Viti 2025 i ngurtësoi edhe më shumë shpenzimet. Historia e mosrealizimit të shpenzimeve u përkeqësua gjatë këtij viti, pasi në asnjë muaj nuk u realizua planifikimi i bërë nga Ministria e Financave, ndërkohë që volumi më i madh i shpenzimeve është lënë për në dhjetor.

Shifrat e Ministrisë tregojnë se në 11 muaj institucionet shpenzuan në total 638.6 miliardë lekë nga 703.3 miliardë lekë që ishte plani për këtë periudhë. Ndërsa për gjithë vitin 2025 shpenzimet duhet të arrijnë në vlerën 831.7 miliardë lekë, pra vetëm në dhjetor duhen harxhuar 193.1 miliardë lekë ose gati 2 miliardë euro.

Siç ndodhi edhe vjet, ecuria e dobët e shpenzimeve për investime është bërë shkak për mosrealizimin e planit. Rreth 34.8% e investimeve të planifikuara për vitin 2025 nuk janë realizuar deri në fund të muajit nëntor. Shifrat e Ministrisë së Financave tregojnë se në 11 muaj shpenzimet kapitale arritën në 76.6 miliardë lekë, ose vetëm 65.2% e planit vjetor.

Ministria e Financave ka deklaruar më herët se shkak për këtë ecuri të dobët të investimeve, janë bërë vonesat në procedurat tenderuese, dhe ecuria e projekteve me financim të huaj.

Edhe pse viti 2025 duhet të mbyllet me deficit prej 61.6 miliardë lekë (shpenzime më shumë se të ardhura), shifrat e 11-mujorit tregojnë se aktualisht jemi me suficit prej 49.1 miliardë lekë (491 mln euro), pra më shumë para janë mbledhur sesa janë shpenzuar.

Për periudhën janar-nëntor janë mbledhur në total 687.7 miliardë lekë në rritje krahasuar me vjet edhe pse plani 11 mujor nuk është realizuar. Kontributin më të madh në rritjen e të ardhurave vijon ta mbajë tatimi mbi të ardhurat personale, që për periudhën 11 mujore arritën në 75.9 miliardë lekë pse 26.2% më shumë se vjet. Ministria e Financave thotë se ndikim në rritjen e tatimit mbi paga po jep lufta ndaj nëndeklarimit.

Rritjen e dytë më të madhe e ka pasur TVSH-ja me 16.3% më shumë se 11-muajit e 2024-ës, dhe në total u mblodhën 63.6 miliardë lekë. Kurse të hyrat doganore janë më të reduktuara për shkak edhe të zhvlerësimit të valutave.

TË ARDHURAT E PËRGJITHSHME
Janar-Nëntor 2025      687.7 mld lekë
Planifikimi                  694.8 mld lekë
Realizimi vjetor          770.1 mld lekë

 

SHPENZIMET E PËRGJITHSHME
Janar-Nëntor 2025      638.6 mld lekë
Planifikimi                  703.3 mld lekë
Realizimi vjetor          831.7 mld lekë