Samiti i Durrësit/ Kufiri i Kosovës, Hahn: Asnjë pranim në BE pa zgjidhur problemet

Ditën e sotme është zhvilluar Samiti i Durrësit me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të BE, komisioneri për Zgjerimin Hahn dhe zyrtarë të BERZH e Bankës Botërore. Por në takimin e zhvilluar në Durrës nuk morën pjesë tre kryeministrat, e Serbisë për shkak të axhendës, i Maqedonisë për shkak të kushteve të motit pasi u anulua fluturimi dhe ai i Bullgarisë, i anuluar në minutat e fundit, ndërsa Rama i shprehu ngushëllimet për tragjedinë ku humbën jetën 15 persona nga një aksident.

Në qendër të Samitit ishte integrimi ekonomik rajonal, heqja e barrierave mes vendeve dhe hapja e vendeve të reja të punës. Kryeministri shqiptar Edi Rama u shpreh se qëllimi i takimi është bilanci për atë që është bërë në kuadër të procesit të Berlinit dhe Samitit të Tristes dhe rritja e mëtejshme e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Si Haradinaj, ashtu edhe Hahn e Rama nuk e anashkaluan çështjen më të nxehtë të Ballkanit për momentin, idenë e shkëmbimit të territorit mes Kosovës e Serbisë. Haradinaj tha se kufijtë e Kosovës nuk mund të preken ndërsa Hahn shtoi se kryesorja është stabiliteti i rajonit. Në një mendje me të ishte edhe Kryeministri Rama.

“Asnjë anëtar i ri nuk do të pranohet në BE pa zgjidhur njëherë problemet dyplaëshe”- ishte ky qëndrimi i eurokomisionerit për zgjerim Johanes Hahn i pyetur për marrëveshjen mes Serbisë dhe Kosovës për korrigjimin e kufijve në Samitin e liderëve të rajonit në Durrës. Kryeministri Haradinaj ishte i prerë duke pohuar se Kufijtë e Kosovës nuk preken. Ndërsa Rama u përgjigj shkurt se mbështet qëndrimin e Hahn.

Kushte objektive kanë pamundësuar praninë e disa miqve të tjerë, i shpreh ngushëllimet tona kryeministrit Borisov për aksidentin tragjik ku humbën jetën shumë persona dhe është bërë shkak për anulimin në minutën e fundit të ardhjes së tij, po ashtu kryeministri i Maqedonisë e ka pasur të pamundur fluturimin për shkak të kohës, kryeministrja e Serbisë na përcolli keqardhjen për mungesën. Duke bërë një bilanc të ecurisë të procesit të krijimit të zonës ekonomike. Kemi diskutuar më gjerësisht për marrëdhëniet për ecurinë e përbashkët në BE. Objektiv është ngritja e qendrës për zhvillimin e qëndrueshëm teknologjik në Malin e Zi, iniciativë që e mbështesim fuqimisht. Duhet të ecim shumë shpejt me standardet e ndërveprimit evropian në raport me tarifat, kontrollet dhe burokracitë dhe jo të bëjmë hapa prapa. Me Kosovën jemi një familje e ndarë me një kufi që nuk na pengon që të bëjmë më tepër dhe kur vjen puna të shkëmbimet tregtare kemi probleme. Haradinaj e tha në nëntor do të kemi mbledhjen e dy qeverive dhe kemi rënë dakord të kapërcejmë ngërçet e trashëguara në lidhje me doganat dhe ndërveprimet në këtë fushë. Shumë faleminderit atyre që kanë ardhur dhe tani konferenca është e hapur për pyetjet tuaja.

Edi Rama

Ndërsa Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn u shpreh se Bashkimi Europian do të vijojë që të mbështesë bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Hahn tha se rajoni duhet të promovohet si markë, jo vetëm në turizëm, por edhe në sektorë të tjerrë duke vecuar energjinë.

