Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, nga Pojskë, gjatë një vizite në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale, u ndal te 1 Qershori, Dita e Fëmijëve, të cilën e zgjodhi simbolikisht për të folur për rolin e drejtësisë në shoqëri.

Ai tha se drejtësia nuk duhet parë vetëm si ndëshkim, por edhe si proces rehabilitimi. Sipas tij, sistemi duhet të synojë jo vetëm vuajtjen e dënimit, por edhe rikthimin me dinjitet të personave të dënuar në familje dhe komunitet. Ai theksoi se “nuk ka ndarje dhe nuk ka mure” kur bëhet fjalë për marrëdhënien familjare, edhe për personat që vuajnë dënimin.

“Kam zgjedhur sot 1 qershorin, Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, që të jem sot në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale në Pojskë. Pikërisht se besoj fort se drejtësia duhet të jetë e pranishme jo vetëm përmes ndëshkimit edhe dënimit, por edhe përmes rehabilitimit. Dhe të dëshmoja sot që për dashurinë mëmësore, për familjen, nuk ka ndarje dhe nuk ka mure”, tha Gogu.

Ministri foli edhe për projektligjin e amnistisë, duke sqaruar se ai tashmë ka mbërritur në Kuvend dhe pritet të nisë diskutimi parlamentar. Ai u shpreh se amnistia është një instrument që synon të ruajë balancën mes ndëshkimit dhe humanizmit, duke përjashtuar qartë krimin e organizuar dhe korrupsionin, të cilët nuk përfitojnë nga kjo nismë.

“Detajet për amnistinë do t'i ndiqni në ditët në vijim sepse do të jetë diskutim i gjithanshëm në komisionin parlamentar, por ajo çfarë mund t'ju them është ato vepra që nuk do të përfitojnë dhe ato subjekte që nuk do të përfitojnë, që janë krimi i organizuar dhe korrupsioni. Pra, amnistia është një instrument i politikës penale e cila, në radhë të parë ka një fytyrë njerëzore. Pra, nga njëra anë ne do të sigurojmë që ligji të vazhdojë të ndëshkojë ato fenomene dhe ato vepra për të cilat shoqëria jonë tashmë ka një konsensus dhe, nga ana tjetër, të rikthejmë fytyrën njerëzore për të rehabilituar, sidomos të moshuarit, të sëmurët, gratë, të miturit”, tha Gogu.

Në lidhje me kushtet në burgje, Gogu tha se janë marrë në konsideratë raportet e Avokatit të Popullit dhe të organizmave ndërkombëtare. Sipas tij, po punohet për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve, sidomos atyre shëndetësore, me qëllim afrimin e sistemit penitenciar me standardet europiane.

“I lexojmë me shumë vëmendje raportet e Avokatit të Popullit. Kemi mbajtur shënim të gjitha vërejtjet e Avokatit të Popullit dhe rekomandimet e tij, dhe jo vetëm të Avokatit të Popullit, por edhe të organizmave ndërkombëtarë. Jemi duke punuar së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm dhe me të gjithë ekipin në mënyrë që të rikthejmë menjëherë në secilin institucion, sidomos në ato institucione ku detyrimi për shërbim mjekësor është i domosdoshëm, pra në institucionet ku vuhet dënimi dhe për shkak të detyrimit mjekësor”, tha Gogu.

I pyetur për mbipopullimin në burgje, ministri pranoi se numri i të paraburgosurve është më i lartë se ai i të dënuarve me vendim të formës së prerë. Ai tha se kjo është një problematikë e njohur, që lidhet edhe me vendimmarrjen gjyqësore, dhe shtoi se po diskutohet zgjerimi i përdorimit të masave alternative si mbikëqyrja elektronike.

“Për këtë ka dhe një raport të Këshillit të Europës. Por unë besoj këto janë masa që do të adresohen si nga vetë gjyqësori, si për shembull siç është vendimi i unifikuar i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, i cili detyron të gjitha gjykatat e Republikës së Shqipërisë që të arsyetojnë pse masat e tjera nuk janë të përshtatshme, pra janë të papërshtatshme, derisa shkohet tek masa e arrestit dhe se vetëm ajo, në rastin konkret, për personin konkret, për veprën konkrete, është më e përshtatshme”, tha Gogu.

Në fund, duke u ndalur edhe te pretendimet për trajtimin e të dënuarve, Gogu theksoi se çdo person ka të drejtën e ankesës dhe se institucionet janë të detyruara të garantojnë respektimin e të drejtave të njeriut, duke ndërhyrë kur ato shkelën.