Konferenca e 9-të Ndërqeveritare në Bruksel shënoi një moment të rëndësishëm edhe për vetë BE, tha nënkryetarja e parlamentit, Klodiana Spahiu në programin “Repolitix” në Report Tv. Zhvillimi i 4 tryezave qeveritare është sinjal nga BE dhe një moment që duhet shfrytëzuar.
“S’ka ndodhur ndonjëherë që në të njëjtën ditë në Bruksel të ketë 4 tryeza ndërqeveritare, të jenë 4 vende në rrugën e integrimit europian. Kuptohet qe edhe insistimi i BE për ta zgjeruar këtë tryezë është moment i rëndësishëm për vendin tonë që duhet ta shfrytëzojmë të gjithë”, tha Spahiu.
Mbyllja e 10 kapitujve në total të negociatave me BE janë objektivi ambicioz i qeverisë për këtë vit. Sot, Shqipëria mbylli 3 prej tyre dhe qeveria është angazhuar fort për të realizuar ata që kanë mbetur, u shpreh nënkryetarja e parlamentit.
“Deri në fund të vitit, janë 10 në total, në parlament po punohet shumë fort me kapitujt e ekonomisë dhe financës. Ky është një objektiv ambicioz. Nëse e arrijmë, e di që do të kërkohet shumë punë nga të gjithë deputetët sepse axhenda parlamentare është shumë intensive dhe duhet të punojmë me një ritëm tjetër për të kapur ritmin e BE dhe për të realizuar këto objektiva që kemi”, tha Spahiu.
Por ndërsa në sheshin para kryeministrisë vijojnë protestat, opozita ka deklaruar se do të bojkotojë seancat parlamentare. Kjo qasje nuk i shërben vendit dhe momentit ku ai ndodhet në këtë moment, tha Spahiu.
“Qasja e opozitës më krijon ndjesi jo pozitive. Braktisja e parlamentit në këtë moment është diçka negative. Ky është një proces që kërkon bashkëpunim. Ky është proces që do edhe shpejtësi, është ritmi që duhet ndjekur”, përfundoi nënkryetarja.

Protesta që zhvillohet prej 45 ditësh para kryeministrisë do t’i shërbejë procesit të integrimit, shprehet Klodiana Spahiu në “Repolitix” në Report Tv. Nënkryetarja e parlamentit thotë se nga protesta duhet marrë qasja pozitive dhe zëri qytetar për nisma që i nevojiten parlamentit.
Shqetësimi i saj është braktisja e parlamentit nga opozita, në një moment kur Shqipëria synon anëtarësimin në BE.
“Ne duhet të marrim nga protesta elementët që i shërbejnë vendit. Mendoj duke parë çfarë është pozitive nga protesta, cili është zëri që duhet dëgjuar dhe i shërben vendit. Nëse ne jemi bashkëpunues me ata që kërkojnë bashkëpunim, jo mohim, besoj se kjo do t’i shërbejë maksimalisht procesit të integrimit. Nuk mund ta lexoj protestën si pengesë, por do të vlerësoja pjesën pozitive të qytetarëve, zërin që shërben si nisma për parlamentin. Qasja e opozitës më krijon ndjesi jo pozitive. Braktisja e parlamentit në këtë moment është diçka negative. Është komplet ndryshe nëse kalon një projektligj dhe zhvillon një seancë parlamentare ku dëgjohet zëri i opozitës dhe i mazhorancës”, u shpreh Spahiu.
Në përgjigje të gazetarit Isa Myzyraj se opozita pretendon që nuk ka zë në parlament pasi kryeministri Rama e shpërfill dhe s’u përgjigjet interpelancave, Spahiu u shpreh se ky s’duhet të jetë argument për pakicën parlamentare për të mohuar bashkëpunimin.
“Ky është një proces që kërkon bashkëpunim, ndaj unë insistoj që e kërkojmë bashkëpunimin me opozitën. Ky është proces që do edhe shpejtësi, është ritmi që duhet ndjekur”, tha Spahiu.
Komente