Sot kemi diskutuar për zhvillimin ekonomik, atë që është realizuar deri tani. Në vitin e fundit janë hapur 80 mijë vende të reja pune në të gjithë rajonin dhe tregtia është rritur. Kjo demonstron edhe potencialin ende të pranishëm në rajon që pret të shfrytëzohet që të përmirësohen kushtet ekonomike mes vendeve të rajonit, të heqim barrierat informale dhe formale. Të vijoj njohja e diplomave akademike dhe certifikatave. Dëgjova se mund të ketë mundësi që dy vendet që nuk janë pjesë e ‘Roaming’ të merren parasysh që të bëhen pjesë. Ne na është dashur mbi 10 vite për të gjetur një zgjidhje në BE, por ne kemi eksperiencë dhe e dimë cfarë rruge duhet ndjekur. Duhet ta promovojmë rajonin si markë në nivelin global, personalisht do u bëj thirrje ti kushtoni rendësi sektorit të energjisë. Rajoni ka më shumë mundësi për të qenë më shumë i vetëmbështetur për prodhimin e energjisë me kusht që të ketë bashkëpunim më të mirë.

Johannes Hahn

Kryeministri i Malit të Zi, Duško Marković u shpreh se koha është e mbushur me sfida, por Ballkani është i vendosur për të ecur përpara.

Në duhet të përmbushim angazhimet në kuadër të procesit të Berlinit, sot bëmë një vlerësim të rezultateve të arritura dhe objektivave që përballemi. Vendosëm dhe ramë dakord që plani i veprimit duhet të jetë axhenda që na mban në lëvizje të gjithëve për të krijuar më shumë vende të reja pune. Sot në emër të Malit të Zi do të falënderoja Ramën për mbështetjen për hapjen e Institutit të Teknologjisë. Besoj që koha është e mbushur me sfida.

Duško Marković

Ndërkohë që vëmendjen kryesore në samitin e sotëm e mori debati i hapur kohët e fundit në Kosovë për idenë e rishikimit të kufijve me Serbinë. Kryeministri i Kosovës, Haradinaj ishte i prerë kur u shpreh se kufijtë nuk duhet të ndryshohen, por të respektohen.

Kosova po e kryen pjesën e vet. Jemi pak me vonesë me hekurudhat, por jemi në proces të mbylljes së ‘Roaming’, kemi vështirësi për lirinë e lëvizjes, liberalizimin e vizave. Kur kalojë në Serbi kemi shumë vështirësi, po ashtu edhe në Bosnje, për të komunikuar me Kroacinë na duhen viza. Më lehtë e kemi marrëdhënien me Shqipërinë, në gjysmën e dytë të nëntorit do të kemi takimin e dytë të qeverive në bëjë për heqjen e barrierave doganore. Desha të shtoj dicka për kufijt, Kosova i ka kufijtë e saj dhe i respektojmë dhe nuk mendoj se duhet ndonjë kreativitet i ri për dizenjimin e tyre, por duhet ti respektojmë

Ramush Haradinaj

I pyetur për këtë temë nga gazetarët, Johannes Hahn konfrimoi edhe njëherë qëndrimin e pak ditëve më parë se cdo zgjidhje mes palëve nuk duhet që të cënojë stabilitetin e Ballkanit.

Mendoj që nuk është e përshtatshme që të bëjmë komente lidhur me diskutimet dhe negociatat, takimi javën e ardhshme nuk do të jetë i fundit, do të jetë një tjetër takim dhe do të kërkojë kohë që të gjendet një marrëveshje, nuk jam gati që të bëj asnjë koment. Ne nuk do të pranojmë asnjë anëtar të ri nëse nuk janë zgjidhur problemet dypalëshe. Për ne ka rëndësi stabiliteti në rajon, cdo marrëveshje nuk duhet të rrezikojë stabilitetin e rajonit, cilido që të jetë objektivi përfundimtar.

