Në muajin shkurt 2016 ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 0.2%, njoftoi Instituti i Statistikave. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2.3%. Në këtë mënyrë, ekonomia e Shqipërisë duket se po rrëshqet drejt deflacionit, ndërkohë që Banka e Shqipërisë preferon një inflacion në masën nga 2 deri në 4 për qind, si kushte për të zhvilluar ekonominë. 

Inflacioni drejt zeros, apo, më keq, nën zero, tregon për një rënie të theksuar të konsumit, si dhe ulje të çmimeve të disa artikujve në tregun ndërkombëtar, të tilla si nafta, etj, që japin ndikimin e tyre edhe në tregun vendas.

Krahasuar me muajin shkurt 2015, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shërbimi arsimor” me 4.8%, pasuar nga grupi “Pije alkoolike dhe duhan” me 2.6%, grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2.2%, etj. Brenda grupit të ushqimeve, çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 27.8%, pasuar nga nëngrupi “zarzavate përfshirë patatet“ me 9.6%, etj.

Ndërsa ulja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transport” me 4.1%, “Veshje dhe këpucë” me 3.4%, pasuar nga grupet “Shëndeti” me 2.2%, etj. 

Ndërsa, krahasuar me muajin janar 2016, rritja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije alkoolike” me 3.3% dhe ulja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupin “Veshje dhe këpucë” me -1.3%.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)