kanë zhvilluar një takim me kryebashkiakun Fran Frrokaj, duke i kujtuar këtij të fundit premtimet e bëra gjatë fushates elektorale.

Problemi i Rrugës, përmbytja e tokës si dhe mungesa e shërbimeve ishin disa nga problemet e ngritura nga banoret të cilët kërkuan që t’iu jepet zgjidhje.

‘’Përmbytjet e nëntorit na kanë bërë ne banorët e Torovicës që mos të mbillet as 20% e asaj që është mbjellur vjet’’
 
Në qoftë se jemi të barabartë përpara Zotit, jush, ju lutem vendosni dorë. Ju keni thënë që mandatin që do të marr unë, rrugën e Torovicës e shtroj.
 
Për ne është bërë vend i pabanueshëm. Janë duke ikur familjarët përditë.
 
Ne kërkojmë vetëm një gjë, çfarë kemi pasur në vitin ’90 dhe asgjë më shumë’’,
-u shprehën banorët. 

Kryebashkiaku Frrokaj u shpreh se rruga nacionale Balldre-Torovicë nuk është nën juridiksinonin e Bashkisë.

 ‘’Pavarësisht se nuk është faji im sepse është rrugë nacionale, kryetari i bashkisë nuk do të vijë të bëjë më fushatë nëse rruga e Torovicës nuk do të bëhet’’,-u shpreh Frrokaj. 

Ndërsa Prefekti i Lezhës Eduart Ndreca tha se shqetësimin për rrugën e Torovicës ia ka përcjellë qeverisë shqiptare.
 
Zona e Torovicës në Lezhë ka nisur të braktiset masivisht nga banorët për shkak të problemeve të shumta që ato përballen, ndërsa premtimet për investime nuk kanë munguar në çdo fushatë elektorale por që kanë rezultuar gënjeshtra.

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com