FIER-Dy policë dhe një avokat janë arrestuar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, pas disa muajsh hetime në kuadër të operacionit “Mashtruesit”.

Të arrestuarit janë;
- Klajdi Xhymerti 29 vjeç, me profesion avokat nga Fieri;
- Nën/Komisar Marjon Hasanbasha 32 vjeç, me detyrë Specialist i Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Fier;
- Nën/Komisar Erjon Muhaj 34 vjeç, me detyrë Specialist i Krimeve, pranë Komisariatit të Policisë Fier.

Sipas policisë, punonjësit u arrestuan pasi duke qenë në detyrën e specialistit të Krimeve dhe të OPGJ-së në Komisariatin e Policisë Fier, në bashkëpunim edhe me avokatin Klajdi Xhymerti nëpërmjet skemës së mashtrimit, dyshohet se realizonin presione dhe inskenime ndaj qytetarëve të ndryshëm kundrejt përfitimit të shumave financiare për arrestime/ndalime ndaj tyre, për shkak të kallëzimeve penale që bëheshin, por që nuk përmbanin elementë të veprës penale.

Në këto kushte, njofton policia, arrestimi u bë për veprat penale “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre, në bashkëpunim".

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat si dhe Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, u bën thirrje qytetarëve, të cilët janë bërë pre e kësaj skeme mashtrimi nga këta persona, që të depozitojnë kallëzimet e tyre pranë dy institucioneve SHÇBA dhe Prokurori. Hetimet lidhur me këtë rast vazhdojnë deri në zbardhjen e të gjithë ngjarjes.