Përmbushja dhe cilësia e reformave do të përcaktojnë afatin kohor të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Këtë evidenton raporti i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, i miratuar këtë të martë në komisionin e jashtëm me 58 vota pro. Raportuesi për vendin tonë Andrea Schieder tha se ambicia për mbylljen e negociatave brenda 2027-ës është më se realiste.
“Shkurtimisht, dua së pari të falënderoj të gjithë raportuesit në hije për negociatat shumë efikase, konstruktive dhe të suksesshme. Së dyti, dua të nënvizoj se Shqipëria konsiderohet gjithashtu nga Komisioneri ynë si një nga dy vendet kryesuese në procesin e zgjerimit. Këtë jemi përpjekur ta pasqyrojmë edhe në këtë raport, por përtej çështjeve të trajtuara në raportin e Komisionit, kemi dashur të theksojmë edhe disa elemente të tjera—konkretisht që reformat duhet të reflektohen edhe në jetën e përditshme të qytetarëve. Dhe veçanërisht, jemi përpjekur të vendosim fokus edhe te situata sociale në Shqipëri”, tha Schieder.
Raporti vlerëson procesin e negociatave, ndërsa Shqipëria cilësohet si “Kampione” për hapat drejt integrimit. Në raportin e përpiluar prej tij Brukseli apelon që Shqipëria të thellojë reformat dhe të forcojë sistemet demokratike. Nevoja për ndërhyrje urgjente shihet në pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit, ndonëse vlerësohet puna e bërë deri më tani nga SPAK.
“Pavarësisht progresit të arritur, Shqipëria ende përballet me disa sfida, si tejkalimi i polarizimit të brendshëm politik dhe përmirësimi i kulturës politike, forcimi i shtetit të së drejtës dhe konsolidimi i reformave kundër korrupsionit. Cilësia e reformave të vendit do të përcaktojë afatin kohor të anëtarësimit. Shqipëria duhet të konsolidojë më tej rezultatet konkrete në hetime, ndjekje penale dhe vendime përfundimtare, veçanërisht në rastet e korrupsionit në nivele të larta", thuhet në raport.
Sinjal pozitiv për Shqipërinë e ka cilësuar këtë raport ministri i Jashtëm Ferit Hoxha i cili nga Shkodra thotë se vendi ynë është pararojë në procesin e integrimit evropian.
Thirrja për partitë politike vijon të mbetet për më shumë dialog e bashkëpunim për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse. Në raportin e Parlamentit Evropian për Shqipërinë thuhet se nuk janë trajtuar rekomandimet e OSBE për këtë reformë.
Shqetësim kryesor mbetet mungesa e barazisë së kushteve në zgjedhje, keqpërdorimi i burimeve administrative, pretendimet për blerje votash dhe presion ndaj votuesve.
Raporti i hartuar nga Raportuesi për Shqipërinë në PE, Andreas Schieder, mori 58 vota pro, 7 kundër dhe 7 abstenime dhe më pas do t’i kalojë për miratim seancës plenare.
Kliko këtu për të lexuar raportin e plote

