Në Shqipëri po ndërtohet më shumë se në vitin e kaluar. Instituti i Statistikave raporton për 782 leje të reja të miratuara nga pushteti vendor në gjashtëmujorin e parë të vitit gati 28% më shumë se vjet, kur 61 bashkitë e vendit kishin miratuar në total 610 leje ndërtimi.
Rritja e numrit të lejeve është shoqëruar edhe me zgjerim të sipërfaqes së re të ndërtimit. Lejet e miratuara zënë rreth 684 mijë metra katrorë, nga 613 mijë metra katrorë një vit më parë.
Por pavarësisht rritjes së numrit të lejeve dhe sipërfaqes, vlera e përafërt e ndërtimeve të reja ka shënuar rënie. Në janar–qershor 2026, u përllogaritën 30.2 miliardë lekë, nga 32.2 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, një ulje prej 2 miliardë lekësh, ose rreth 6.2%.
Pra, gjashtëmujori i parë i 2026 tregon më shumë leje dhe më shumë sipërfaqe ndërtimi, por një vlerë më të ulët të investimeve të parashikuara
Ky raport i INSTAT nuk ka të përfshira lejet e ndërtimit që japin institucionet e tjera si KKT, për kullat e mëdha apo për resortet, që kanë sipërfaqe më të madhe ndërtimore por dhe vlerë më të lartë investimi.
Ndërtimet e reja janë burimi kryesor i të ardhurave për pushtetin vendor. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave gjysma e parë e viti u mbyll me 18.3 miliardë lekë të ardhura nga ‘taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja’, me rritje prej 12.2 miliardë lekë krahasuar me vitin 2025.
Bashkia e Tiranës është në krye me vlerën më të madhe të të ardhurave nga kjo taksë me 12.4 miliardë lekë në 6 muaj, ndjekur nga Bashkia Himarë me 1.2 miliardë lekë, më pas është Durrësi me 841 milionë dhe më tej Kavaja me 620 milionë lekë të ardhura nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.
Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja | Realizimi 6M 2026 | Realizimi 6M 2025 | Rritja 6M 2026-6M 2025 |
Bashkia Tiranë | 12,467,490 | 2,696,517 | 9,770,973 |
Bashkia Himarë | 1,211,035 | 301,680 | 909,355 |
Bashkia Sarandë | 477,903 | 70,671 | 407,232 |
Bashkia Durrës | 841,338 | 532,741 | 308,597 |
Bashkia Shkodër | 327,470 | 20,163 | 307,307 |
Bashkia Lezhë | 230,636 | 41,824 | 188,812 |
Bashkia Kavajë | 620,046 | 452,584 | 167,462 |
Total pushteti vendor | 18,342,610 | 6,142,446 | 12,200,164 |
Burimi: Drejtoria e Financave Vendore, Ministria e Financave (2026)








Komente
Komento