Gazetari dhe analisti nga Kosova, Faton Mehmeti, deklaroi për Report TV se takimi i zhvilluar mes kryeministrit në detyrë Albin Kurti, kreut të LDK-së Lumir Abdixhiku dhe presidentes Vjosa Osmani ka qenë më i frytshëm se ai i zhvilluar më herët me kreun e PDK-së, Bedri Hamza.
Sipas Mehmetit, Abdixhiku është i detyruar politikisht të hyjë në një koalicion me Vetëvendosjen, pasi kjo mund të jetë mënyra e vetme për të ruajtur drejtimin e LDK-së, në një kohë kur brenda partisë kanë nisur lëvizje për shkarkimin e tij.
“Lumir Abdixhiku nuk ka shumë alternativa. Futja në koalicion me Kurtin është mundësia e vetme për të mbetur në krye të LDK-së”, u shpreh Mehmeti.
Ai tha se edhe presidentja Vjosa Osmani ka luajtur një rol të rëndësishëm në negociata, duke i shprehur Kurtit gatishmërinë për të hequr dorë nga kandidatura e saj për presidente, me qëllim krijimin e institucioneve të reja dhe zhbllokimin e situatës politike.
Megjithatë, Mehmeti vlerësoi se edhe një marrëveshje mes Vetëvendosjes dhe LDK-së nuk garanton automatikisht zgjedhjen e presidentit, pasi duhen të paktën 81 vota në Kuvend dhe një pjesë e deputetëve të LDK-së mund të mos e mbështesin një marrëveshje të tillë.
Analisti parashikoi se Albin Kurti mund t’i ofrojë LDK-së një marrëveshje më të kufizuar se ajo e mëparshmja, kur ishte propozuar dhënia e katër ministrive dhe posti i zëvendëskryeministrit.
“Kurti e di se Abdixhiku ka nevojë për koalicionin dhe për këtë arsye mund t’i ofrojë shumë më pak se herën e kaluar. Megjithatë, unë besoj se Abdixhiku do ta pranojë çfarëdo oferte për të shmangur një krizë të brendshme në parti”, tha Mehmeti.
Sipas tij, nëse marrëveshja mes palëve nuk përfshin një paketë të plotë për formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit, atëherë Kosova rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme.
“Ose do të ketë një marrëveshje në paketë mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, ose vendi do të shkojë në zgjedhje të reja”, përfundoi Mehmeti.
Komente