Johannes Hahn

Kryeministri Rama nuk pranoi që të bënte komente për kufijtë duke mbështetur qëndrimin e Johannes Hahn. ‘Kthejeni në shqip, keni edhe nënshkrimin tim të fjalës që tha komisioneri’ tha Rama. Gjatë konferencës për shtyp Rama është pyetur nga gazetarët sërish për cështjen e emigrantëve që Shqipëria pranoi nga Italia. Ai përsëriti se nuk është tregti për përshpejtimin e negociatave për në BE, por një cështje njerëzore që secili duhet të bëjë atë që i takon.

Ne nuk e kemi bërë për të ndikuar, nuk mund të rrinim spektatorë, ku njerëz që janë larguar nga ferri u kthyen në të burgosur të impotencës politike dhe evropiane po të doni, nuk mund të zgjidhim këtë problem, por në pozitën e dikujt që rri e shikon, ne bëmë atë që mundëm dhe është rasti për të rikujtuar se Ballkani në krizën e 2015 ka bërë atë që duhet të kishte bërë gjithë Europa, duke u treguar një rajon evropian në besimin dhe vlerat që e mëshirojnë Europën. Duke theksuar se ishte një gjest i natyrshëm për shqiptarët, ishim ne dje, ata eriterasit e djeshëm dhe Italia nuk na la në mes të detit, gjesti nuk ka pasur asnjë qëllim të fshehtë.

Edi Rama

Foto zyrtare e kryeministrave të Ballkanit që morën pjesë në Samitin e Durrësit


Samiti mes kryeministrave te Ballkanit Perendimor qe po zhvillohet ne Durres

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:24
Zoran Zaev mungon në Samitin e Durrësit, e pengon moti i keq

Në Samitin joformal të Kryeministrave të Ballkanit në Durrës përveç kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiç dhe atij të Bullgarisë Nermin Niksiç nuk do të jetë as kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev.

Pavarësisht se fillimisht u njoftua që Zaev do t’i bashkohej samit me vonesë, Report Tv mëson se kryeministri i Maqedonisë dhe delegacioni shoqërues e ka anuluar tashmë vizitën për shkak të motit të keq

Në këtë takim kryeministrat e Ballkanit Perëndimor u fokusuan tek integrimi ekonomik rajonal., por nuk munguan as komentet për çështjen më të nxehtë të momentit atë të rishikimit të kufirit mes Kosovës e Serbisë.

Ora 13:45
Samiti i Durrësit, Presidenti i BERZH: Kemi investuar 10 miliardë euro në Ballkan

Presidenti i BERZH, Suma Chakrabarti u shpreh në Samitin e Durrësit se institucioni që ai drejton ka investuar në Ballkanin Perëndimor 10 miliardë euro. Investimet e BERZH në të ardhmen do të shtrihen në pjesën më të madhe në infrastrukturë.

Do të rrisim financimet për Ballkanin Perëndimor. BERZH ka investuar 10 miliardë euro, ky është rajoni me investimet më të larta, jam shumë i lumtur dhe krenar. Kjo ka ardhur, pasi brenda vendeve të Ballkanit ka pasur shumë ndryshime. Sfida është ta tejkalojmë këtë sfidë.

Suma Chakrabarti

Ora 12:41
Ramush Haradinaj i prerë para liderëve të Ballkanit: Kosova nuk i ndryshon kufijtë (VIDEO)

Kryeministri i Kosovës gjatë takimit nga Samiti i Durrësit u ndal te kufijtë duke deklaruar se nuk duhet të rishikohen. Ai ishte i prerë ku ru shpreh se Kosova i ka kufijtë e saj dhe ata duhet të respektohen.

