Vetëm dy muaj nga mbyllja e vitit, dhe institucionet nuk kanë shpenzuar gati 30% të buxhetit të planifikuar për investime apo shërbime deri në fund të tetorit 2025.

Sëmundja e vjetër duket se po thellohet edhe më shumë gjatë këtij viti, ku pavarësisht thirrjes së vazhdueshme të institucioneve vendase (KLSH-BSH) dhe të huaja (FMN-BB), për të pasur shpërndarje më të drejtë të shpenzimeve dhe të mos përqendrohen në nëntor dhe dhjetor, përsëri rekomandimet nuk janë zbatuar.

Në shifrat e fundit të publikuara nga Ministria e Financave tregojnë se në total janë shpenzuar nga institucionet 5 miliardë e 788 milionë euro deri në fund të tetorit, nga 6 miliardë euro që ishte plani i rishikuar edhe me aktin normativ të tetorit 2025.

Ndërkohë deri në fund të dhjetorit, ministritë dhe institucionet e tjera duhet të harxhojnë 8.3 miliardë euro, pra brenda vetëm dy muajsh duhet të shpenzojnë gati 2.5 miliardë euro.

Siç ndodhi edhe vjet, ecuria e dobët e shpenzimeve për investime është bërë shkak për mosrealizimin e planit. Referuar të dhënave në këtë 10-mujor shpenzimet kapitale, që lidhen direkt me investimet arritën në 664 milionë euro, duke u realizuar plani me vetëm 83.3% thotë ministria. Ndërsa shpenzimet korente që shkojnë për paga, sigurime, interesa apo mirëmbajtje u realizuan në masën 98.1% të planit ose 5.1 miliardë euro.

Në kahun tjetër, për herë të parë gjatë këtij viti nuk janë mbledhur as të ardhurat e planifikuara, si duket rritje e pritshmërive me aktin normativ të rishikimit të buxhetit, nuk i përgjigjet zhvillimit aktual në vend.

Në total tatimet dhe doganat mblodhën 6.2 miliardë euro nga 6.3 miliardë euro që ishte plani për këtë 10 mujor. Kontributin më të madh në rritjen e të ardhurave vijojn ta mbajnë tatimi mbi të ardhurat personale dhe TVSH-ja, ndërkohë që të hyrat doganore janë më të reduktuara, ndikuar prej zhvlerësimit të valutave.

Por përsëri realizimi i objektivit për të mbledhur 7.7 miliardë euro është më i realizueshëm sesa ai i shpenzimeve, pasi ecuria ka treguar që mesatarisht mblidhen 500-600 milionë euro në muaj.

Për shkak se janë mbledhur më shumë para dhe shpenzuar më pak, nuk është arritur as deficiti i projektuar në 616 milionë euro për këtë vit, pasi deri më tani jemi me suficit 491 milionë euro.

E njëjtë ishte situata edhe vjet, kur qeveria u detyrua të bënte një rishikim buxheti për të mbuluar shpërblimin e pensionistëve, u dha shpërblim për punonjësit e administratës dhe familjet në nevojë, ndërsa pjesën tjetër e shpërndau nëpër projekte infrastrukturore, për bashkitë si dhe aprovojë një kredi Albcontrol.

TË ARDHURAT E PËRGJITHSHME
Janar-Tetor 2025      6.2 mld euro
Planifikimi               6.3 mld euro
Realizimi vjetor      7.7 mld euro
SHPENZIMET E PËRGJITHSHME
Janar-Tetor 2025      5.7 mld euro
Planifikimi                  6 mld euro
Realizimi vjetor       8.3 mld euro