50 kuti postare për ankesat e të burgosurve po instalohen në të gjitha IEV Penale të vendit, në sajë të bashkëpunimit midis Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Institucionit të Avokatit të Popullit.

Ky bashkëpunim vjen në kuadër të përmbushjes së kompetencave kushtetuese dhe ligjore që lidhen me veprimtarinë e të dyja institucioneve, respektivisht Institucionit të Avokatit të Popullit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Të pranishëm në ceremoninë simbolike që u mbajt sot në IEVP "Mine Peza" ishin Avokati i Popullit, Igli Totozani, Drejtoresha e Mekanizmit për Parandalimin e Torturës, Jorida Rustemi, Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Bledar Skënderi, Drejtori i IEVP "Mine Peza", Fatjon Fanaj, si dhe përfaqësues të tjerë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.


Drejtoresha e Seksionit të Mekanizmit për Parandalimin e Torturës, si pjesë e Institucionit të Avokatit të Popullit, u shpreh se kjo është një iniciativë në vazhdim të bashkëpunimit të deritanishëm dypalësh institucional.

"Një ndër praktikat e mira dhe me ndikim pozitiv në kuadrin e parandalimit dhe përmirësimit të shërbimeve është vendosja e kutive postare të Avokatit të Popullit. Gjithashtu, këto kuti shërbejnë si një mekanizëm efikas në rritjen e besueshmërisë, parandalimin dhe ndjekjen e rasteve të pretendimeve për shkelje të të drejtave të njeriut."

Ndërsa Zv/Drejtori Skënderaj, nga ana e tij, tha për mediat se kutia postare ka elementë të sigurisë, siç është çelësi për hapjen e saj, që e ka vetëm Institucioni i Avokatit të Popullit. Kjo, tha ai, për arsye që të rrisim transparencën dhe që të burgosurit të ndihen të sigurt se letrat e tyre shkojnë në destinacion.
Instalohen kuti postare ne IEVP "Mine Peza"

Instalimi i njërës prej kutive postare për depozitimin e akesave të të burgosurve u krye në ambjentin e ajrimit të IEVP "Mine Peza", si një lehtësi për të burgosurit që mund ta përdorin në çdo kohë gjatë ajrimit apo aktiviteteve të tjera. Jo pa qëllim, kutia postare u vendos në krah të një pikture të realizuar nga një i burgosur, që mban portretin e Nënë Terezës me një pëllumb paqeje në krah të saj dhe një mesazh domethënës.

Në të gjitha IEVPenale këto kuti do të jenë të pozicionuara në regjimin e brendshëm, si një mjet më shumë në rritjen e transparencës së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve ndaj të drejtave të të burgosurve për të dërguar kërkesa apo ankesa të natyrave të ndryshme në adresë të Ombudsmanit të Shqipërisë apo çdo institucioni dhe organizate tjetër që punon në fushën e të drejtave të njeriut. 

ATSH