Presidenti Bajram Begaj ka përshëndetur miratimin e raportit të Komisionit të Jashtëm të PE për Shqipërinë. Ai e quan si një vlerësim për reformat e ndërmarra për anëtarësimin në BE dhe shton se Shqipëria është e përkushtuar në rrugën e saj evropiane.
“Miratimi i Raportit për Shqipërinë në Komitetin për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian është një vlerësim për reformat e ndërrmarra për përparimin e vendit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Shqipëria është e vendosur dhe e përkushtuar në rrugën e saj evropiane për arritjen e objektivit strategjik, anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”, shkruan Begaj në rrjetet sociale.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, e cilëson miratimin e raportit 2025 për Shqipërinë nga Komisioni i Jashtëm në Parlamentin Europian si një vlerësim të qartë dhe të padiskutueshëm për progresin e vendit në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Përmes një postimi në rrjetin social X, Hoxha thotë se rezoluta konfirmon përparimin e qëndrueshëm, angazhimin e palëkundur në reforma dhe faktin që Shqipëria renditet ndër vendet pararojë në procesin e zgjerimit, me ritëm të qëndrueshëm në negociata dhe hapjen e kapitujve.
Ai theksoi se dokumenti vlerëson edhe ambicien për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027 dhe rolin e Shqipërisë si partner i besueshëm në politikën e jashtme të BE-së. Ndërkohë, Hoxha pranoi se ka ende fusha ku duhen përpjekje të mëtejshme, por i konsideroi ato pjesë normale të procesit, duke theksuar se vendi do të vijojë reformat për të sjellë rezultate konkrete për qytetarët dhe për të çuar përpara integrimin europian.
Postimi i plotë i Ministrit Ferit Hoxha
"Komisioni për Punët e Jashtme i Parlamentit Evropian, miratoi sot, me 58 vota pro, tekstin e Rezolutës mbi Raportin e #Progresit të Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2025.Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e mirëpret këtë zhvillim të rëndësishëm, i cili përbën një vlerësim të qartë dhe të padiskutueshëm të përparimit të qëndrueshëm dhe të angazhimit të palëkundur të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Rezoluta përforcon gjetjet e Raportit të Komisionit Evropian, duke ofruar një pasqyrë të plotë, objektive dhe të balancuar mbi ecurinë e procesit të negociatave, thellësinë e reformave të ndërmarra dhe përputhjen e qëndrueshme të politikës sonë të jashtme me atë të Bashkimit Evropian dhe me rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
Ashtu si në dokumentet më të fundit të institucioneve evropiane, Shqipëria vlerësohet si një ndër vendet pararojë në procesin e zgjerimit. Theksohen përkushtimi ynë i qëndrueshëm, konsensusi i gjerë politik për integrimin evropian dhe mbështetja e fortë e qytetarëve për këtë proces. Hapja e të gjithë grup-kapitujve dhe ecuria e rregullt e procesit të #negociatave mbeten dëshmi konkrete e ritmit të reformave dhe e besueshmërisë së progresit të arritur.
Rezoluta vlerëson gjithashtu ambicien e #Shqipërisë për të përmbyllur negociatat deri në vitin 2027, duke reflektuar një mirëkuptim të përbashkët se vendi ynë ka hyrë në një fazë vendimtare të procesit të anëtarësimit. Rezoluta identifikon natyrshëm edhe fusha dhe aspekte ku kërkohen përpjekje të mëtejshme, të cilat janë pjesë e vetë procesit të zhvillimit të vendit dhe procesit të negociatave. Shqipëria i sheh këto si pjesë të një dialogu konstruktiv dhe të vazhdueshëm me institucionet evropiane, që ndihmon në orientimin dhe konsolidimin e reformave gjithëpërfshirëse në përputhje me rekomandimet dhe angazhimet e ndërmarra.
Një vlerësim i veçantë i jepet përafrimit të plotë të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, duke konfirmuar rolin tonë si një partner i besueshëm dhe kontribues aktiv në çështje strategjike evropiane dhe globale. Rezoluta njeh gjithashtu kontributin e Shqipërisë për stabilitetin rajonal dhe angazhimin në iniciativa të rëndësishme të BE-së, si Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili do të përshpejtojë më tej konvergjencën ekonomike me Bashkimin Evropian.
Në tërësi, kjo rezolutë konfirmon se Shqipëria është në rrugën e duhur dhe se procesi i zgjerimit po prodhon rezultate konkrete. Qasja jonë mbetet e pandryshuar: të vijojmë me vendosmëri reformat, të adresojmë sfidat e mbetura dhe të ruajmë ritmin e lartë të progresit, duke sjellë rezultate të prekshme për qytetarët tanë dhe duke avancuar drejt qëllimit strategjik të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh mirënjohjen për raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, si dhe për anëtarët e AFET dhe të gjithë eurodeputetët, për mbështetjen e vazhdueshme, angazhimin dhe kontributin e tyre në avancimin e reformave dhe në rrugëtimin evropian të Shqipërisë."

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka përshëndetur miratimin e Rezolutës për Shqipërinë nga Komisioni për Punët e Jashtme i Parlamentit Europian, e cila u votua me 58 vota pro dhe 7 kundër.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla e cilësoi këtë zhvillim si një vlerësim të rëndësishëm për progresin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimim Europian. Sipas Ballës, rezoluta pasqyron qartë arritjet e Shqipërisë dhe mbështet ambicien për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027.
“Mirënjohje Kryetarit David McAllister dhe anëtarëve të Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian (AFET) për miratimin sot me 58 vota pro dhe 7 kundër të Rezolutës për Shqipërinë, një dokument shumë i rëndësishëm që pasqyron progresin e madh të Shqiperise rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Eurodeputetët vlerësojnë përkushtimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE dhe mbështesin ambicjen tonë për të mbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027. Mirënjohje Raporterit për Shqipërinë, Andreas Schieder, për punën serioze, objektive dhe mbështetëse në pasqyrimin e arritjeve të Shqipërisë dhe të angazhimit konsistent të vendit tonë për të çuar përpara reformat dhe procesin e integrimit europian. Një falenderim edhe për Andrey Kovatchev, Zëvendës Kryetar i Komitetit mbi Çështjet e Jashtme dhe Raporter për Shqipërinë në Grupin e Partive Popullore Europiane, për kompromisin në formulimin e tekstit final”, shprehet Balla.
Komente












Shqipëria duhet të kaoërcejë polarizimin politik? Po si dreqin duhet ta bëjmë këtë? Ne nuk e edukojmë dot opozitën tonë shpellare!
Përgjigju