Ndërkohë që janë shpallur në kërkim edhe 6 të tjerë, ku 5 prej tyre janë inspektorë të INUV dhe 1 punonjës policie. Burimet zyrtare bënë të ditur se arrestimet e tyre janë kryer nën akuzat e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Korrupsionit pasiv”. SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës kishte rreth një vit që mbanin nën vëzhgim personat e arrestuar, duke finalizuar dy ditë më parë operacionin “Smile 3”.
Të arrestuarit
Arrestimet e zyrtareve të Bashkisë dhe komisariatit të Policisë në Kamëz janë kryer orët e vona të së martës, duke përfunduar orët e para të mëngjesit të djeshëm, në pranga ka përfunduar Afrim Deda, 40 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë kryeinspektor pranë Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Vendor në Bashkinë Kamëz; Muhamed Korra, 55 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë kryeinspektor pranë Komunës Zall Herr; Gazmir Marku, 44 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Inspektor në Inspektoriatin Ndërtimor Urbanistik Vendor në Bashkinë Vorë; Petrit Jani, 34 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë ish kryeinspektor pranë Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Vendor në komunën Bërxullë; Murat Mena, 59 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Inspektor në Inspektoriatin Ndërtimor Urbanistik Vendor në Bashkinë Kamëz; Arjan Hoxhaj, 43 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Inspektor Inspektoriatin Ndërtimor Urbanistik Vendor në Bashkinë Kamëz; Fatmir Mulaj me detyrë punonjës Policie; Qemal Sinaj me detyrë punonjës Policie.
Gjithashtu janë shpallur në kërkim shtetasit A. P.; K. H.; A. T.; L. Sh.; L. L.; I.H. Këta punonjës dyshohet se duke bashkëpunuar me njëri-tjerin kanë konsumuar elementë të veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Korrupsionit pasiv”, parashikuar nga neni 248-25 dhe 259 të Kodit Penal.
Hetimet
Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se këta punonjës me veprimet apo mosveprimet e tyre gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, kanë sjellë si pasojë dëmtimin e interesave të shumë qytetarëve si dhe dëm shtetit, në drejtim të zhvillimit normal të territorit, duke lejuar zhvillimin e ndërtimeve pa leje. Rezulton se në total janë lejuar mbi 80 ndërtime apo shtesa ndërtimi në mënyrë të kundërligjshme.
Nga verifikimet në terren të forcave policore, kishte rezultuar që të paktën 39 ndërtime të paligjshme nuk ishin konstatuar dhe as referuar nga ana e inspektorëve të INUV-it. Prokuroria e Tiranës ka arritur në konkluzionin se inspektorët e INUV për zonat e Kamzës, Paskuqanit, Bërxullës dhe Zall Herrit, konstatonin ndërtime të paligjshme në ambjente familjare e biznesi dhe nuk i raportonin.
Në bazë të të dhënave proceduriale, rezultoi se inspektorët e INUV ishin në dijeni të ndërtimeve të paligjshme dhe i kishin lejuar me bindje, me qëllimin për të marrë përfitime materiale prej shtetasve që kryenin ndërtimet. Burimet bënë me dije se shumat që punonjësit e arrestuar merrnin varionin nga 1000-3000 euro.
Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)