Inovacioni, ekselenca dhe specializimi inteligjent

Inovacioni, ekselenca dhe specializimi inteligjent

Konferenca e Strategjisë Smart Specialization, 31 tetor 2023, Tiranë

Më 31 tetor 2021, Shqipëria përmbylli me sukses një nga fazat më të rëndësishme të procesit të hartimit të strategjisë Smart Specialization(Specializimi Inteligjent), atë të konsultimit gjithëpërfshirës. Strategjia e Specializimit Inteligjent është një instrument i rëndësishëm në duart e qeverisë shqiptare, bazuar në dije dhe inovacion, për të nxitur investimet në fushat prioritare.

Përse do shërbejë Agjencia e Inovacionit dhe Ekselencës?

Në botën e sotme të internetit dhe teknologjive digjitale më të përparuara, ne nuk mund të qëndrojmë duarkryq dhe të bëjmë sehir. Shumë shpejt, qeveria jonë do të ngrejë Agjencisë e Inovacionit dhe Ekselencës, ku kërkimi shkencor, kjo materie e zhdukur për shumë dekada në Shqipëri, do të gjejë frymëmarrje.

Disa ministri kanë mundur të ecin me kërkimin shkencor, edhe pa u ngritur kjo agjenci. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka tre vite që po e provon me parqet fotovoltaike. Përmes ankandeve të organizuara dhe thirrjeve për projekte, ka mundur të mbledhë aplikime për parqe panelesh diellore të vegjël dhe të mëdhenj, me një vlerë prodhimi 1.7 gigavat energji elektrike, ose sa 18 përqind e nevojave të konsumit vjetor tek ne.

Vendi ynë është plotësisht i angazhuar për të realizuar objektivat e samitit të Procesit të Berlinit, që u mbajt në Tiranë gjatë muajit të kaluar dhe të Deklaratës së Sofjes, për Planin e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Strategjia e specializimit inteligjent tek ne ndihmon qeverinë dhe gjithkënd të përfshirë në projekte të reja dhe në kërkim shkencor.

Shqipëria ka nisur prej kohësh të zbatojë disa nga projektet më të rëndësishëm të Fondit të Infrastrukturës së Ballkanit Perëndimor, si për Korridorin Blu, tashmë edhe per Korridorin e VIII-të, i cili është zyrtarizuar me një vendim të fundit të Bashkimit Europian.

Specializimi inteligjent i përket shumë edhe bujqësisë dhe sigurisë ushqimore. Në bujqësi, instrumentet e inovacionit mund të jenë të rëndësishëm, madje edhe përcaktues për zhvillimin e qëndrueshëm, duke mos lënë pas dore mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetin, sikurse e kërkon Bashkimi Europian.

Specializimi inteligjent thërret me forcë përfshirjen e edukimit dhe përditësimin e kurrikulave të tij, me dijet e sektorëve më premtues të ekonomisë, të bazuar në teknologjinë digjitale. Reforma për përmirësimin e kurrikulave dhe edukimit duhet të nisë nga edukimi fillor dhe deri në atë universitar, që të ndikojë direkt në rritjen e kapaciteteve tona profesionale, si gjëja më e çmuar në vijimësi që ne kemi.

Specializimi inteligjent- magnet për Diasporën

Përmes specializimit inteligjent, ne kemi shansin të shohim për të tërhequr në Shqipëri një pjesë të fuqisë intelektuale të Diasporës, përmes qarkullimit të trurit. Qeveria jonë po synon të formatojë tregun profesional të viteve 2025-2030. Ky treg duhet të bëhet më tërheqës, për të mbajtur këtu kapacitetet tona njerëzore, por edhe për të kthyer në vendin tonë ata që sot ndodhen në diasporë dhe janë profesionalisht të realizuar.

Agjencia e Inovacionit dhe Ekselencës do të shërbejë si magnet për këta shqiptarë jashtë vendit. Qeveria po shikon edhe instrumentet financiarë, fonde buxhetore, apo fonde mbështetëse të Bashkimit Europian dhe të donatorëve të tjerë, për të mbajtur shqiptarët e talentuar dhe të përgatitur këtu në Shqipëri, apo për t’i tërhequr këtu ata që sot janë jashtë.

Ekipi Kombëtar i Strategjisë së Specializimit Inteligjent ka filluar punën, duke patur mbështetjen e plotë të të gjitha ministrive dhe institucioneve shtetërore, pjesë e Komitetit Ndërministror të krijuar nga qeveria, posaçërisht për mbajtjen e trurit në Shqipëri dhe sjelljen këtu të atij që ndodhet jashtë vendit.

Me strategjinë dhe planet e veprimit për specializimin inteligjent, vendi ynë plotëson po ashtu, një prej detyrimeve, në kuadër të integrimit në Bashkimit Europian, me dy kapituj: Kapitullin 20 ”Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale” dhe Kapitullin 25 “Shkenca dhe Kërkimi”.

Shqipëria-fidanishte e kërkimit shkencor dhe inovacionit?

Shqipëria, atdheu ynë duhet të shndërrohet me patjetër në një fidanishte të grupeve të kërkimit shkencor dhe inovacionit, pasi rrugë tjetër nuk ka, nëse duam një zhvillim të qëndrueshëm të vendit dhe kthim të tij në një qendër të qasjeve të reja teknologjike. Më 1 janar 2024, sistemi ynë bankar nis qasjen “Bankë e hapur”, me të dhënat e sistemit bankar të aksesueshme gjerësisht. Pritet që nismat e reja të ndërmarrjeve start-up të teknologjisë financiare të fillojnë vrullshëm pas 1 janarit 2024, pra, pas më pak se dy muajve. Do të ishte e pamundur që vetë shteti të ngrinte institute kërkimi. Sot ka ardhur një kohë tjetër, ku, përmes një bashkëpunimi të ngushtë qeveri-biznes- akademikë dhe shoqërisë civile, të krijojmë një habitat të mundshëm, për ngritjen e qendrave kërkimore brenda institucioneve të ndryshme, qofshin këto universitete, qofshin edhe kompani të biznesit privat, apo njësi pranë ministrive apo agjencive shtetërore, të cilat kanë fusha specifike dhe mbulojnë sektorë të rëndësishëm, siç është sektori minerar apo siç është energjia, apo edhe sektorë të tjerë shumë të rëndësishëm dhe përparësorë, si bujqësia dhe turizmi. Edhe vetë transporti ka nevojë për studime, për kërkime dhe gjithçka tjetër. Nuk jemi vetëm në këtë qasje. Mbarë procesi i specializimit inteligjent në Shqipëri po ndiqet nga afër nga Komisioni Europian dhe Qendra e Përbashkët Kërkimore e Komisionit Evropian. Strategjia dhe plani i veprimit i Specializimit Inteligjent do të jenë shumë shpejt përparësi madhore e qeverisë dhe një instrument i rëndësishëm për drejtimin e investimeve në të ardhshmen, në fushat më me interes për vendin dhe qytetarët tanë.

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb