Eksportet e mallrave shënuan rënie me 12,8 % muajin e shkuar, krahasuar me marsin e vitit e vitit 2015. Ndërsa, në krahasim me shkurtin e këtij viti, eksportet në mars 2016 u rritën me 9,9 %.

Eksportet arritën vlerën 19 miliardë lekë, thuhet në raportin e Institutit të Statistikave, publikuar sot.

Ndërkohë, importet arritën vlerën 46 mld lekë në mars 2016, duke u rritur me 4,6 % në krahasim me marsin e vitit 2015 dhe 11,1 % në krahasim me shkurtin e këtij viti.

Raporti mes eksporteve dhe importeve ka sjellë edhe rritjen e defiçitit tregtar.

“Defiçiti tregtar i këtij muaji është 27 mld lekë, duke u rritur me 22,0 % krahasuar me Mars 2015 dhe 12,0 % në krahasim me Shkurt 2016”, thuhet në importin e INSTAT për tregëtine e jashtme të mallrave. 

Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve
Ulja vjetore e eksporteve prej 12,8 % këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -10,6 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -8,4 pikë përqindje, “Makineri, paisje dhe pjesë këmbimi” me -1,6 pikë përqindje.

Në ndryshimin vjetor të eksporteve kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Tekstile dhe këpucë” me +6,8 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” kanë kontribuar me +1,2 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me +0,6 pikë përqindje. 

Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të importeve
Rritja vjetore e importeve prej 4,6 % këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Tekstile dhe këpucë” me +2,0 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +1,4 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me +1,2 pikë përqindje.

Në ndryshimin vjetor të importeve kanë ndikuar negativisht grupet: “Makineri, paisje dhe pjesë këmbim” me -0,7 pikë përqindje dhe “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -0,6 pikë përqindje.

Në mars 2016, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Mars 2015 janë: Italia me 3,7 %, Malta me 110,6 % dhe Greqia 1,0 %. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Kosova me 32,1 %, Maqedonia me 19,8 %, dhe Kina me 37,1 %.

Ndërsa, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Mars 2015 janë:Turqia me 20,9 %, Greqia me 6,3 % dhe Gjermania me 8,5 %. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia me 1,8 %, Kina me 7,8 % dhe Serbia me 5,1 %.

Redaksia Online
(m.b/shqiptarja.com)