INSTAT: Numri i pensionistëve u
rrit 12.6 për qind në gjashtë vjet

Numri i pensionistëve është duke u rritur me një ritëm shumë të përshpejtuar vitet e fundit, duke bërë të qartë se pse ndërkombëtarët, duke përfshirë Bankën Botërore dhe Fondin Monetar, kanë këmbëngulur aq shumë vite më parë që në Shqipëri të ndërmerret sa më shpejt që të jetë e mundur një reformë në fushën e pensioneve. Madje, duke e cilësuar problematikën e këtij sektori si një risk me përmasa të konsiderueshme, në rast se qeveria shqiptare nuk do të merrte në kohën e duhur masat e përshtatshme për t’i dalë përpara.

Buxheti
Përmasat e problematikës së pensioneve bëhen të qarta po të shohësh prognozën e shpenzimeve për qëllime të sigurimeve shoqërore vitin e ardshëm. Sipas projektbuxhetit 2018, që ka mbërritur tashmë në Kuvend, ku pritet të fillojnë diskutimet në komisione, gjatë vitit të ardshëm për sigurime shoqërore do të përdoren nga buxheti i shtetit 126.1 miliardë lekë. Kjo është një shifër, që kërkon angazhimin e fondeve, që zenë 25.4 për qind të gjithë buxhetit. Natyrisht, jo e gjithë kjo shumë shkon për pensione, pasi shpenzimet për qëllime shoqërore përfshijnë edhe fusha të tjera të karakterit social.

Por, sa për të cituar shifrat më të fundit statistikore zyrtare, që i përkasin vitit 2016, atë vit shteti ka shpenzuar 90.5 miliardë lekë për pensione. Pra, janë 680 milionë euro në vit, ose 57 milionë euro çdo muaj, që shteti ka derdhur nga Thesari në adresë të pensionistëve të qytetit e fshatit.

Shpenzimet buxhetore për pensionistët rezultojnë me një ritëm rritjeje të dukshme. Ndërkohë që në vitin 2010, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, shpenzimet për pagesat e pensioneve ishin 63.7 miliardë lekë, në fund të vitit 2016, ato u rritën në masën 42%. Ndërkohë, në vitin 2016 pagesat e pensioneve ishin 5.6 për qind më të larta se në vitin 2015.

Pensionistët
Pra, shpenzimet ndaj përfituesve të pensioneve në vitin 2016 u rritën me 4.5 miliardë lekë, ose rreth 32 milionë euro. Por, ndërkohë edhe numri i tyre është rritur gjithashtu. Kështu, në rast se në vitin 2010 në Shqipëri kishte 543.053 pensionistë, gjashtë vjet më vonë ky numër arriti në 611.544. Madje, gjatë këtij viti kjo shifër është rritur edhe më tej, por ende nuk kanë dalë shifra zyrtare, të cilat mund të konsultohen vetëm pasi të mbarojë viti kalendarik. Pra, në gjashtë vjet kemi një rritje në masën 12.6 për qind, me 68.491 vetë. Të dhënat tregojnë edhe se, për vitin 2016, numri i personave që marrin pension ishte 12.600 më i lartë se në 2015-ën.

Në fillim të vitit 2017, popullsia rezidente e vendit, sipas INSTAT-it, zyrtarisht llogaritej në 2.876.591 vetë. Ndërkohë, numri i pensionistëve shënonte një shifër sa 24% të popullsisë së vendit.

Ritmet e rritjes së numrit të pensionistëve u përshpejtuan fuqishëm pas vitit 2012. Më 2010-2011 ata u shtuan me pak më shumë se 5.000 vetë, por gjatë 2013-ës në skemë janë shtuar mbi 16.000 pensionistë të tjerë dhe po ashtu mbi 15 mijë pensionistë hynë në skemë më 2015.

Sipas një materiali studimor të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, shkak për këto ritme është përmirësimi i jetesës dhe shëndetit, që ka çuar në një pritshmëri më të lartë të jetëgjatësisë. Por, nga ana tjetër, kemi të bëjmë edhe me arritjen në moshe të pension të një kategorie të caktuar të qytetarëve shqiptarë, që ka lindur në periudhën e pas-Luftës së Dytë Botërore, ku lindjet kanë qenë me të vërtetë mbi mesataren e viteve të mëparshme e të mëvonshme.

Në të kundërtën ka vepruar një masë e marrë në kuadër të reformës së pensioneve, që ka të bëjë me zgjatjen e periudhës së kontributeve për gratë, të cilat tanimë dalin në pension gjashtë muaj më vonë se më parë dhe vitet në vijim kjo periudhë do të rritet edhe më tej. Në përputhje me këtë, ritmet e rritjes së numrit të pensionistëve janë ulur dy vitet e fundit.

Megjithatë, pritet që rritja e numrit të pensionistëve të vazhdojë edhe në periudhë afatmesme, duke rritur përqindjen e popullsisë në moshë pensioni krahasuar me totalin e popullsisë.


Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Efektivi bie nga lartësia e pallatit në Tiranë, dërgohet te Trauma! Nuk dihen shkaqet

Efektivi bie nga lartësia e pallatit në Tiranë, dërgohet te Trauma! Nuk dihen shkaqet