Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar mëngjesin e sotëm (rreth orës 08:30) një takim me drejtuesit politikë të qarqeve të Partisë Socialiste, në selinë e PS.

Sipas burimeve për Report Tv, në mbledhje kryeministri Rama ka kërkuar nga drejtuesit politik dhe ministrat që të jenë pranë qytetarëve me shqetësimet që ata kanë, po ashtu të mbajnë hapur zyrat e deputetëve në qarqe për të dëgjuar çdo qytetar që ka kërkesa apo ankesa. Ai ka komentuar edhe protestën e qytetarëve që po mbahet prej tre javësh nëTiranë.  Rama është shprehur se 'kjo është një luftë digjitale të cilën nuk e luftojmë dot'.

Shefi i qeverisë ka rikërkuar përsëri nga deputetët që të jenë më aktiv në rrjete sociale. Sipas porosisë së tij, askush s’mund të qëndrojë indiferent në këtë luftë digjitale dhe si deputetët, edhe kryebashkiakët duhet të jenë aktivë online për të thyer algoritmin negativ të sponsorizuar nga armiqtë e Shqipërisë në rrjetet sociale.

Ky takim i kryeministrit Edi Rama erdhi në një moment kur PS po adreson kundërshtimet ndaj investimeve në Zvërnec e Sazan, të cilat që në krye të herës Rama i ka konsideruar një luftë hibride online, nxitur kryesisht si histeri ndaj Donald Trump dhe dhëndrit të tij, Jared Kushner, dezinformim nga shtete armiqësore si Irani apo shtete konkurrente, apo dhe aktorë e kundërshtarë politikë nga Shqipëria, Kosova apo Maqedonia e Veriut.

Pas këtij takimi Rama ka mbajtur edhe një takim me kryebashkiakët. Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë i bëri një vërejtje kryetarëve të bashkive. Pa përmendur emra Rama tha se duhet të marrë fund sa më parë lënia e detyrave në komunitetin ku shërbejnë për të ardhur në Tiranë.