Ky takim u zhvillua në Budapest në kuadrin e Presidencës hungareze të Grupit të Vishegradit. Në takim morën pjesë edhe Ministrat e Punëve të Jashtme të Rumanisë, Bullgarisë, Rumanisë si dhe përfaqësues të Estonisë, Kroacisë, Sllovenisë.
Diskutimet u përqendruan në identifikimin e hapave për përshpejtimin e procesit të zgjerimit të BE në rajon, jo vetëm si një ushtrim teknik, por edhe si një instrument në përballjen me sfidat e sigurisë në Evropë.
Në mënyrë specifike për vendin tonë, vendet e grupit të Vishegradit shprehën mbështetjen për caktimin sa më shpejt të një date për fillimin zyrtar të negociatave për aderimin në BE.
Ata vlerësuan progresin e Shqipërisë, sidomos për reformën e sistemit të drejtësisë, dhe kërkuan që ky progres të reflektohet qartë në vendim-marrjen e BE-së.
Ministri Bushati, në fjalën e tij, vlerësoi si tepër të rëndësishëm rolin e vendeve të Vishegradit dhe mbështetjen e tyre në mënyrë që angazhimi i shprehur së fundmi nga BE ndaj procesit të zgjerimit të përkthehet në hapa konkretë.
Ministri nënvizoi rëndësinë e vijimit të axhendës së zgjerimit si një element thelbësor për rajonin tonë, por edhe për vetë BE-në. Duke informuar mbi progresin e vazhdueshëm në zbatimin e reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, Ministri Bushati theksoi se “zbatimi i ligjit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve është hapi kyç për të vijuar me vendosmëri në procesin e hapjes së bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Evropian".
Redaksia Online
D.Ç./Shqiptarja.com










