Qeveria ka miratuar dy vendime në kuadër të aspiratës për anëtarësim në BE. Zv/kryeministrja Albana Koçiu tha se është miratuar udhërrëfyesi për objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm 2030 dhe partneriteti strategjik me agjencitë e OKB.
“Qeveria miratoi sot udhërrëfyesin kombëtar për arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm 2030. Dokumenti përmban 66 kritere të matshme që do të orientojnë punën e institucioneve publike në përputhje me axhendën ’20-30 të Shqipërisë, zhvillimin dhe integrimin europian dhe zhvillimin e qëndrueshëm të OKB. Dokument i rëndësishëm është partneriteti strategjik mes institucioneve dhe qeverisë shqiptare me agjencitë e Kombeve të Bashkuara për vitet 2027-2031 që ka kaluar një fazë të gjerë konsultimesh publike që bazohet te zhvillimi i qëndrueshëm i kapitalit njerëzor, transformimi i qëndrueshëm ekonomik dhe rritja e gjelbër, së treti, mirëqeverisja, drejtësia dhe të drejtat e njeriut”, tha Koçiu.
Koçiu tha se aspirata është që të fillojnë brenda vitit diskutimet për 10 kapitujt përmbyllës.
“Ne jemi duke punuar, presim me përfundimin e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare, jemi duke pritur rekomandimet për kushtet përmbyllëse dhe aspirata është që brenda këtij viti të kemi filluar diskutimet për 10 kapituj. Duhet të ulemi në tryezë me palën europiane për të diskutuar një nga një gjithë detyrat dhe rekomandimet”, tha Koçiu.
Lajm në përditësim...
Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi njoftoi zgjatjen e misionit ushtarak të trupave shqiptarë në Letoni deri në 31 dhjetor 2029. Ministri nufi njoftoi gjithashtu njësimin e gradave ushtarake si dhe miratimin e projekteve fituese lidhur me qeverisjen vetëvendore dhe përgatitjen për përballimin e fatkeqësive natyrore.
“Vendimi i parë ka të bëjë me zgjatjen e misionit të shqiptarëve në Letoni. Kemi një togë e dislokuar dhe zgjatet deri më 31 dhjetor 2029. Ky vendim shërben për konsolidimin e forcave të armatosura në operacionet e NATO-s. I shërben sigurisë së përbashkët.
Vendim i dytë ka të bëjë me njësimin e gradave ushtarake, që në vitin 2015 ka pasur disa mospërputhje ë janë adresuar më këtë vendim.
E fundit lidhet me miratimin e VKM për projektet fituese nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile për qeverisjen vetëvendore për përballimin e fatkeqësive natyrore. Fondi parashikon që gjithsej të jenë fituese 44 projekte, 26 infrastrukturore dhe të tjerë për blejë pajisjes e mjetesh. Vlera totale është në masën 650 mln lekë ndërsa pjesa tjetër do të financohet përgjatë 2027”, tha Ermal Nufi.
E pyetur për ndikimin e votimit pro imunitetit të Belinda Ballukut në Kuvend kundrejt negociatave me BE, Albana Koçiu tha se nuk ka asnjë cenim të progresit të Shqipërisë.
“Gjithë këto vendimmarrje nuk e kanë cenuar progresin e Shqipërisë dhe as nuk e kanë vënë në diskutim raportin e saj me drejtësinë. Janë thjesht aludime të opozitës dhe atyre që e përbaltin përditë. Jemi duke diskutuar dhe negociuar për t’i mbyllur grupkapitujt brenda kësaj dekade. Duhet ta pranojnë që i bëjmë detyrat me përkushtim, seriozitet dhe BE na njeh progresin”, tha Koçiu.
Më tej, Koçiu shtoi se mbi raportin IBAR nuk duhet të bëhen interpretime përtej atyre që janë shkruar.
“Raporti IBAR duhet të lexohet mirë dhe qartë, siç është shkruar. Është mirë të mos bëjmë interpretime të gabuara të atyre që shkruhen në raportet e Komisionit Europian sepse është gjuhë teknike që në fund të ditës orienton institucionet për të kryer dhe marrë përsipër angazhimet”, tha zv/kryeministrja.
Komente









