TIRANE- Në tremujorin e fundit të vitit 2014, volumi i konsumit me pakicë është rritur me 4,1% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. E dhëna vjen përmes raportit të Institutit të Statistikave mbi tregtinë me pakicë për këtë periudhë, ku theksohet se volumi i shitjeve për grupin ushqime, pije, duhan është rritur 11,3 %.

“Në tremujorin e katërt 2014, indeksi i volumit të shitjeve në Tregtinë me Pakicë është rritur 4,1 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Ndërkaq, në grupin e Tregtisë me Pakicë pa përfshirë këtu Tregtimin me Pakicë të Hidrokarbureve ky indeks ka pësuar rritje prej 7,1% kundrejt të njëjtit tremujor të vitit të mëparshëm” thekson INSTAT.