TIRANË - Defiçiti tregtar në muajin dhjetor u ul me 7,9 % krahasuar me dhjetorin e vitit 2013 dhe u rrit me 29,8 % në krahasim me muajin paraardhës. Sipas statistikave zyrtare të publikuara nga Instituti i Statistikave, mbi Tregtinë e Jashtme 2014, në vlerë, defiçiti tregtar i këtij muaji është 35 miliard lekë.

Referuar të dhënave të INSTAT-it, në muajin dhjetor 2014 eksportet e mallrave arritën vlerën 19 miliard lekë, duke u ulur me 10,5 % në krahasim me dhjetorin e vitit 2013 dhe 10,4 % në krahasim me nëntorin e vitit 2014. Rënie më të madhe vjetore kanë patur eksportet e grupeve, “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 29,6 %, “materiale ndërtimi dhe metale” me 26,1 % dhe “prodhime druri dhe letre” me 19,9 %.

Rritje më të madhe vjetore, sipas INSTAT-it patën eksportet e grupit “makineri, paisje dhe pjesë këmbimi” me 89,7 %, “produkte kimike dhe plastike” me 30,9 % dhe “lëkurë dhe artikujt prej tyre” me 28,7 %.

Në muajin dhjetor 2014 importet e mallrave arritën vlerën 54 miliard lekëve, duke u ulur me 8,8 % në krahasim me dhjetorin e vitit 2013 dhe duke u rritur me 12,0 % në krahasim me nëntorin 2014. Rënie më të madhe vjetore kanë patur importet e grupeve “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 29,9 %, “makineri, paisje dhe pjesë këmbimi” me 20,5 % dhe “ushqime, pije, duhan” me 10,9 %.

Rritje më të madhe vjetore patën importet e grupit “Prodhime druri dhe letre” me 21,7 %, “produkte kimike dhe plastike” 17,7 % dhe “materiale ndërtimi dhe metale” 9,8 %.
Shkëmbimet tregtare me vendet e Bashkimit Europian zënë 65,1 % të të gjithë tregtisë. Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia me rreth 35,9 % të totalit, Turqia me 7,0 %, Kina me 6,8 % dhe Greqia me 6,5 %.

Marrë nga "ATSH"

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)