Kryebashkiaku Erion Veliaj ka inspektuar ecurinë e punimeve për ndërtimin e dy shkollave të reja në në Kamëz ku edhe theksoi se kanë si synim hapjen e tyre brenda kërij viti. Shkollat “Nënë Tereza” dhe “Kennedy” do të ofrojnë tre ciklet për nxënësit e zonës së Kamëz, duke filluar që me parashkollorin, 9-vjeçaren dhe më pas gjimnazin. Për Veliajn kjo është një mundësi shumë e mirë pasi fëmijët nuk do të mundohen për të shkuar në shkolla që i kanë shumë larg me vendbanimin.
“Është një ditë shumë e mirë për Kodër Kamzën. Kemi hyrë në fazën e fundit të këtij kompleksi shkollor. Dikush mund të lindë në Kodër Kamëz dhe nga mosha 3-4 vjeç kur fillon parashkollorin, vazhdon 9-vjeçaren, gjimnazin, nëse do edhe universitetin, apo edhe pas universitarin, mund të vazhdojë të jetë këtu deri në 23, apo 24 vjeç. Kjo do të thotë që për 20 vite të jetës, ku, një fëmijë tipik i Kodër Kamzës kalonte një përqindje të kohës vetëm me vara-vingo për të shkuar në qendër të Tiranës për një shkollë më të mirë, këtyre mundimeve iu vjen fundi. Brenda këtij viti ne do të përgatitemi për hapjen e këtij kampusi, kampusi ndoshta më i madh shkollor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë, por edhe më i bukur. Më vjen mirë edhe për “feedback”-un që morëm nga Stefano Boeri për mënyrën se si ka avancuar projekti! Tani duhet të kujdesemi për detajet e fundit, të sigurohemi që të punojmë gjatë gjithë kësaj stine të mbetur që para fundit të vitit ne t’i japim këtë bizhu arsimore komunitetit të Kodër Kamzës,” u shpreh Veliaj.
Gjatë inspektimit Veliaj u shpreh se prioritet i tyre është që çdo fëmijë në Kamëz të ketë të njëjtin shans si fëmijët e kryeqytetit.
“Parimi ynë ka qenë që një fëmijë në Kodër Kamëz do duhet të ketë të njëjtin shans si në Kombinat, si në Kinostudio apo në bllok. Detyra jonë si Bashki është që tu ofrojmë të gjithëve një shans të barabartë për t’ia nisur. Unë besoj fort që me këtë infrastrukturë nuk ka asnjë justifikim se kush është i mirë e kush punon fort arrin të shkëlqejë njëlloj, si nga Kodër Kamza, si nga Blloku, Kinostudio, apo Kombinati,” tha ai.
Ndër të tjera kryebashkiaku u bëri thirrje prindërve që regjistrimin e fëmijëve ta bëjnë në bazë të shkollës ku iu takon dhe të mos synojnë institucionet larg vendbanimeve të tyre pasi infrastruktura e shkollave është pothuajse njësoj kudo. Sipas Veliajt kështu shmanget fëmijët shmangin trafikun dhe kanë më shumë kohë në dispozicion që muna ti përdorin për të shkuar në një klub sportiv apo kurse të ndryshme.
“Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët, tani që kanë filluar regjistrimet, po hapen shumë shkolla të reja në Tiranë, edhe në Tiranën periferike, edhe në Tiranën e vjetër urbane, të respektojmë atë që thotë gjendja civile regjistri i nxënësve dhe ligjet e këtij shteti, që, secili të regjistrohet tek shkolla më e afërt. Infrastruktura është pothuajse njësoj kudo. Ndërkohë që edhe me portalin e mësueseve, mësuesit nuk zgjedhin më shkollat preferenciale, pra nuk ka më asnjë arsye pse të ushtrojmë trysni për një shkollë ku fëmijës i duhet një orë me furgon në trafik të kalojë nga një cep i qytetit në tjetrin. Orët e kaluara në trafik mund të jenë orët ku fëmija merr një kurs sportiv, një kurs muzike, apo gjuhe të huaj,” u shpreh Veliaj