Report Tv ka siguruar dokumentin përfundimtar të vendeve anëtare të BE për ecurinë e Shqipërisë, i dakordësuar mbi një draft që KE ua paraqiti atyre, paralelisht me raportin e vlerësimit të piketave të ndërmjetme, i njohur si IBAR. Varianti final, i dakordësuar mes shteteve anëtare në COELA, është dukshëm më i ashpër dhe më politik sesa drafti fillestar i Komisionit Europian.
Varianti final vendos fokusin jo më te progresi i Shqipërisë, por te kushtet konkrete që duhet të përmbushen për mbylljen e Kapitullit 1, që lidhet me themelet e shtetit të së drejtës. Shtetet anëtare kanë forcuar ndjeshëm gjuhën për korrupsionin dhe funksionimin e institucioneve të drejtësisë. Për herë të parë, SPAK përmendet specifikisht në dokument dhe shoqërohet me shqetësimin për “sulme të shtuara dhe shqetësuese”, përfshirë edhe në nivele të larta politike. Ndryshe nga drafti fillestar, ku BE kërkonte në mënyrë të përgjithshme shmangien e ndërhyrjeve ndaj drejtësisë, në variantin final theksohet qartë nevoja për mbrojtjen e SPAK-ut dhe respektimin e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë.
Dokumenti vlerëson rezultatet e SPAK-ut dhe gjykatave të posaçme në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë, por paralelisht nënvizon se korrupsioni mbetet i përhapur në administratë, pushtetin vendor dhe sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë. Madje, në gjuhën diplomatike të BE-së, korrupsioni nuk cilësohet më si “shqetësim serioz”, por si “shqetësim thelbësor”. Praktikisht shtetet anëtare po sinjalizojnë se lufta kundër korrupsionit është kusht real për ecjen përpara.
Për herë të parë në një dokument të tillë për Shqipërinë, përmenden edhe “rrjetet patronazhiste”. BE kërkon uljen e ndikimit të tyre, ndalimin e keqpërdorimit të burimeve shtetërore dhe garantimin e një “fushe loje të barabartë” në zgjedhje.
Në raport shtohen gjithashtu kritika dhe kushte të reja për pronat, zonat bregdetare dhe të drejtat e minoriteteve. Gjithashtu, shtohen kërkesa më të forta për respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, transparencën e ndërmarrjeve shtetërore, reformën në polici dhe mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve. Ne thelb, shtetet anëtare i kane dhënë dokumentit një qasje me kushtezuese dhe më kritike ndaj qeverisjes në Shqipëri.
Ndryshimet kryesore politike në tekstin e majit 2026 përfshijnë:
(1) SPAK-u përmendet dhe mbrohet në mënyrë eksplicite — sulmet politike cilësohen si “në rritje dhe shqetësuese, përfshirë në nivele të larta”;
(2) Korrupsioni ngrihet nga një shqetësim “serioz” në një shqetësim “thelbësor” — një gjuhë pranë vijës së kuqe;
(3) Rrjetet patronazhiste përmenden për herë të parë si problem i qeverisjes zgjedhore;
(4) Ndërhyrja parlamentare në hetimet në vijim të SPAK-ut trajtohet specifikisht;
(5) Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe standardet e Komisionit të Venecias për imunitetin ngrihen në nivel kushti për mbylljen e benchmark-ut;
(6) Abuzimet me pronat lidhen me zonat e pakicave dhe zonat bregdetare; përmenden shpronësimet pa kompensim të drejtë;
(7) Integriteti i policisë, autonomia e pushtetit vendor dhe transparenca e ndërmarrjeve shtetërore kthehen në kërkesa specifike dhe të matshme;
(8) Benchmark-u për kriteret ekonomike zgjerohet nga një fjali e vetme në një kërkesë me shumë kushte.

Kliko këtu për të lexuar raportin final të vendeve anëtare (Anglisht)
Kliko këtu për të lexuar raportin final të vendeve anëtare (Shqip)

(Kliko këtu për të lexuar draftin e propozuar nga KE)
Lajmi në përditësim....
Komente








