Ministrja Gjosha e pranishme në konferencën "Mbështetja e BE-së dhe qytetarët shqiptarë- një perspektivë rajonale" u shprehën se procesi kompleks drejt integrimit në BE lodh qytetarët, ndërkohë që ish-ministrja Bregu tha se ajo që i lodh njerëzit është debati politik

Ministrja tha se Shqipëria ka sot nevojë të rrisë kapacitetet, të rrisë standardet në shumë sektorë, të ketë ekspertizën e nevojshme për  reformat, të ketë struktura eficiente institucionale, jo vetëm për tu zhvilluar më tej, por edhe për të qenë akoma dhe më shumë e përgatitur për të menaxhuar fondet e BE-së.

“Shqipëria ndodhet përpara një sfide shumë të madhe, atë të negociatave për anëtarësim.  Për të tejkaluar këtë sfidë, jemi të vetëdijshëm se  kryesisht, në kuadër të prioriteteve kyçe,  kushtet që duhen plotësuar varen nga vullneti dhe angazhimi i gjithë aktorëve të shoqërisë sonë. Mbi të gjitha varen, nga vullneti dhe përgjegjshmëria e klasës  politike shqiptare”, tha Ministrja Gjosha. 
 
Bregu tha se "Qytearët nuk i lodh procesi, ata i ka lodhur pritja e gjatë që e kanë parë si formë shpëtimi për një jetë më të sigurt. Kjo i bën që të kenë pritshmëri të lartë. Mbase ne nuk kemi qënë të zotët t’jua shpjegojmë BE-në. Debati ynë politik i harron këto investime dhe merremi për ti nxjerrë sytë njëri-tjetrit”.

Kjo konferencë u organizua me rastin e ceremonisë së mbylljes së projektit Instrumenti Lehtësues për Përgatitjen e Projekteve (PPF), të financuar nga BE dhe ADC.  I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe z.  Sebastian Kurz, Ministër për Europën, Integrimin dhe Punët e Jashtme, i Republikës së Austrisë.
 
Z. Kurz, në fjalën e tij përshëndetëse, theksoi se Austria do të vijojë të mbështesë Shqipërinë për procesin e integrimit.  Ministrja Gjosha, u shpreh pa  partnerëve  europianë, rruga e Shqipërisë për t’iu bashkuar BE-së do të ishte  edhe më  e  vështirë.
 
 Fjala e plotë e Ministres Gjosha
 Kam kënaqësinë t’ju uroj mirëseardhjen në këtë konferencë me fokus “Mbështetjen e BE-së dhe qytetarët shqiptarë”. Është  nder dhe kënaqësi  shumë e madhe të kemi sot mes nesh Ministrin e Punëve të Jashtme, të  Austrisë z. Sebastian Kurz.  
 
Gjej rastin ta falenderoj,  për mbështetjen e jashtëzakonshme  që Austria i ka dhënë procesit të integrimit të vendit tonë.  
 
Kjo u dëshmua qartë me statusin e vendit kandidat, ku Austria ishte ndër të parat  vende që u rendit krah Shqipërisë,   duke shprehur hapur mbështetjen e saj.
 
Agjencia Austriake për Zhvillim, ka  dhënë gjithashtu një kontribut të pakursyer,  për një sërë projektesh që prekin sektorë të rëndësishëm në Shqipëri.
 
Ju falenderoj, pasi pa mbështetjen tuaj dhe të gjithë partnerëve tanë europianë, rruga e Shqipërisë për t’iu bashkuar BE-së do të ishte  edhe më  e  vështirë.
 
Shqipëria ndodhet përpara një sfide shumë të madhe, atë të negociatave për anëtarësim.  Për të tejkaluar këtë sfidë, jemi të vetëdijshëm se  kryesisht, në kuadër të prioriteteve kyçe,  kushtet që duhen plotësuar varen nga vullneti dhe angazhimi i gjithë aktorëve të shoqërisë sonë. Mbi të gjitha varen, nga vullneti dhe përgjegjshmëria e klasës  politike shqiptare.
 
Por, pavarësisht kësaj mbështetja nëpërmjet instrumenteve specifike financiarë të BE-së, është për ne një domosdoshmëri.
 
Kjo marrëdhënie kontraktuale ka domethënien e saj pikërisht në prekshmërinë dhe qëndrueshmërinë e reformave, të nevojshme që duhet të kryejmë me qëllim anëtarësimin  e plotë në BE, i cili në vetvete është një mjet i pazëvendësueshëm për të përmirësuar standardet e jetesës së qytetarëve tanë.
 
Shqipëria ka sot nevojë të rrisë kapacitetet, të rrisë standardet në shumë sektorë, të ketë ekspertizën e nevojshme për  reformat, të ketë struktura eficiente institucionale,   jo vetëm për tu zhvilluar më tej, por edhe për të qenë akoma dhe më shumë e përgatitur për të menaxhuar fondet e BE-së.
 
Shqipëria e sheh perspektivën e saj europiane, lidhur ngushtë me axhendën e reformave në vend, të fokusuar në konsolidimin e shtetit të së drejtës, përmes reformës në drejtësi si reforma kyçe e të gjithë mbarëvajtjes së procesit të integrimit dhe konsideron se hapja e negociatave,  do të jetë një nxitje dhe angazhim i mëtejshëm për një adresim më të mirë të sfidave që sjell zbatimi i këtyre reformave.
 
 Shqipëria,  do të vijojë në të ardhmen të përfitojë fonde nga Bashkimi Europian. Jam e bindur se me qasjen e re sektoriale, projektet në të  do të jenë më  të maturuara  duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë  në përmirësimin e jetës së qytetarëve shqiptarë.  
 
Ne jemi të vendosur të përmbushim të gjitha detyrat e shtëpisë, ashtusikurse vlerësojmë çdo partneritet real që na jep shtysën e duhur për të vazhduar rrugën që kemi nisur.
 
Projekti PPF është shtrirë për një afat kohor prej 7 vitesh  dhe  me atë çka prezanton sot përpara jush, jam e bindur se ka arritur objektivat e tij.
 
Unë ju falenderoj edhe njëherë dhe  duke ju uruar shumë suksese të gjithëve kam kënaqësinë t’i jap fjalën Ministrit  të Punëve të Jashtme, të Austrisë, z. Sebastian Kurz.