Protesta që zhvillohet prej 45 ditësh para kryeministrisë do t’i shërbejë procesit të integrimit, shprehet Klodiana Spahiu në “Repolitix” në Report Tv. Nënkryetarja e parlamentit thotë se nga protesta duhet marrë qasja pozitive dhe zëri qytetar për nisma që i nevojiten parlamentit.

Shqetësimi i saj është braktisja e parlamentit nga opozita, në një moment kur Shqipëria synon anëtarësimin në BE.

“Ne duhet të marrim nga protesta elementët që i shërbejnë vendit. Mendoj duke parë çfarë është pozitive nga protesta, cili është zëri që duhet dëgjuar dhe i shërben vendit. Nëse ne jemi bashkëpunues me ata që kërkojnë bashkëpunim, jo mohim, besoj se kjo do t’i shërbejë maksimalisht procesit të integrimit. Nuk mund ta lexoj protestën si pengesë, por do të vlerësoja pjesën pozitive të qytetarëve, zërin që shërben si nisma për parlamentin. Qasja e opozitës më krijon ndjesi jo pozitive. Braktisja e parlamentit në këtë moment është diçka negative. Është komplet ndryshe nëse kalon një projektligj dhe zhvillon një seancë parlamentare ku dëgjohet zëri i opozitës dhe i mazhorancës”, u shpreh Spahiu.

Në përgjigje të gazetarit Isa Myzyraj se opozita pretendon që nuk ka zë në parlament pasi kryeministri Rama e shpërfill dhe s’u përgjigjet interpelancave, Spahiu u shpreh se ky s’duhet të jetë argument për pakicën parlamentare për të mohuar bashkëpunimin.

“Ky është një proces që kërkon bashkëpunim, ndaj unë insistoj që e kërkojmë bashkëpunimin me opozitën. Ky është proces që do edhe shpejtësi, është ritmi që duhet ndjekur”, tha Spahiu.


Lajmi kryesor:

Integrimi në BE/ Shqipëria mbyll 3 kapitujt e parë, Klodiana Spahiu: Moment i rëndësishëm, duhet shfrytëzuar! Negative qasja e opozitës, nevojitet bashkëpunim