TIRANE- Amnistia e 813 të burgosurve në muajin prill të këtij viti duket se nuk ka ndikuar në uljen e mbipopullimit në burgjet shqiptare. Fenomeni i mbipopullimit është ngritur si shqetësim edhe nga deputetja Vasilika Hysi. Pasi një vizite në burgun 313 në seksionin e grave, së bashku me disa anëtarë të tjerë të nënkomisionit parlamentar “Për të drejtat e njeriut”, deputetja Hysi u shpreh se gjatë monitorimit janë ndeshur një sërë problemesh që duhet të zgjidhen.

“Ne kemi konstatuar një sërë problemesh të cilat nuk adresohen të gjitha vetëm për sistemin e burgjeve por kanë të bëjnë edhe me prokurorinë , me sistemin gjyqësor, avokatinë me shërbimet sociale po edhe me ne politik bërësit, pra se si i hartojmë ligjet dhe se si i kemi ndryshuar ligjet . Lidhen probleme me kushtet në paraburgim, lidhen probleme me mbipopullimin për shkak edhe të politikës penale . Së shpejti ne do bëjmë një raport i cili do të diskutohet në komisionin e ligjeve dhe do adresojmë të gjitha rekomandimet institucioneve përkatëse”, tha Hysi.
 
Aktualisht në burgjet shqiptare ndodhen 5 100 të burgosur sipas shifrave të Drejtorisë së Burgjeve, teksa kushtet e vështira në këto institucione janë ngritur si shqetësime edhe më parë në media, ku nuk kanë munguar dhe denoncimet nga vetë të burgosurit.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)