Ndërsa Konferenca e 8-të Ndërqeveritare është vetëm pak orë larg, Gazment Bardhi tha grupi parlamentar i PD do të paraqesë në Kuvend 3 nisma ligjore në ditët në vijim që synojnë të adresojnë kushtet që BE ka vendosur.
Nismat konkrete konsistojnë në shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike, dekriminalizimin e shpifjes ndaj gazetarëve dhe pastrimin e parave si nen i veçantë në Kodin Penal.
“Partia Demokratike nuk do të humbasë kohë me retorikë boshe politike, por do të nisë përkthimin në akte konkrete të disa prej kushteve që Bashkimi Europian i ka vendosur Shqipërisë si pasojë e keqqeverisjes. Për këtë arsye, ne do të depozitojmë në Parlament tre nisma konkrete, që kërkojnë votën e deputetëve.
-Së pari, shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike. Këtë e kemi kërkuar edhe më parë me nisma konkrete, por Partia Socialiste e ka rrëzuar. Sepse pas këtij ligji qëndron vetë Edi Rama, interesat e tij personale dhe rrethi i oligarkëve të krijuar nga pushteti. Ky ligj special, i papajtueshëm me frymën europiane të konkurrencës dhe barazisë para ligjit, për vite me radhë ka prodhuar favorizime, mungesë konkurrence, grabitje të pronës publike dhe private dhe deformim të tregut. Pikërisht me këtë ligj lidhen drejtpërdrejt shqetësimet që sot Bashkimi Europian ngre për PPP-të, sektorin e ndërtimit dhe korrupsionin.
-Së dyti, dekriminalizimin e plotë të shpifjes ndaj gazetarëve. Me këtë nismë ndërmarrim një hap konkret në mbrojtje të lirisë së medias dhe në përputhje me standardet europiane që kërkojnë mbrojtje më të fortë për gazetarët dhe fundin e presionit politik apo penal ndaj tyre. Të paktën, gazetarët shqiptarë, që sot vuajnë pasojat e autocensurës, censurës nga pronarët dhe pasigurisë për vendin e punës, të mos përballen edhe me kërcënimin e ndjekjes penale nga zyrtarë të korruptuar.
-Së treti, kriminalizimin e pastrimit të parave si vepër penale të veçantë në Kodin Penal. Kjo është një nga kërkesat më të drejtpërdrejta të Bashkimit Europian në këtë fazë të negociatave, përballë alarmit në rritje për ekonominë informale, sektorin e ndërtimit, korrupsionin vendimtar dhe qarkullimin masiv të parasë së pistë në Shqipëri. Sepse sot, për herë të parë, BE-ja nuk po flet më vetëm për korrupsion si fenomen, por për rrezikun real që paraja informale dhe korrupsioni të deformojnë vetë ekonominë, zgjedhjet dhe shtetin shqiptar”, tha Bardhi.
Bardhi tha se Shqipëria po hyn në fazën më të rëndësishme të procesit të integrimit me më shumë kushte dhe mosbesim nga BE. Ndërkohë që kryeministri Rama ndodhet në Bruksel bashkë me një grup nga ekipi negociator, opozita pati kritika duke u shprehur se nuk është trajtuar kurrë si partnere në procesin kombëtar ndërsa integrimi është përdorur si propagandë politike.
“Sot është dita kur Shqipëria duhet të përfaqësohej e bashkuar në Bruksel. Dita kur qeveria dhe opozita duhet të qëndronin së bashku në një tryezë për t’i treguar Europës se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është mbi çdo interes partiak, mbi çdo kalkulim politik dhe mbi çdo interes personal. Nën drejtimin e Edi Ramës, opozita dhe qytetarët nuk janë trajtuar kurrë si partnerë në një proces kombëtar, por si armiq që duhen përjashtuar. Ndërsa integrimi europian është përdorur vazhdimisht si propagandë elektorale dhe si dekor politik sa herë ka zgjedhje. Sepse me opozitën në tryezën e negociatave, Edi Rama nuk do të mund të fshihte të vërtetën e plotë të këtij procesi. Nuk do të mund të fshihte vonesën 6-mujore të negociatave. Dhe këtu po i referohem vetëm kohës së raportit të fundit, pa llogaritur fare 13 vitet në pushtet apo 3 vitet në opozitë, kur me votë bllokoi negociatat. Edi Rama e përjashton opozitën dhe qytetarët nga tryeza e negociatave, sepse kërkon të fshehë të vetmen të vërtetë sot: se Shqipëria po hyn në fazën më të rëndësishme të procesit me më shumë kushte dhe me më shumë mosbesim. As fotografitë dhe as shampanja e propagandës nuk e fshehin dot të vërtetën se vetëm për Grupkapitullin “Themeloret”, grupi me të cilin hapen negociatat dhe nga i cili varet e gjithë mbyllja e negociatave, Bashkimi Europian i vendosi Shqipërisë në raportin e pak ditëve më parë 34 kushte. Të gjitha më të rënda. Asnjë lehtësim”, tha Bardhi.
Konferenca e 8-të konsiderohet një moment i rëndësishëm në fazën aktuale të negociatave, pasi fokusohet në përmbylljen e kushteve të ndërmjetme që përcaktojnë ritmin e mëtejshëm të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Kushtet e BE të cilat Bardhi përmend lidhen me korrupsionin, parandalimin e rrjeteve të patronazhimit, adresimin e shqetësimeve të ngritura nga OSBE-ODIHR, mbikëqyrje të qeverisë nga parlamenti dhe ndërhyrjen parlamentare në proceset hetimore.
Komente