Kosova po e kryen pjesën e vet. Jemi pak me vonesë me hekurudhat, por jemi në proces të mbylljes së ‘Roaming’, kemi vështirësi për lirinë e lëvizjes, liberalizimin e vizave. Kur kalojë në Serbi kemi shumë vështirësi, po ashtu edhe në Bosnje, për të komunikuar me Kroacinë na duhen viza. Më lehtë e kemi marrëdhënien me Shqipërinë, në gjysmën e dytë të nëntorit do të kemi takimin e dytë të qeverive për heqjen e barrierave doganore. Desha të shtoj dicka për kufijtë, Kosova i ka kufijtë e saj me vendet fqinje dhe i respektojmë dhe nuk mendoj se duhet ndonjë kreativitet i ri për dizenjimin e tyre, por duhet ti respektojmë

Ramush Haradinaj

Ora 12:12
Samiti/ Hahn: Rritje ekonomike dhe vende të reja pune në rrugën drejt BE të Ballkanit

E ndërsa në Durrës po zhvillohet samiti për Ballkanin Perëndimor, Komisioneri i Zgjerimit Johannes Hahn qe ndodhet ne takim ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale. Ai thotë se zona ekonomike rajonale do të nisë rritjen ekonomike dhe vendet e punës në Ballkan në rrugën drejt integrimit në BE.

Takimi i liderëve të sotëm në Durrës shton dinamikën pozitive që kemi dëshmuar gjatë muajve të fundit në lidhje me perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Zona Ekonomike do të nxisë rritjen ekonomike, vendet e punës dhe prosperitetin në rajon përgjatë rrugës për anëtarësimin në BE

Johannes Hahn

Ora 10:59
Rama me sytë nga qielli/ Çfarë nuk u pa nga pritja e Ramës për miqtë nga rajoni (FOTO)

REPORT TV sjell foto të tjera nga pritja e kryeministrit Rama për homologët nga Ballkani Perëndimor. Duket se shqetësimi i vetëm ka qenë shiu ditën e sotme, ndërsa Rama është fiksuar në foto me sytë nga qielli gjatë pritjes së kryeministrit të Malit të Zi.

Ora 10:48
Samiti në Durrës, ja si i ‘ruan’ Rama kryeministrat e Ballkanit (FOTO)

Kryeministri Edi Rama mikpriti mëngjesin e sotëm në Durrës kryeministrat e Ballkanit në Samitin informal që po zhvillohet për ekonominë dhe integrimin e rajonit në union. Report Tv sjell pamjet e pritjes së Ramës për homologët e Ballkanin Perëndimor, ndërsa në sfond duket anija e rojes bregdetare që ‘ruan’ miqtë specialë.

Anija e rojes bregdetare ne Durres
Ora 10:35
Mungojnë kryeministrat e Serbisë dhe Bosnjës

Në takim marrin pjesë vetëm 4 nga 6 kryeministrat e rajonit që ishin ftuar, pasi shefja e ekzekutivit të Serbisë Ana Brnabiç dhe ai i Bosnjës nuk kanë ardhur. Report Tv mëson se mungesa e kryeministrave së Serbisë dhe Bosnjës lidhet me axhendën, pasi e kishin konfirmuar më parë që nuk do të merrnin pjesë. 

Ora 09:59
Samiti informal i Liderëve të Ballkanit, merr pjesë edhe Majlinda Bregu

Pjesë e Samitit informal të Liderëve të Ballkanit  do të jetë edhe Majlinda Bregu, Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëkëpunim Rajonal

Ora 09:52
Batuta dhe të qeshura në Samitin e Ballkanit, Rama-Haradinajt: Hiqe kollaren

Kryeministri Edi Rama ka pritur të parin mysafir të Samitit informal të Liderëve të Ballkanit, kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.



Ata janë përshëndetur ngrohtë e nuk kanë munguar as batutat e të qeshurat mes tyre, pasi Rama i kërkoi që të heqe kollaren.  

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Kumti letrar i Ismail Kadare’, sonte në 22:00 ‘Elektroshok’ nga profesor Ardian Ndreca në Report Tv

‘Kumti letrar i Ismail Kadare’, sonte në 22:00 ‘Elektroshok’ nga profesor Ardian Ndreca në Report Tv